top of page
Search

Shpresa Mulla (Jahaj) - Amë e virtytshme për jetën...

Nga Pajtim Çaushi

Koha kalon shpejt në rrjedhën e vet të përjershme. Megjithatë, sado të kalojë, përgjatë tragës së saj pasardhësit do të dallojnë gjurmën e atyre që janë larguar. Do të pikasin portretin apo hijen e të dashurve të tyre që mund të jenë të afërm apo të njohur.

Natyrisht, ato që do të jenë më të dukurat në udhën e pafund të kohës janë nënat, mëkueset e brezave njerëzorë të cilat e bëjnë jetën të gjallojë.

Njera prej amave të jetës me gjurmë e portret të dalluar e të admiruar është e respektuara dhe e paharruara Shpresa Mulla (Jahaj).    

 

Portret me sqimë e dinjitet

 

Kushdo që e ka njohur, e parafytyron qartë portreti e admiruar të Shpresa Mulla (Jahaj).

Ishte një femër bardhoshe dhe e bukur. Sytë i shkelqenin me çiltersi e sinqeritet.

Flokë të plotë në ngjyrë gështenje. Me një buzëqeshje të përhershme mirësie.

Me vështrim të kthjellët. Me ballin fisnik ku gëlonin mendime të zgjuar e të qetë.

Zemrën të pastër, pa dredha e hile në punë e shoqëri.

Shpirt fisnike që s'dinte t'i bënte keq as një mize dheu, jo më një njeriu.

Kudo përcillte gëzim jete, këshilla mençurie, sqimë e dinjitet.

Jo vetëm pjestarët e familjes, por dhe ato apo ata me të cilët punoi e quanin me respekt motër dhe e donin si të tillë. Nuk ishin pak, midis tyre edhe Merzua, Fetanetja, Ruhani, Myfiti, Rexhepi, Shabani, Hajriu e plot të tjerë.

 

Të kuptosh degët, njih rrënjët...

 

Janë fjalët që i thoshte shpesh Xha Brahua mikut që e donte shumë, Myfit Bejzatit.

Shpresa ishte bija e të njohurve për zotësi e zgjuarsi Ibrahim dhe Fejzie Mulla.

Ibrahimi (Brahua) ka qënë nga njerëzit më të zgjuat e të lexuar në Konispolk.

Në një rast më ka habitur kur deklamoi përmendsh poemat "Histori e Skënderbeut" të Naimit dhe "Erveheja" të Muhamet Kuçukut. Ndërsa poezinë për tridhjetë e gjashtë shkoronjat e alfabetit e thoshte disa herë në ditë.

Shpresa u lind në 10 qeershor të vitit 1930. Pati katër vëllezër (Dashamirin, Muratin, Skënderin, Haxhiun) dhe një motër, Nebon. Të gjithë të shkolluar, me kulturë familjare e qytetare.

Veçoj mes tyre atë që kam njohur më mirë, të respektuarin Skënder Mulla, ish mësuesin e drejtorin për shumë vite të gjimnazit të Konispolit.

Skënder Mulla ka qënë nga iluministët më të shquar të qytetit të Konispolit e rrethit të Sarandës.

Ja pra, sa i drejtë është për Shpresën proverbi popullor:

"Tek rrjedh, do pikojë".

Portreti shpirtëror i saj u lind dhe u plotesua pikërisht në këtë familje me shumë cilësime pozitive.

 

Shpresa punën e lodh

 

Pas shkollimit profesional Shpresa bëri punë të ndryshme në jetë. Fillimisht punoi për gjashtë vite në rrobaqepësinë e Delvinës (1952 - 1958). Ishte martuar me Daut Mehmet Jahaj nga një familje fisnike e Konispolit (1952). Duhet thënë se e pati vështirë të punësohej pasi kuçedra e luftës së klasave e kishte të dënuar politik vjerrin, ndërsa i ati ishte propozuar për t'u shpallur kulak. Për të nisur punë u ndihmua nga njerëzit e fisit të së ëmës (Ballacajt dhe Çuçajt).

Pas vitit 1958 punoi si magaziniere, shitëse e në fund arkëtare në Ndërmarrjen Tregtare të Konispolit. Doli në pension në vitin 1981.

Çdo punë e respektoi dhe e kreu me vetëdije të lartë deri në sakrificë. Asnjëherë nuk refuzonte të kryente më shumë nga sa i takonte. Myfit Bejzati për këtë cilësi, thoshte vazhdimisht e kudo duke thithur çibukun e tij të famshëm:

- Ne të tjerëve puna na lodh, Shpresa e lodh punën se s'di të pushojë.

Gjithë ata me të cilët punoi i deshi deri me përkushtim, por edhe ata ia vlerësuan shumë pozitivitetin dhe mirësitë që gëzonte e shfaqte në marrëdhënie me të tjerët.

Shpresa nuk i vlerësonte njerëzit nga fjalët për punën që bënin apo vështirësitë e pozicionit që kishin në hierarkinë e ndermarrjes. Të parën shihte pasojën, pra veprën e realizuar. Në besedat me shoqet gjatë vizitave apo kafeve, për ndonjë që të lodhte me fjalë për sakrificat vetiake, ajo thoshte me lezet:

- Mos e lidhni punën me atë që flet shumë se puna mbetet e fjalët i merr era.

E mandej duke nënqeshur shtonte:

- Secili e mat punën me metrin e tij, tjetri ta mat me metrin e vërtetë.

Për ata që kanë punuar me Shpresën është i njohur fakti se asnjëherë nuk largohej nga puna pa e mbaruar plotësisht çka e sa duhej. Për atë nuk kishte rëndësi orari, por mbarimi i punës së ditës. Ruhan Omeri i thoshte me humor miqësisht:

- Shpresa pusho pak se puna është si nana e si njerka: të mba, por edhe të ha!

Dhe ajo ia kthente duke buzëqeshur:

- Unë dëgjoj vetëm të parën vëlla, të dytën s'e kam njohur.

 

Mëso për vete, jo për mua...

 

Shpresa pati një lidhja e shkurtër bashkëshortore ('52 - '56). Për këtë segment të jetës së saj përshtatet realisht paradigma e vërtetuar në shekuj:

"Tek njeriu pas lumturisë vjen dhimbja e pas dhimbjes lumturia".  

Nga kjo martesë ajo pati dhuratën më të çmuar të qënies dhe gëzimin më të madh të jetës, birin e saj. Shkëlqimit iu përkushtua si një amë hyjnore e mitologjisë. Me djalin e vetëm në duar, ishte e bindur se po plotësonte ëndrrën më të bukur të femrës, mëmësinë dhe vijëmësinë.

Dhe fati ia zgjat dorën guximtares. Shpresa me ngulm bëri kujdes të skajshëm për edukimin e virtyteve tek i biri.

- Po pata fëmijën në udhë të Zotit, s'pyes për pasurira e fatin e shortit, thoshte.

Shkëlqimi u rrit si djalë shembullor larg çdo lloj vesi e mungese. Këtë e shfaqi dhe e shfaq ngaherë  në familje e shkollë, në punë e shoqëri.

Shpresa (dhe Skënderi) me shumë përpjekje për rrethanat e kohës, mundën ta arsimonin si mjek stomatolog.

Ajo nuk përtonte ta porosiste vazhdimisht djalin e saj. Përmes tyre u bë një përcjellëse e pabujshme e këshillave jetësore. Ato edhe sot i vinë në vesh të qarta dhe të vlera Shkëlqimit:

- Mëso për vete, jo për mua, përpiqu të jesh i parë jo vetëm në shkollë, por veças në punë...!

- Atë që ke inat, thuaj të pafsha pa punë...

- Puna s'ka turp, vetëm të nderon...

- Punët e mira mos i flliq me fjalë të pista...

Dhe Shkëlqimi shkëlqeu dhe shkëlqen jo vetëm tek shkolla që kreu e puna si dentist, por edhe me shoqërinë e miqësinë e tij të zgjeruar.

 

Urtitë e një gruaje të mençur

 

Shpresa u emocionua shumë kur biri i tha se pati njohur një vajzë  të bukur e plot vlera të cilën e donte. Vajza quhej Lumturi. Shpresa e deshi si vajzën e saj. Nusja e respektoi njëlloj si nënën e vet.

Nusja ashtu siç kishte emrin, atë edhe solli. E shtoi gazimin dhe lumturinë në familje. Shpresa u bë si me krahë kur çifti lindi fëmijën e parë, Julianën. Dhe kur erdhi në jetë edhe djali Kastrioti, asaj i këndoi zemra dhe iu mbush zemra plot hare.

Kujdesi i saj për edukimin e fëmijëve të djalit ishte shembullor. Edukata i mëson fëmijës jo vetëm udhën e jetës, po edhe ëmbëlsinë e gojës, përsëriste.

Veçanrisht vajzës Julit, i qëndronte si me çekan mbi kokë për t'i mësuar çdo gjë: edukatë, pastërti, kuzhinë, komunikim...

Ja disa nga shprehjet e Shpresës që fëmijëve u janë nguitur në memorie:

- Çdo mëngjes ashtu si lan dorën, laj edhe gojën...

- Do ta kyçësh të ligën?... Mbaje gojën kyçur...

- Eshte me ujë deri në grykë e thotë dua ujë...

- Inati është dëmi i kokës e gazi i botës...

- Fshesa e vjetër i njeh më mirë qoshet e shtëpisë...

Juli dhe Kastrioti u rritën dhe u bënë ashtu siç dëshironte Shpresa: të dashur, të respektuar, të papërtuar, të virtytsjhëm...

 

Shpresa na buzëqesh që nga tutje...

 

Vdekja s'është zgjedhje. Vjen kur s'e pret dhe kur nuk e di. Ajo qëndron misterioze dhe e frikshme tek nënvetëdija jonë instiktive. Dhe njerëzit qëndrojnë tek stereotipi shekullor:

- Çasti i ikjes nga jetë është shënuar në librin e qiellit nga Zoti.

Antikët besonin pak më ndryshe. Ata thoshnin se ishte e paracaktuar nga hyjnitë e Tomorit a Olimpit apo maleve të tjerë të shenjtë të Globit.

Por me Shpresa Jahaj (Mulla) ndodhi ndryshe. Ajo, ashtu si Amat antike, e zgjodhi dhe e caktoi vet ikjen e pakthyeshme. Iku kur s'duhej të ikte pasi nuk kishte as moshën, as mungesën. Megjithatë, ishte zgjedhja, miratimi dhe vendinmi i saj i prerë.

Qe data 6 korrik e vitit 1988.

Domosdo, familja u step dhe u hidhërua me dhimbje kulmore. Mikeshat, shokët e të njohurit ndien dhimbje në shpirt për këtë ikje të beftë të Shpresës së dashur e të respektuar nga të gjithë.

Qindra pjesëmarrës e përcollën në banesën e përjetësisë. Atje është dhe do të jetë.

A e keni vërejtur...?

Shpresa na buzëqesh që tutje sapo hymë ne Varroshen e Qytetit tonë të Konispolit...

Comments


bottom of page