Nga Pajtim Çaushi
Është krijuese prishtinase. Femër e ciltër dhe e dashur, e afrueshme dhe mirëkuptuese.
Tejet e sinqertë në komunikimin miqësor dhe letrar.
Shqipja, kjo krijuese e fjalës së bukur shqipe, s'është vetëm poete, por edhe autore dramash e pjesësh të tjera skenike.
Kjo autore e spikatur e Kosovës është jo vetëm origjinale dhe me prodhimtari të shumtë, por edhe e talentuar në drejtim të shprehjes së mesazheve e ndjesive me gjuhë të pastër e të figurshme.
Mendoj se tipari më shenjues për veprat poetike të autores është mendimi i qartë, i figurshëm, i thellë, meditues. Fjala e saj e mencur të vë në mendime dhe të inspiron larmi ndjesish
Në larushinë e ndjesive spikat krenaria e të qënit shqiptare dhe femër, dhimbja për të ikurit nga jeta qofshin këta të pushkës a të penës, gëzimi për celjen e një luleje simbolike, paralelja poetike me të shkuarën, ëndrra për ardhmëri më të mirë e të tjera.
Të gjitha këto e bëjnë poezinë e Shpipe Hasanit të mirëpritur për shumësinë e lexuesve të cilët e vlerërësojnë lart atë.
Ishte pjesëmarrëse e respektuar në veprimtarinë e Klubit të Krijuesve Jonianë të Sarandës të fillim tetorit '22 TRIREMA E POEZISË JONIANE.
Po botojmë një cikël poezish nga vëllimi MOS HESHT ZËRI IM i poetes Shqipe Hasani.
Babai
E di që je larg dhe më bën
Të vuaj, të kujtoj se cdo herë do qaj për ty
Cdo pranverë shkoj në Prapashticë
Të ta prek vendlindjen
Këputi ca degë lajthishë
T'i mbjellësh edhe në atë botë
Sepse te ne nuk ka ujë t'i ujitim
Nuk ka kohë askush t'i sharton
Nënës do i them: ti na ndihmo
Kur të bëhet ndërrimi i stinëve.
Edhe vëllezërve do i them
Vazhdoni punën ku babai e la
Aty ku fundi i rrugës
Ishte shtruar nga djersët e tij
Unë gjithnjë e njëjta që nuk harroj
Të vuaj, të qaj për ty
Ngaqë zëri yt ngaherë më vjen afër zemrës.
Dr Valbona Krasniqi
(nga cikli Mbretëria e ëngjëjve kundër Covid - 19)
Nëpër drita neonesh thirre orët e magjishme
Bebëzave të syve u ndale lotë ngushëllimi
Valës së lumit të hidhur
Ia ndale vërshimin e panjohur
Pa matur lodhjen preke lindjen dhe perëndimin,
Kodi i drejtësisë
.....
Mos u turpëro për lotin
Që sytë se durojnë dot
As për emrin e atyre që nuk meritojnë
As për ata që hudhin zjarre
Dhe ndezen mbi supe të pafajshëme
Heshtja dhe turpi s'njohin fjalë
Sot rri e koduar vetëm drejtësia
Në emër të atyre që bartin plagë
Të pashërueshme për lirinë e përditshme.
Ah Rozafë
Atë ditë kur muri ngrihej në këmbë
Rrezet e diellit që flenin në qetësi
Mëkatoheshin mbi Rozafën e dashur
Që nga ajo trashëgimi e lashtë
Disa Rozafa përcjellin me fatin tënd
Dhe veniten përherë.
Për hirë të kohës së padrejtë
Loti dhe eshtrat bëhen galeri skulpturash
Për hirë të ndjenjave qetësia e amëshuar
Ngritet nga rrëfimi i kobshëm
Pas rënies "ka vuajt se ka qënë burrëreshë"
E padrejtë të mashtrohesh
E pafajshme dhe rrënqethesëe
Flijimit nuk i humb gjaku kurrë.
Sot ende përzihet stinët dhe erërat
Diku dallohet drita diku errësira
Por Rozafat murosen pa mëshirë
Vetëm ta kujton
Se Amësia ka nderin dhe barrën e vet.
E mëkatshme e diela
Ti i njohe krushqit e dasmës sime
Që në një mesditë robërie më kanë lënë
Në oborrin e huaj mbi pluhurin e verës
Ku askush nuk kishte punuar kurrë një orë të tërë
As portën e plasaritur që hynin e dilnin mysafirë
Kur vajzëria ime e papyetur
Shrëngohej në trarët e shtëpisë
Dhe në rrugën e thyer prekte
Mjerimin e skajshëm nga gjinjtë
Por ende nuk ishte përmendur robëria e padrejtësive
Edhe fati nuk kishte vënë veten në anën time
E mëkatshme ishte e diela atë ditë.
Nëntorët e vjeshtës së përsëritur
E mora një enë prej dheu
Të ha një kafshatë buke thekre
Pa frikë nëse vonohem edhe 100 vjet
Për të mbërri tek themeli i shkronjave
Ta thërras nanë loken
Së bashku të pijmë ujin
Tek celin lulet me britma triumfi
Të flasim në log plisash për besën dhe emrin
Që m'u trashëgua para shekujve të thinjur.
Nuk do të ndiej lodhje aspak
Atëherë kur erërat e mocme ma fërfëritin
Fustanin e kuq me gërmadha të lashta
Si një martire mes nëntorëve të clirimit
Ta takoj fisin e gjakut tim
Që shpallën vdekjen e mëkatarëve
Që dikur ma përbuznin gjuhën
Si nëpër shpatë të ndryshkur
Por retë e kuqe nuk u dëshpëruan asnjëherë.
Eh gjuha ime që shuan etjen
Mos m'i përmend klithmat e shputave të harruara
Se shpirti më djeg
Për lulet e bardha që m'i shkelën pa mëshirë
Derisa sofrën e lirisë, vara në gozhdë të kullës
Një diell mbi vjeshtën e përsëritur
Vezullon përtej kufijëve
Nga gjaku i popullit tim
Atdheu feston clirimin.
Comments