(SHËNIME PËR LIBRIN “ MARKATASIT “ TË DR. AGIM NELAJ)
Nga Agron MEMA
Vjen një moment që historia shkruhet. Kur themi shkruhet kemi parasysh faktin që bazohet shkrimi tek fakti, ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë, jashtë ndjesive dhe pëlqyeshmërive të vet autorit apo edhe të njeriut apo tjetër person a dëshmitar okular.
Por Dr. Agimi nuk merr përsipër të shkruaj një libër të mirëfillt historik mbi fshatin e lindjes së tij.
Ai përmbledh ngjarje dhe personazhe që, ndonëse në kohë e periudha të ndryshme , ruajën brenda tyre ritmin kronologjikë.
Ky është një ndërgjegjësim intelektual, sepse siç shprejet vet ai në faqet e librit : “ Ndonëse faqet e historisë, shekull pas shekulli, pluhurosen nga koha, mjafton një fllad i lehtë ajëri dhe dalëngadalë pluhuri fillon e tretet, personazhet që kanë thurrur rreshtat e bëmave në histori, me një lexim të rrjedhshëm, shfetim të faqeve e varg më varg, fillojnë e gjallojnë si të pavdekshëm.
Këta mund të jenë dëshmorë, atdhetarë, njerëz të arsimuar e me ndihmesa, por edhe njerëz të zakonshëm. Ato zgjohen nga gjumi i harresës për të jetuar nën kumbimin e ngjarjeve të së kaluarës , pranë ditës së tanishme...faqe 15”.
Pra Dr. Agimi shprehet qartë për mendimin dhe idenë që do të shprehij në këtë botim duke j’u referuar “...jetëshkrimit të babait, por në rrethana hostoriko-politike-shoqërore të Markatit, para, gjatë dhe pas Luftës e më tej...”.
Autori zbardh gjurmë, sjell fasha drite të jetesës së këtij fshati në udhëtimin shumëshekullor të historisë së Markatit dhe markatasve. Kjo qasje vjen në një këndvështrim disi të veçantë parë nga formati i strukturës së ndërtimit të subjektit të librit dhe duke përdorur me mjeshtëri tipizimin e personazheve dhe disa prej figurave historike dhe popullore të këtij fshati, kjo me një nyje të fortë lidhëse me historinë e krahinës, vendit mbarë si dhe me vendet fqinje.
Janë momente kyçe që shpesh perceptojnë edhe tek fate njerëzore të trishta e të dhimshme. Dhe kjo siç ka ndodhur me Markatin e markatasit. Po pse ky rast unikal paradoksal në këtë fshat nga pushteti komunist dhe LANÇ-i gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore?! “ Këndvështrim i verbër apo vështrim brenda vetes?...Përtej misterit fshihet një e vërtetë që të bën të vëshë në dyshim gjithshka di. Njeriu jo gjithmonë është i vetëdijshëm për vlerat që ka, për forcën që ka në vetvete.
Njëherazi edhe për aftësitë tërheqëse që veprojnë pa dijeninë, por edhe në kundërshtim me vetveten e tij...”.
Të gjithë në këtë fshat përkrahën LANÇ-in dhe komunistët si ekonomikisht , ashtu edhe politikisht e ushtarakisht, por e paguan shtrenjtë. Internime, arratisje, shpronësime, shpallje kulakësh, burgosje , pushkatime, shantazhe e gjithshka e rëndë e sfilitse në pafajësinë e tyre.
I pari u arratis Muhedin Muço në korrik 1944, ish një nga luftëtarët dhe themeluesit të çetës së parë partizane në jugun shiqiptar dhe e dyta në Shqipëri pas asaj të Pezës, por edhe kësaj çete ju hoq identiteti “Çamëria” me krijimin e batalionit partizan.
Ishte kjo krisja e madhe që do të krijonte divorcin e madh dhe një persekutim të paparë. Markati me rreth 80 familje numëronte mbi 90 partizanë, ndaj themi paradoks unikal i persekutimit komunist. Të gjithë me LANÇ-in, të gjithë kontribues me lëvizjet patriotike dhe atdhetare në shekuj dhe të gjithë të persekutuar, burgosur, të shtypur e të arratisur nga revolucioni që ëndërruan, ndihmuan dhe farkëtuan vet duke sjellur në pushtet një nga sektet më diktatoriale dhe nga më gjakatarët në historinë e njerëzimit.
Të gjithë me LANÇ-in dhe të gjithë armiq të popullit ?! Një paradoks jo vetëm unikal, por edhe historik që ende lundron në paparashikueshmëri dhe pakuptueshmëri të kësaj veprimtarie pushtetare ndaj këtij fshati, të atij sistemi maskuar me “Lufta e Klasave”, luftë të cilës populli ynë nuk ia kuptoi kurrë qëllimin dhe kuptimin e saj, por ama peshën e saj diskriminuese dhe të rëndë e mbajti mbi shpatulla.
Rrëzimi dhe denigrimi i traditave, vyrtyteve, vlerave dhe trashëgimisë shekullore, është një tjetër qasje që shpaloset me mjeshtëri në libër dhe plotë art e finesë nga autori duke përballur vlerën popullore dhe mbrojtjen e saj me fanatizëm me antivlerën e rregjimit dhe shërbëtorve të tyre. Padashur ata lanë plagë të dregëzuara, degraduara, gangrenizuara, me pashpjegueshmërinë e tyre në trupin e vet PKSH-së, udhëheqjes dhe misjonit të saj historik në periudhën e ndjekur gjatë 50 viteve të sundimit të saj ekonomikë dhe politikë.
10 prill 2021
Comments