Nga Egon Loli
Shqipëria si destinacion turistik veror dhe dimëror, natyror, historik dhe kulturor nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi. Shqipëria si vend me peisazh natyror të bukur e të lakmueshëm për turistët vendas e të huaj nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi. Shqipëria e resorteve dhe infrastrukturës, të cilat synojnë të tërheqin turistë elitarë nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi. Le të gëlojë turizmi dhe të sjellë të ardhura të buxhetin e shtetit dhe te operatorët seriozë e të apasionuar në këtë treg.
Por modeli i zhvillimit të Shqipërisë nuk mund të jetë Dubai. Shqipëria nuk mund të heqë dorë nga çdo përmasë tjetër e zhvillimit shoqëror dhe të shndërrohet në një territor ekzotik ku jetojnë veç kamarierë, masazhatore dhe eskorta dhe ku vendi u takon prenotuesve në booking, prenotuesve të sallave, të vilave, të restoranteve, etj.
Shqipëria nuk mund të heq dorë nga çdo hallkë tjetër e zinxhirit të prodhimit dhe të shndërrohet ose në vendin e krahut të nënkualifikuar të punës ose në atë të konsumatorëve kompulsivë-obsesivë në strukturë piramidale.
Shqipëria ka nevojë të mbjellë e të korrë në fushat e lëna djerrë. Nuk lihet fusha djerrë për të ardhur në qytet dhe për të hapur kafe poshtë pallatit. Por kur kostoja është më e lartë se çdo investim, lihet, ndaj dikush duhet të ndërhyjë. Në vend se të marrë pataten e subvencionuar të Serbisë, duhet të lehtësojë prodhimin e asaj vendase në tokat e shkalafitura në çdo kuptim.
Shqipëria ka nevojë për një tjetër etikë të kapitalizmit, atë të kapitalizmit që investon. Që investon mbi të gjitha në burime njerëzore. Ka nevojë për etikën e kapitalizmit që ka durimin dhe vizionin të prodhojë specialistë të kualifikuar, inxhinierë, programues, etj, në nivel me vërsnikët e tyre jashtë.
Shqipëria ka nevojë të merret seriozisht me respektimin e ligjit që të garantojë siguri për investimet serioze. Investim serioz nuk është çuni xhajës që ia jep tokën për hotel. Është fabrika e prodhimit të pjesëve motorrike që s’të vjen se s’ke inxhinierë të kualifikuar për atë sektor dhe se toka ka 7 pronarë dhe 7 gjyqe.
Shqipëria nuk ka mjaftueshëm treg as për aplikacione programuesish, lere më për investime serioze, ndaj dikush duhet të ndalet në këtë çmenduri të rendjes pas parasë së shpejtë këtu dhe tani dhe të mendojë se ku dreqin po shkon ky vend. Mbase fakti që as bangaldeshasit nuk duan të qëndrojnë këtu, duhet të bëjë dikë të ndalet dhe të reflektojë.
Jam plotësisht i ndërgjegjshëm që edhe industrinë e shërbimeve turistike e kemi copë copë krahasuar me ata që duam të krahasohemi ne, por duke qenë se është më e lehta për t’u punësuar për shkak të kërkesave të ulëta për kualifikime, është më masivja.
Comentarios