Të jesh vetëm, por të ndihesh e plotë; e kompletuar me veten, e sigurt me faktin që vetëmjaftohesh. Zakoni na thotë se vetmia është sikur vdekja a më mirë një përbindësh i pamposhtur.
Kësisoj, vetmia cilësohet si një e keqe, prej së cilës njeriu është i prirur të dëmtohet.
Nuk mundet që me fjalët e të folurit të përditshëm të emërtohen të gjitha ndjesitë dhe perceptimet që njeriu ka ndaj saj. Të paaftë për të përkufizuar dhe lakuar format dhe shndërrimet e saj, ajo vjen e bëhet një demon me të cilin duhet luftuar pa mëshirë dhe vetëm paskëtaj ne mund të harrojmë dhe të përballemi me trishtimin, mërinë, tabutë, konformizmat apo kompromiset që shoqëria përcakton. Dhe janë pikërisht këto të fundit ç’ka na influencojnë që të mos jemi vetvetja e ca më keq akoma, të mos jemi të lirë! Jemi mësuar që vetminë ta analogojmë me heshtjen e përtejvarrit apo përbindëshat e Hadit.
Pra, vetmia nënkupton frikën. Asnjë nga mbiemrat sipërorë absolutë nuk mund të përshkruajë ndjesitë e perceptimet që shkakton emri i saj.Nuk je e aftë të përkufizosh dhe të lakosh format që merr ajo. Është demoni që duhet të mposhtësh brenda teje, në mënyrë që të harrosh trishtimin, mërinë, tabutë, kompromiset ose konformizmat e përcaktuara nga shoqëria. Janë pikërisht ato që na influencojnë të reshtim së qeni vetvetja.
Kur instiktet çlirohen, fillojnë të marrin frymë e të sendërtohen, mund të shkaktojnë emocione aq të forta dhe me vlerë, saqë gjithçka tjetër që do të krahasohej me to do të zvetënohej e venitej, por normat shoqërore “një formë e kanunit modern”, nuk e pranojnë këtë. Madje e luftojnë pa mëshirë.
Në këtë pikë duhet të kuptojmë se ndodh fenomeni ‘uniteti i mediokërve’ që kur kërcënohen vijnë e bashkohen vetvetiu.Ti ke individualitetin tënd, pjesën tënde të çmuar që s’duhet ta cënojë asgjë dhe askush; ndaj bëhu ishull dhe rrethoje privatësinë që të përket me tela me gjemba. Lufto për këtë!Ndodh të bashkosh me dikë mendimet, rrahjet e zemrës, shikimet drithëruese, frymëmarrjet, por jo vetminë. Atëherë, sado që të duheni, nuk do të ndiheni kurrë, vërtet së bashku.
Siç vërteton dhe gjeometria, do të mbeteni dy drejtëza paralele që nuk përputhen kurrë dhe nuk do të shihni në të njëjtin drejtim siç mendonte A.de Saint-Exupery. (Këtu do të duhej që të ndodhnin dy fenomene në mënyrë që drejtëzat të bashkoheshin:
1. Një prekje mistike (Romeo dhe Zhuljeta) ku personazhet çlirojnë plotësisht instiktet (gjë që për manualet e psikologjisë është gati e pamundur, por jo e padëgjuar) dhe bëhen pjesëtarë të tablosë hyjnore.
2. Perceptimi, kuptimi, toleranca dhe inkurajimi i vetmisë (së tjetrit) si dhe heqja dorë nga vetja (being selfless) me qëllim për t’i shërbyer partnerit).
Ti ecën në rrugën e jetës e sigurtë, e pavarur, pa u mbështetur askund. Të tjerët çuditen me forcën dhe karakterin tënd: disa të admirojnë, disa të lakmojnë apo të shohin me zili, të përflasin me bindjen se fshihet një suport “i dyshimtë” pas gjithë këtij suksesi. Por harrojnë se vetminë, shpeshherë e karakterizon dinjiteti.Shoqëria shqiptare i edukon femrat të jetojnë dhe të ëndërrojnë përkrahjen e një mashkulli, i cili ndihmon në zgjidhjen e problemeve.
Kështu, vetë shoqëria është fajtore në viktimizimin e femrës dhe dobësinë e saj. E edukon, e mëson të përulet, të pranojë fyerjen, padrejtësinë, cënimin e personalitetit, mungesën e respektit dhe vlerësimit, pra të jetojë për dikë tjetër, sikur ajo vetë të mos gëzojë të njëjtat të drejta. Madje ato femra krenare që guxojnë si meshkujt dhe dinë të mbajnë shumë mirë pantallonat, i përndjek mentaliteti i prapambetur patriarkal dhe paragjykimi. (Përse mposhtet femra, përse vallë mentaliteti dhe paragjykimi paskërkan kaq ndikim tek ajo? Përse vallë ajo nuk e ndjen dëshpërimin dhe përse ajo nuk e kthen këtë dëshpërim, nëse e ndien, në tërbim gjë kjo që do ta bënte një amazonë?).
Vetmia di të jetë një shoqe e përkushtuar, stimulon meditimin dinamik, të ndihmon të rritesh e të maturohesh. Të gjithë ia njohin domosdoshmërinë, por s’e pohojnë shpesh. Frika mbizotëron ndaj dëshirës dhe njerëzit largohen nga kjo botë duke e urryer vetminë, duke mos e njohur në thelb atë, duke iu shmangur asaj; pa shijuar frytin e “kopshtit të ndaluar”.
Vetmia nuk duhet të trembë asnjërën. Nëse qendra dhe periferia shpirtërore ndërthuren bashkë përsosmërisht, edhe po të mbetesh vetëm, do të dish të ndërtosh lumturinë. Dhe kur mëngjeseve të të përshëndesë dhembja apo trishtimi, nuk do të vetëshkatërrohesh, alienohesh apo destabilizohesh. Në lumin e madh të jetës, nuk do t’i shpallësh sfidë askujt. Rrjedha e tij do të të marrë dhe gjërat do të ndodhin vetë, pa i sforcuar e manovruar. Mëso të jesh kontemplative. Qëndro, dhe ji vetvetja!Të gjitha ngarkesat negative, flaki tutje! Flake të gjithë ligësinë dhe ji e dlirë!Komplekset dhe ndjenja e fajit janë gjithëpërfshirëse e universale. Askush nuk përfitoi asnjë dobi prej tyre. S’duhet të shndërrohemi në marioneta; as të njerëzve dhe as të fatit.Le të kemi një dhomë më vete si Virginia Wolf ( pa u kapluar nga simptomat e feminizmit ekstrem, nuk është kjo tema e diskutimit)…
Thjesht pretendo normalitet, aty ku të tjerët shohin plot nihilizëm, inferioritet dhe skepticizëm. Bëhu normaliteti ! Vetmia nuk është burgu i errët, ku ti ndihesh i harruar. Ajo është reflektimi hyjnor mbi ty. Arsyeja e logjika jetojnë jashtë dhe larg teje. Këtu koha ndalet. Dëgjohet vetëm frymëmarrja e shpirtit tënd. Vetmia është liria absolute që të çel trëndafilin e zemrës. Edhe pak hapa, dhe ja tek ekziston: nirvana.E gjitha kjo i shëmbëllen një procesi vetëpërsosjeje, nëpërmjet të cilit. ti do të gjesh shpëtimin. S’do të të mbetet më asnjë peng, asnjë fobi, asnjë ndrojë, asnjë pasiguri. Vetmia është një mësuese e madhe që të thellon dhe plotëson ngadalë.
Nëse të tjerët e kuptojnë marrëdhënien e vyer mes jush, do të ndihen xhelozë, nuk do ta tolerojnë dot dhe do të përpiqen t’ju vënë shkopinj ndër rrota.
Sepse njeriu është paradoksi më i madh i natyrës dhe njëkohësisht, derivat i gabimeve e zhgënjimeve të veta. I prirur ndaj vetëpërsosjes me çdo çmim, ai synon të zbulojë çelësin që kodifikon lumturinë e të ngjashmit të tij. Kjo e shëmton atë! Endjeve dhe rravgimeve për t’u pozicionuar në këtë botë, (të cilën me kalimin e viteve mbi supet tona, e krahasojmë gjithnjë e më tepër, me një ëndërr mashtruese) iu vjen fundi.
Ashtu si Uliksi, ti duhet ta gjesh Itakën tënde. Ndaj, për aq kohë sa është e mundur dhe të lënë ta bësh, shijoje vetminë!
Comments