Venera Llunji*
(pjese nga studimi i saj )
Apologji e çështjes shqiptaree Masar Stavilecit1 dhe Mosmarrëveshja e Kadaresë2 janë dy vepra të shkruara në kohë, në rrethana dhe në hapësira të ndryshme, por të cilat përkojnë me njëra-tjetrën për shqetësimet e mprehta që ngrenë për popullin shqiptar. Përderisa i pari (Stavileci) ngre shqetësimin për gërryerjet nga jashtë dhe nga brenda si pasojë e moskoordinimit të brendshëm për interesa madhore, i dyti (Kadare) ngre shqetësimin për “gërryerjet” nga brenda nga vetë shqiptarët.
Stavileci duke shkruar në kohën e para luftës në Kosovë (1999), ngre shqetësimin për dëmtimin zhvillimor kombëtar, shpirtëror, moral e psikik të trupit gjithëshqiptar si pasojë jo vetëm e vërsuljeve të huaja shoviniste, por edhe e oligarkisë dhe paaftësisë së klasës politike e intelektuale të shqiptarëve që, në gjendjet dramatike të popullit tonë, të tejkalojnë vetveten duke lënë prapa interesat e ngushta meskine politike dhe të afrojnë trungun e ndarë shqiptar. Ndërsa, Kadare (2010) ngre shqetësimin për pasojat se si disa individë gërryejnë vlerat identitare dhe shpirtin shqiptar. Ndonëse të shkruara në kohë e rrethana të ndryshme gjeopolitike, të dyja veprat përkojnë në shqetësimin që ngrenë: ruajtjen dhe forcimin e integritetit fizik dhe shpirtëror shqiptar.
Shqiptarët në udhëkryqin ballkanik
Shqiptarët në udhëkryqin ballkanikTë ndodhur në një udhëkryq të rëndësishëm gjeopolitik e gjeokulturor ku historikisht janë përplasur edhe perandori, shqiptarët u kanë rezistuar pushtimeve të huaja ndonëse jo pa pasoja. Pasoja më e madhe, e cila gradualisht po pranohet nga historiografia, është se në dallim prej fqinjëve përreth, shqiptarët janë ndodhur të vetmuar, si një “djalë i vetëm” ku përplasja ndodh për interesa të mëdha me familje me “shumë vëllezër”. Të qenit të vetmuar në Ballkan, “pa krah”, ka bërë që pasojat e pushtimit te shqiptarët të jenë më të shprehura, përfshirë edhe ndarjen e kombit në tri konfesione fetare.
Por, rezistenca dhe më vonë largpamësia e rilindësve, ka bërë që shqiptarët ta ruajnë identitetin e tyre etno-kulturor, të kultivojnë dhe të zhvillojnë, madje, më pas, të krijojnë edhe komb-shtetin e tyre, por të mbeten si komb në dy apo më shumë njësi shtetërore. Lëvizjet politike, sociale dhe kulturore të rrënjosura në konceptet e etnicititetit apo ekzistencës kombëtare, e kanë formësuar botën tonë bashkëkohore. Lojaliteti dhe krenaria e një kombi duke mbjellur besimin se vendi (shteti) i tyre është i rëndësishëm dhe se identiteti i tyre edhe individual është i lidhur ngushtë me vendin e tyre, i bën të gatshëm të bëjnë çmos për të, duke besuar se kombi i tyre është më i rëndësishëm dhe më rezistues se fuqitë e cilitdo pushtues.
Pra, kemi të bëjmë me nacionalizmin për të cilin është shkruar shumë.Madje, janë dhënë edhe përkufizime dhe mendime nga më të ndryshmet, si përkrahje për kombin nga pjesëtarët e atij kombi apo edhe si ”ideologji, sentiment, lëvizje”3. Megjithatë, zhvillimi i shpejtë ekonomik ndërkombëtar, zhvillimi i teknologjisë së lartë dhe i mediave mund të jenë ndoshta vetëm përpjekje për ta kapërcyer nacionalizmin klasik dhe radikal, sepse edhe Smith argumenton që globalizimi nuk mund t’i bëjë kombet ta humbasinndjenjën nacionaliste, meqë njerëzit, sipas Smith-it, kërkojnë “qëndrueshmëri dhe kuptim në erën e ndryshimeve të papara dhe kthehen te trashëgimitë e tyre etnike”4.
Disa studiues, duke bërë përpjekje të mos e gjykojnë idenë e nacionalizmit, e konsiderojnë atë si e drejtë e kombeve për vetëvendosje. Robert Wiebe në veprën e tij “Who We Are” e analizon zhvillimin e nacionalizmit dhe paraqet lidhjen e nacionalizmit me forcat e tjera të cilat e kanë formësuar botën moderne, duke e përkufizuar nacionalizmin si “dëshirë të popullit që kanë të përbashkët një trashëgimi dhe fatin të jetojnë nën qeverisjen e tyre, në tokën e shenjtë të historisë së tyre”5.
Sot, identiteti kombëtar mbështetet në ndjenjën e përkatësisë së një kombi specifik, i pajisur me: simbolet e veta, traditën, vendet sakrale, ceremonitë, heronjtë, historinë, kulturën dhe territorin. Megjithatë, duket se globalizimi po përpiqet ta ndryshojë këtë kontekst. Shumë shtete po përjetojnë sfidën e tyre të madhe në krijimin e shoqërive të ashtuquajtura me “identitet pluralist” përballë “identitetit kombëtar”.
Frika e tyre se ndoshta një përpjekje e tillë do të dështojë,është me bazë. Prandaj, nacionalizmi si politikë shtetërore ose si ideologji kombëtare lë hapësirë për mospajtime dhe për kundërshtime. Edhe sot, nacionalizmi dhe etniciteti janë pjesë e tërësisë së një identiteti të caktuar dhe të mbrojtur si në luftërat politike, ashtu edhe në ato sociale. Shqiptarët, mjerisht, gjatë historisë së tyre, gjithmonë janë përballur me nacionalizëm agresiv dhe shovinist të pushtuesve dhe të agresorëve të ndryshëm, duke përjetuar kështu ndarjen e kombit dhe pazarllëqet me trojet e tyre.
* MEd. Venera Llunji PhD Cand., ligjëruese në Universitetin AAB, Prishtinë. venerallunji@hotmail.com
Comments