top of page
Search

Shtetet e Bashkuara të Ballkanit...nga Tanush Çaushi

Tek po dëgjoj dhe shikoj sesi refuzohemi nga Europa, aq më shumë bindem se ka ardhur koha për një Ballkan të Bashkuar. Krahas Shengenit me tre shtete, duhet të kemi zgjerim të tij. Po e ripublikoj këtë shkrim si kujtesë për Ballkanin tonë të vuajtur. Ky Ballkan dhe kjo Shqipëri që e ndanë fuqitë e mëdha në 1913, midis tyre edhe parardhësit e Z.Macron.


“Isha ende i vogël pesë vjeç dhe po ecja me gjyshen përdore në Pyllin me Pisha përballë me Korfuzin. Ajo duke më shtrënguar fort me sytë e përlotur të ngulitur në horizontin përballë filloi më rrëfente:

-Më kujtohet kur isha e vogël dhe shkoja bëja Pazar në Korfuz bashkë me nanën time. Anës detit të Konispolit bënim edhe plazh bashkë me babanë. Na e morën më pas anën e detit dhe sot është e shkretë…

-Nane, pse ka det Konispoli? Kush na e mori?

Nana nuk u përgjigj fare dhe nuk mbolli tek unë farën e urrejtjes ndëretnike, këtë gjë po e kuptoj tani. ”


I ulur përballë hartës gjeografike të Ballkanit në memorien historike më vijnë ndërmend analizat e librave të historisë së Ballkanit, që dikur i kam bërë në shkollë. Imazhet më çojnë në ato kohë kur ballkanasit lëviznin nga një skaj i gadishullit në tjetrin nën petkun e Perandorisë apo vetëm me një pasaportë pa e ditur se një ditë toka e përbashkët do të mbushej me mure ndarës  kërcënues të quajtur kufi. Më tutje në udhëtimin në kohë pasaportat refuzohen dhe grisen me mëri shoviniste. Përgjatë tyre ushtri që garojnë e i tregojnë muskujt njëra tjetrës, samite që përfundojnë në debate e polemika për ndarje e shkëmbim territoresh, taksa kufiri të ekzagjeruar dhe mungesë bashkëpunimi ekonomik.


Mirë që politika dhe demokracia na paska ndarë, por nuk na bashkon as ekonomia dhe interesi vallë?


Për ironi kjo ndodh në tokën ku lindi qytetërimi i mirëfillte, arti, shkenca dhe demokracia.

Një nxënës i pafajshëm, me fshirësen e tij ka zhdukur kufijtë midis shteteve pa e ndjerë kohën kërcënuese kur jeton dhe pa kuptuar ka bërë faj të rëndë sipas të rriturve. Eh, për fajin dhe fajtorin është vështirë të bëhet peshimi! Në rastin konkret kush ka të drejtë nxënësi i sinqertë apo i rrituri inatçor? Ja, si ta marrësh? Mendja më thotë se vogëlushi është më pranë jetës dhe të vërtetës.


E ku nuk i shkon mendja të shkretit njeri! A mos vallë ka ardhur koha për një ndryshim të madh të zhdukim kufijtë të paktën nga tekstet që mësojnë brezat e tanishëm dhe të ardhshëm që të mos flasim më urrejtje në orët e historisë?!… Jam i bindur së për këtë që po them, do të anatemohem nga shumë gojë e mendje në gadishull, por mendoj se e ardhmja duhet parë në sy. Si është me mirë: brezave pasardhës t’u lëmë trashëgim urrejtjen apo humanizmin? Pra, le të mësojnë fëmijët që në klasat e ulëta se në Ballkanin e tyre s’ka gjithmonë urrejtje, por edhe dashuri e mirëkuptim.


Nuk e kam fjalën këtu për idera të kaluara për krijimin e Federatës së Ballkanit me sllavët në krye apo shqiptarët, por për një model si i Bashkimit Europian. Unë mendoj se tekste të tilla në të gjitha shkollat e Ballkanit do të krijonin një ambient më paqësor.

Ndonëse nacionalizmi është një rrymë e shekujve të shkuar që ka lindur në rrethana të tjera për arsye objektive apo subjektive të kohës , duket se ende popujt e Ballkanit zgjohen të tmerruar nga mitet dhe paragjykimet. Këto instikte atavike tashmë po rishfaqen në mënyrën alarmuese në gadishullin tonë e veçanërisht gjatë diskutimeve për njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndoshta truri politik i disa liderucëve ka mbetur në orët më të përgjakshme të historisë pa e kuptuar se sot po flitet për një rend të ri global, mbase atë të një shteti të vetëm botëror e kufijtë formale gjeografike nuk do të jenë pengesë absurde e një mase të ngurtë.

Por, nga ana tjetër nuk duhet që në emër të kësaj të lihen pezull çështjet reale të mbetura  nga e shkuara. Përkundrazi, zgjidhja e tyre e përshpejton këtë erë të re botërore. Hapi i parë i gjithë Ballkanit është integrimi në Europë do të thonin shumë analistë, por unë do të thosha që hapi i parë do të ishte një Ballkan pa kufi dhe me një politikë të re progresiste dhe jo paranojake, një politikë që të zhdukte racizmin dhe urrejtjen dhe ti ofronte mbarë tokës një shembull të mrekullueshëm sesi në vend të një ‘vullkani’ të mbushur me urrejtje po lind një ‘Tokë e Re’. Tek e fundit kjo është një ëndërr shekullore e mbarë ballkanasve. Unë mendoj se kjo nuk është thjesht një utopi, por një mundësi që duhet ta kuptojnë të gjithë brezat.


Po cilat janë ato çështje që në shqiptarët duhet të zgjidhim? Pa diskutim që janë të shumta dhe kanë në thelb padrejtësitë dhe orekset shovene. Megjithatë sot lind nevoja për mbarë politikën shqiptare e veçanërisht diplomacinë të mobilizohet me mjete moderne të kohës për zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe të largohet prej klithmave të pseudo atdhetarëve.

Procesi i evolimit dhe zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare ka kaluar në etapa të ndryshme në periudha të ndryshme historike , veçanërisht për problemin e tokave të komunitetit çam në Greqi. Dimensionet e hapësirës së zgjidhjes së problemit çam zgjerohen në proporcione të drejta me integrimin e Shqipërisë në BE. Natyrisht që të kemi nesër një dobishmëri të pritshme sa më të lartë sot është koha e punës intensive në mënyrë që integrimi në Europë të na gjejë sa më të përgatitur nga ana informative, propagandistike dhe ligjore për çështjen çame. Gërshetimi i së drejtës kombëtare me platforma bashkëkohore të hartuara mbi baza shkencore, shoqëruar me një sistem të fortë sinjalizimi informativ do të ngrinte në seriozitetin e duhur këtë çështje ende të pazgjidhur.


Në takimet diplomatike shqiptaro-greke duhet që të jenë në vëmendje edhe të drejtat e çamëve që ndodhen në Greqi, që sipas statistikave Greke janë rreth 150 000. Arsimimi i kësaj popullsie etnike shqiptare në gjuhën shqipe duhet të bëhet një realitet ashtu sikurse ne kemi marrëdhënie shumë të mira me minoritetin grek dhe ata kanë të drejtat e tyre të shkollimit në gjuhën amtare greke. Pra, të nxitur nga fryma e bashkëpunimit ballkanik dhe dëshira e mirë për marrëdhënie të shëndosha midis dy vendeve tona, duke lënë pas urrejtjen raciale ne duhet të kërkojmë të drejtat e shqiptarëve jo vetëm në Greqi por kudo ku ata jetojnë dhe punojnë.


Natyrisht, të ndërgjegjshëm dhe objektivë për rolin tonë modest në planin ndërkombëtar se nuk mund të ndikojmë në masë të mjaftueshme për zgjidhjen e kësaj çështjeje ,por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për rolin e faktorit shqiptar në Ballkan sepse është një faktor i rëndësishëm dhe aktiv. Roli i shqiptarëve në Ballkan në bazë të përllogaritjeve dhe zhvillimeve të fundit është vendimtar për stabilitetin e rajonit. Boshti i zgjidhjes së çështjes kombëtare në përgjithësi dhe asaj çame në veçanti duhet të mbështetet në mekanizmat e ligjeve ndërkombëtare, por ajo që politika e jashtme duhet të kuptojë është se pika reale e ekuilibrit ballkanik lëviz dhe kjo gjë duhet të sjellë ndryshime në qëndrime. Përderisa prona është e shenjtë sipas të gjitha ligjeve ndërkombëtare dhe e drejta e trashëgimisë është një ligj universal, atëherë lind nevoja te përdorim armët e reja të epokës moderne që janë ato diplomatike në vend të ekstremizmit. Nga ana tjetër, diplomacia greke në mënyrë të qëllimshme e anashkalon këtë problem të pazgjidhur.


Askush nuk duhet ta mitizojë ose ta përdorë këtë problem për konflikte ballkanike apo urrejtje ndëretnike, por nga ana tjetër askush nuk duhet të luajë me interesat e një komuniteti tepër të rëndësishëm. Edhe këta banorë të lashtë të Tesprotisë së famshme kërkojnë nga Shtetet e Ballkanit që te mbrojë qytetarët e rinj dhe të vjetër të tij. Pra le ti zgjidhim të gjitha çështjet në kuadrin e një Ballkani të bashkuar, ashtu si zgjidhen në Bashkimin Europian i cili mund të bëhet modeli ynë i të ardhmes.

コメント


bottom of page