top of page
Search

Shpirt cigan

Nga Gladiola Jorbus


Manteli i yjeve vezullon

mbi puthjen cigane.

Krahët zeshkanë

pushtojnë gjithë dhembjet e botës.


Nën tingujt e trishtë të flamencos

era pranverore lëmon –

flokët e errët si nata.

Vagëllohet agimi

në cicërima dallëndyshesh.


Aromë *azahari andaluzian,

kundërmon gjithësia.

Në sytë e zinj abanoz

mund të lexosh a të vësh baste me fatin.

Për vajzat që fundet tundin,

aq fort këmbët i rrahin mbi tokë.


E duele të përgjakshme ndezin,

kur vështrimet - me ëndrrat kryqëzojnë.

Për djemtë që enden në kërkim të vetes,

E dragonjtë e jetës, pa drojë i përballin.

Për zjarret që digjen, daullet që bien.

Për Ederlezin cigan që kumbon

Në shtatë notat e shpirtit.

Nata e përhumbur, shkumake,

vallëzon me fytyrën drejt qiellit.

Dhe piklat e shiut të shpresës

Përkëdhelin mëngjesin.


*Azahar – ‘Çel portokalli’ në spanjisht, rrjedh nga arabishtja zahrah që do të thotë ‘lule’. Është marrë nga Nuestra Señora del Azahar, që do të thotë "Zoja e Lules së Portokallit", për shkak të pemëve agrume që rrethojnë një kishë kushtuar Virgjëreshës Mari pranë Murcias, në Spanjë.





Comments


bottom of page