Atë ditë nëntori binte shi pa ndërprerje që nga mëngjesi. Një shi i rrëmbyer vjeshte. Rrëkera të shumta, rrëpirave e shpateve, kapërcenin rrugët e pengesat e vogla dhe hidheshin në përrenjtë e thatë me një gjëmim shurdhues. Të gjithë ata përrenj përfundonin në degën e lumit që përshkon tërë luginën e tre fshatrave: Grykeras, Blerimas dhe Përparimi. Përrenjtë gërryenin tokat e punuara, merrnin me vete dherat dhe të lashtat e mbjella, duke formuar vorbulla balte, për t’i derdhur në degën e lumit.
Veç dherave e gjetheve te vjeshtës, ujrat merrnin edhe degë e drurë të çveshur ngjyrë gri, të cilat i hidhnin mbi brezin e butë në të dy anët e klonit, atje ku priste lumin. Asnjë zog, qoftë edhe korb, nuk guxonte të sfidonte shtrëngatën dhe të vinte e të përshkonte të paktën me një fluturim tinzar të vetëm ajrin e lagësht e të ftohtë, për të kapërcyer klonin. Një erë e fuqishme i fshinte pllajat e shkreta, ku s’kishte as gjethe të rëna ,që t’i mirrte me vete, as gjethe nëpër drurë që t’i bënte të rënkonin ose të këndonin.Vetëm degë të zhveshura… degë të zeza… skelete… Një natyrë e zhveshur, e gjymtuar. Rreth orës njëmbëdhjetë, në rrugën e shkretë anës lumit, që të çonte në fshatin kufitar Grykeras, u duk një siluetë e errët burri. Ai ecte përpara i lëkundur nga era e fortë, pa u nxituar, tamam sikur nuk e kishte mendjen te rrebeshi i shiut, që derdhej mbi rrobat e tij, të cilat i ngjiteshin pas trupit. Herë-herë, një mjegull e dëndur, e shtyrë furishëm nga era, nuk të linte të shikoje as dhjetë metra para syve. Uji , që bënte pellgje të gjera mbi rrugë, i futej në një palë këpucë ushtari me qafa, të cilat bënin pllaq e plluq dhe spërkasnin çdo gjë rreth e rreth. Në trup kishte veshur një palë pantallona doku blu, të cilat i rrinin të gjera te këmbët , një këmishë të bardhë me vija dhe, poshtë saj, dukej një bluzë marinari. Asgjë nuk e mbronte nga era dhe ciklonet e shiut fytyrën e tij të rruar taze.
Burri i panjohur, që më pas u mësua se ishte një djalosh, ecte gjithnjë i heshtur, kokulur dhe brinjas, për t’iu shmangur sadopak rrebeshit, që e kishte pothujase përballë gjatë gjithë rrugës. Edhe sytë i mbante gjysmë hapur dhe, ku e ku, mbyllur fare, për shkak të suferinës dhe pikave të shiut, që ia godisnin fytyrën si me shufra thane. Grykerasi nuk ishte larg, por atij i dukej se ishte pambarimisht mërguar, se mjegulla dhe rrebeshi i shiut nuk e linin të shikonte as dhjetë metra përpara. E, në një situatë të tillë, që nuk kontrollonte dot më as këmbët, ecte kuturu, pa orientim. Nga kjo, në vend që të merrte rrugën për në Grykeras, kishte marrë një xhade të vjetër, e përdorur dikur për punime ushtarake, e cila të çonte te ura mbi të cilën kalonte kloni. Kloni linte nga e djathta fshatin Grykeras, priste tërthor lumin dhe pastaj u ngjitej shpateve të malit. Nën vete ura kishte rrjeta të dendura prej hekuri të trashë, nga ishte e pamundur të kalonte edhe zogu e jo më njeriu. Në ato çaste rrjeta ishte bllokuar nga lloj-lloj degësh e gjethesh dhe uji kishte vërshuar në të dyja anët e klonit. Balta kishte arritur në një lartësi tre-katër kuadrate të telave me gjëmba dhe në një gjerësi pesëmbëdhjetë- njëzetë metra. Këmbët e tij zhyteshin në atë përzierje degësh, gjethesh e balte deri te gjuri.
Përpjekjet që bënte për të dalë nga balta e çonin gjithnjë e më afër klonit, ku synonin të kapërcenin llava e baltës dhe ujrat e rrëmbyera. Kjo llucë ngjitëse e tërhiqte dhe e mbante brenda sikur të ishte përbindësh.
Sado i fuqishëm që ishte djaloshi, nuk mundej të shkëputej prej llucës dhe padashur preku telat e klonit. Sinjali elektrik, që përshkonte telat me gjëmba, arriti në dhomën e kontrollit të postës kufitare. Dhe, kur s’kishin kaluar as dhjetë minuta, duke bërë përpjekje të dëshpëruara, për t’iu larguar klonit, ndjeu mbi shpinë një goditje të fortë e një peshë të rëndë, kurse në qafë ftohtësirën e një rrjeti telash, që iu duk se iu fut në mish. Goditja bëri që trupi i tij të binte tërësisht mbi tela dhe gjëmbat e tij ia mbërthyen rrobat e lagura. Instinktivisht bëri një përpjekje të fortë për t’u liruar nga ajo peshë dhe, njëherësh, për t’u shkëputur nga kloni, por ndjeu vetëm gricjen e teshave, duke u plandosur në baltë. Ndërkohë vuri re se dikush e tërhiqte peshën e rëndë me një zinxhir metalik. Atëherë pa se ajo peshë e rëndë dhe goditja e fortë i kishte ardhur nga qeni trupmadh i kufirit me pamjen e një ujku të tmerrshëm. Maska prej teli që mbante qeni në hundë e kishte shpëtuar nga kafshimet e tërbuara të tij. - Duart lart!... - Thirri me zë të ashpër njëri nga tre ushtarët, i cili, me sa dukej, ishte përgjegjës i njësitit të klonit. Djaloshi nguroi t’i çonte duart lart. -Duart lart! Dil andej dhe eja këtu me duar lart! - urdhëroi pastaj kapteri i qenit. Djaloshi çakërriti sytë, i vetëdijshëm për pasojat që e prisnin, ndonëse nuk ishte nga ajo zonë dhe nuk i njihte mirë rregullat e rrepta të regjimit kufitar . - Po të mundja të dilja,shoku kapter, do të kisha dalë me kohë. Kam gjysëm ore që përpiqem atë të bëj, por e kam të pamundur. - Mbylle gojën! Dil shpejt pa asnjë fjalë! - iu hakërrua edhe më keq kapteri, duke mbajtur qenin. - Më ndihmoni të paktën, se ju e shikoni që përpiqem, por nuk mundem. - Mos fol, bindju urdhrave! Sqarimet jepi kur të të pyesin! - Më ndihmoni ,vëllezër, edhe unë ushtar si ju kam qënë, sivjet jam liruar. Në marinë kam shërbyer. -Nuk të lejohet t’i flasësh njësitit kufitar! Mos na thuaj “vëllezër”, ti je shkelës kufiri. - Unë s’jam shkelës… - filloi të justifikohej djaloshi, po nuk arriti të thoshte gjë tjetër, pasi qeni i kufirit iu hodh në gjoks i ndërkryer, sikur ta kishte kuptuar dialogun e ashpër.
Në atë çast arriti edhe komandanti i postës kufitare, i shoqëruar nga kujdestari i postës dhe tre kufitarë të tjerë. Oficeri iu drejtua përgjegjësit të njësitit të klonit:
- Çfarë keni vërejtur deri tani?
Përgjegjësi i njësitit i raportoi. Oficeri e pyeti shkelësin kush ishte, nga ishte dhe pse deshi të arratisej.
- Nuk jam nisur për t’u arratisur, s’kam as dëshirë as arsye për t’u arratisur. Jam nisur për vizitë në familjen e një shoku tim.
- Po të mos ishe nisur për t’u arratisur, nuk prisje telat e klonit.
- Nuk kam prerë tela. Telat janë atje dhe duket se nuk janë prerë, janë deformuar nga që rashë mbi ta pa dashur , duke bërë përpjekje për të dalë nga balta.
- Paske shumë fjalë ti. Do të përgjigjesh kur të të pyesim. Tani mbylle gojën! - tha komandant Marku dhe urdhëroi ushtarët: - Nxirreni zvarrë nga brezi i butë dhe kontrollojeni se mos ka armë!
Veç rrobave të trupit i gjetën Letër njoftimin, një mijë lekë, një zarf të mbyllur pa adresë, një pincë dhe një kaçavidë në xhepin e pasmë. Kur kapteri nxorri pincën nga xhepi i djaloshit, në fytyrën e komandantit u ravijëzua një buzëqeshje dhe një përndritje lumturie, pasi ai mjet do të shërbente si argumenti më bindës për akuzën e arratisjes. Ndërsa kapteri, në shenjë njëmendësie me komandantin e goditi me pincë në kokë shkelësin e kufirit.
-Tani nisuni! Kujdes të mos bëj asnjë lëvizje majtas, djathtas apo prapa! - Urdhëroi sërish komandant Marku.
Të gjashtë ushtarët shoqërues ecnin, duke qënë në gadishmëri të plotë, ndërsa kapteri me zor mbante qenin e kufirit, të mos i hidhej në shpinë. Vazhdimisht e urdhëronin të ecte më shpejt, më shpejt. Djaloshi përpiqej t’i sqaronte se nuk mundej, pasi pesha e trupit të tij ishte dyfishur nga balta argjilore në rrobat e këpucët. Ndërsa ata, sa herë fliste ai, ia kthenin me inat: “Mbylle gojën!” dhe sa herë e ngadalsonte hapin, e shtynin, duke i bërtitur: “Ec përpara!” Ishte kjo një farë frike se mos u ikte.
Në postën kufitare djaloshi sosi i drobitur, sa ra menjëherë në shesh. Kuzhinjeri i postës, që dallohej nga bluza dhe kapuçi i bardhë, ndiqte më vëmendje veprimet. Ai vrapoi në kuzhinë, mbushi një gotë me çaj të ngrohtë, pa sheqer, siç kishte mbetur ne kazanin e ushqimit dhe ia afroi djaloshit të zbehur, por përgjegjësi i njësitit të klonit ia goditi me shkelm gotën e aluminit, e cila ra në tokë me një zhurmë kërcitëse. “Kafshë”, i tha kuzhinjeri nëpër dhëmbë duke u larguar. Përgjegjësi i njësitit të kontrollit të klonit regjistroi në librin e shërbimit çdo detaj dhe një më një sendet që kishin gjetur në trupin e tij.
Pas pak mbriti komandanti, i cili qëndroi për të shikuar me vëmendje gjurmët në të ashtuquajturin “brezi i butë” dhe telat e shformuara të klonit, i shoqëruar nga kapteri kujdestar.
Ai i hodhi një vështrim kërcënues shkelësit të kufirit, por, në vetvete, ndihej shumë i emocionuar dhe ziente nga shkulmet e energjisë. E keqja ishte se gjatë dhjetë viteve që kishte qënë komandant i tri postave kufitare të asaj zone, përveç ca gjërave të sajuara, për të tërhequr vëmendjen e fshatarëve për vigjilencën e lartë dhe asgjësimin e çdo përpjekje të armiqve për të trazuar jetën e punën paqësore në zonën kufitare, e, në këtë mënyrë, t’i kishte dhënë të drejtën të kishte shpresë për ndonjë transferim dinjitoz apo ngritje në detyrë. Ah sikur të pranohej që kishte të bënin me një tentim të pastër arratisjeje! Dhe ajo letra… Një arratisje në atë kohë, pas grupit armiqësor të ushtarakëve do të bënte bujë të madhe. Mos më thënshin Mark! – tha me vete.
Sa hyri në zyrën e tij, kapi vrullshëm telefonin, por zgjodhi të mendohej pak para se të komunikonte me eprorët. Pas tij hyri kujdestari. Komandanti e pa mikun e vjetër drejt në sy. – Kjo mund të na dalë edhe më mirë nga sa na e thotë mëndja. Më duket se kjo është shkelja më e rëndë dhe më e rëndësishmja në batalionin tonë gjatë kohës së shërbimit tim. Dhe, po mundëm ta përfundojmë shpejt e mirë, para festave të nëntorit, do ta shohim dobinë të gjithë ne, si thoni ju? - Pa tjetër, - iu përgjigj komandant Marku dhe u bë gati t’i binte telefonit për zyrën e informacionit në batalion... Sikur të ndodhej atje vetë komandanti i batalionit ose komisari! Ai do t’u tregonte shefave të tyre për këtë ngjarje të rrallë në jetën monotone të asaj zone kufitare. E mendonte si një rast të mirë edhe për shefat këtë ngjarje, se afër ishin emërimet e reja dhe pranverën e ardhëshme ishin zgjedhjet për Frontin Demokratik.Por hoqi dorë pa e ngritur receptorin.
Komandant Marku doli jashtë. Qëndroi disa minuta te shkallët, duke vështruar tërthorazi shkelësin e kufirit, për të parë reagimin e tij. Pastaj thirri shkruesin, i cili doli me bllokun e proçesverbaleve te sherbimit gjate 24 orëve. -Shoku ushtar, plotëso procesverbalin dhe mbaj shënime të sakta, se ngarkohej me përgjegjësi, - urdhëroi shkruesin. - Si urdhëron, shoku komandant, - u pergjigj ushtari, duke marrë drejtqëndrim. Komandant Marku iu afrua shkelësit të kufirit. E pyeti për çdo gjë që i gjetën në trup dhe u ndal më shumë te pinca dhe kaçavida. - Në se nuk e kishe për të prerë telat, pse e ke marrë pincën me vete? - Unë kam bërë shërbimin në marinë. Atje mësova dhe shërbeva si elektriçist. Kushëriri im, këtu në Grykeras, më kërkoi t’i bëj elektrifikimin e një dhome të re që ka shtuar. - Këtu ka elektriçist kooperativa, pse do të vije ti që andej? - Kështu e mendoi kushëriri im. - Nuk i pëlqen kushëririt tend elektriçisti kooperativës? - Që dëshiron të bëj një shërbim në shtëpinë e vet me kushëririn e tij, s’do të thotë se atij nuk i pëlqen elektriçisti i kooperativës. - Leri ironitë me mua ti… - u nxeh komandant Marku. – Me pincë ti preve telat e klonit. - Nuk i kam prerë telat e klonit, as i kam prekur me dorë, veçse u rrezova mbi rrjetën e telave. shkelësin e kufirit e lanë rreth një orë ashtu të lagur e të pafuqishëm në sheshin para kazermës.
Zarfin e mbyllur pa adresë e hapi komisari i tri pastave kufitare. Në fillim ai shtrëngonte dhëmbët e të gjitha shqysat i ishin tendosur nga një kureshtje makabre. Me siguri komisari priste nga letra diçka sekrete për ndonjë person apo grup personash bashkëpuntorë të ndonjë grupi agjenturor, brenda apo jashtë vendit, me që shkelësi kishte tentuar të arratisej. Por, pasi e hapi dhe e lexoi, në fytyrë iu duk shpërfaqja e një zhgënjimi. Siç u mësua më vonë, letra ishte një letër dashurie, të cilën një shok i djaloshit ia dërgonte një vajze, me të cilën ishte njohur e kishte rënë në dashuri me të gjatë aksionit dymujor në hekurudhën Elbasan - Prenjas. Komisari, sido që përpiqej të deshifronte në gjuhën e zbuluesve nëntekstin e çdo fjale e fraze, vuante që nuk arrinte dot të zbulonte ndonjë kleçkë, ndonjë fjalë me dy kuptime, ndonjë frazë që fshihte ndonjë kuptim në shërbim të agjenturave a ndonjë kod sekret dhe, i nervozuar, mendoi se hetimi i letrës mbetej kompetencë e seksionit të zbulimit në degën e punëve të brendshme. Pasi komisari e mbylli letrën dhe e futi në zarfin që ishte, duke e ngjitur me ngjitës të përgatitur nga mjete rrethanore, para eprorëve u paraqit ushtari i shërbimit. Ai nderoi komandantin dhe e njoftoi se e kërkonte në telefon komandanti i batalionit. Komandnati i postës fluturoi në zyrën ku ishte telefoni. Nuk ishte e vështirë të dëgjohej zëri i komandantit, i cili fliste fort,sikur fliste para ushtarëve, kur u jepte urdhërat për ruajtjen e kufirit. Pas nderimit të rastit në telefon u dëgjua raportimi i tij: Në përpjekje për t’u arratisur është kapur nga patrulla e shërbimit të klonit, Hekuran Seferi, mosha 23 vjeç, nga një fshat larg zones kufitare. Në orën 11 e 30 minuta në qendrën e gadishmërisë erdhi sinjali i prerjes së telave të klonit. Patrulla e shërbimit të klonit, shoqëruar nga qeni i kufirit dhe kujdestarit të tij, mbritën pas shtatë minutash në vendin nga u dha sinjali. Në atë kohë shkelësi po tentonte të priste telat e të kalonte klonin. Fillimisht ai u bëri rezistencë forcave kufitare, por pa mundur t’u shpëtonte. Me vete shkelësit iu gjetën letër-njoftimi, 1000 lek, një pinc, një kaçavidë dhe një zarf i mbyllur... Fjalët e eprorit nuk dëgjoheshin, por, me sa dukej, eprori në krahun tjetër të telefonit i kërkoi t’ia jepte më shkoqur të dhënat,një për një, sipas radhës së pyetjeve që do t’i drejtonte ai: … Emri, po, Hekuran Seferi. ….23 vjeç ...Po, e ka kryer shërbimin ushtarak në marinën bregdetare. …..Familjes s’ia dime biografinë, por mund t’ia mësojmë… …..Thotë se do të vizitonte një shok ushtrie në Grykeras. …..Letrën s’e hapëm, pasi menduam se ajo do të jetë objekt i hetuesit të degës. ….. Këtu pati një pauz. Pas dhjetë minutash u dëgjua zilja e telefonit të postës. - Urdhëroni, shoku shef, - u dëgjua zëri i komandantit… … Ta mbajmë 24 orë të izoluar këtu në postë? …..Si urdhëroni, shoku shef… Po ajo letra, shoku shef? …. Si urdhëron, shoku shef! … Si urdhëron, shoku shef! , - e mbylli bisedën komandanti i postës me shefin e batalionit të kufirit dhe doli jashtë, por nuk u afrua tek shkelësi i regjimit kufitar. Ai qëndroi në krye të shkallëve. Gjatë kohës që komisari merrej me letrën, shkelësi i kufirit, nën vëzhgimine egër të shqiponjave të kufirit, dukej i hutuar, por jo shumë i frikur. Kjo i inatoste më shumë ushtarët dhe eprorët e tyre. Ai ishte një djalë i gjatë e shpatullan, ndërsa kufitarët çunakë, të gjithë më truppak se ai. Pasi hodhi vështrimin andej-këndej tërë zmërim, por edhe me një farë shprese, komandant Marku urdhëroi ushtarët që rrinin në gadishmëri: - Çojeni në dhomën e izolimit! Pastaj thirri kapterin kujdestar në zyrë. Kujdestari mori qëndrim gatitu. - Si marr vesh këta eprorët tanë, lelojnë të na shkasë ky rast nga dora. Na urdhërojnë t’i japim edhe ushqim e rroba të thata, pa le! Kujdestari u zvetnua në fytyrë dhe prishi buzët, por zbatoi urdhërin. Ndërkohë komandanti e komisari hapën dhe një herë letrën. E shqyrtuan shumë herë, se mos zbulonin ndonjë nga ato që dëshironin ata dhe jo që nënkuptime nuk zbulonin dot, por imagjinata e tyre nuk prodhonte dot ndonjë gjë të hairit, për ta evidentuar ngjarjen si një rast, që provonte se komanda e postës kufitare ishte në lartësinë për t’u marrë shëmbëll e për t’i dhënë lavdërime. Të nesërmen shkelësin e kufirit e nisën me këmbë për në Batalionin e kufirit të shoqëruar nga tre ushtarë të armatosur, njëri prej të cilëve kishte në krah një telefon, që zakonisht përdoret në repartet ushtarake edhe gjatë rrugës.
Në degën e punëve të brendëshme Hekuran Kamberi qëndroi 16 ditë, duke u hetuar për tentim arratisjeje, pajisur me mjete rrethanore të mjaftueshme për prerjen e klonit. Pastaj kaloi në paraburgim ku hetohej nga hetuesi e prokurori i çështjes. Kur doli nga hetuesia e degës, 60 përqind të flokëve i Kishte të zbardhura. Në gjyqin ushtarak, pretenca e prokurorit akuzote për përgatitje e tentativë arratisjeje, lidhje me agjentë të brendshëm e agjentura të huaja dhe se iu gjet dhe një letër, të cilin duhej t’ia dorzonte një agjenti të rrezikshëm matanë kufirit. Si prova u paraqitën pinca, kaçavida dhe zarfi i letrës, por jo vetë letra.
I pandehuri nuk pranoi asgjë nga akuzat dhe nuk dukej kokulur si në postën kufitare. Bile trupi gjykues e përqeshi kryelartësinë e tij. Pincën dhe kaçavidën i justifikoi si mjete në përdorim gjatë ushtrimit të zanatit të tij si elektriçist. Tregoi se klonin nuk e kishte prekur me ato mjete veçse me shpatulla, në tentativë për të dalë nga balta, ku ishte zhytur. Për punën e letrës ai kërkoi të lexohej origjinali që ishte në zarf dhe të paraqiteshin si dëshmitarë dërguesi i letrës dhe marrsja e saj.
Të gjitha faktet, shpjegimet dhe kërkesat e të pandehurit u hodhën poshtë dhe trupi gjykues. Gjyakat dha dënimin me 13 vjet burg. I dënuari nuk e pranoi as akuzën as dënimin, duke këmbëngulur se ishte katërcipërisht i pafajshëm, veç prekjes së klonit me trup, për shkak të rrethanave natyrore. Vendimi ishte i formës së prerë dhe i pa apalueshem.
Comments