Nga Tanush Çaushi
Tashmë kanë kaluar muaj të tërë nga ngjarja e fundit sizmike, tërmeti i Nëntorit 2019.
Kur ngjarja kulmonte në jetën e saj, ekspertë të ndryshëm dhanë mendimin e tyre sesi duhej që të vazhdohej më tutje. Politikanët dhe qeveritarët më shumë se kurrë u bënë njësh me inxhinierët dhe “tani e tutje gjithcka do të rregullohej”.
Po cfarë ndodhi vallë me këtë cështje?
Fillimisht, për të gjithë ata lexues që kanë njohuri të pakta në fushën e sizmikës,
desha t'u shpjegoj disa gjëra të thjeshta:
Cdo shtet, nisur nga studimet që kryen, përgatit kode të projektimit dhe të zbatimit për ndërtesat dhe strukturat inxhinierike për një nivel të caktuar sigurie.
Pra, shteti shqiptar, nisur nga studimet shkencore i detyron projektuesit dhe zbatuesit që të projektojnë dhe zbatojnë objekte me 8 apo nëntë ballë sipas MSK 64.
Kjo do të thotë që apartamenti ku ju banoni ka një siguri të caktuar bazuar në kodet e projektimit në Republikën e Shqipërisë.
Tërmeti i 26 Nëntorit dhe niveli i riskut që ne kemi pranuar
Tërmeti i Nëntorit, zyrtarisht me vlere 6.4 shkalla Richter nuk ishte maksimumi i mundsshëm sipas shkallës së vlerësimit. Po ta konvertosh në shkallën Ballë, ai arrin në 8.4 ballë.
Maksimumi i mundshëm që ne kemi pranuar në projektimin e objekteve në Shqipëri sipas legjislacionit në fuqi është 9-ballë maksimumi, pra deri në afërsisht vlerën 7 të shkallës Richter.
Por sipas studimeve të shumta që janë bërë edhe nga studiues shqiptarë, rreziku për vendin tonë është më i madh sesa 7 shkalla Richter, ai shkon deri në 7.5 Richter. Dhe kjo vlerë mund të jetë edhe më e madhe sepse jemi në kushtet që nuk kemi bërë studime më të detajuara dhe investime në këtë fushë.
Dëmet e 26 Nëntorit ishin minimale në raport me pasojat që mund të sillte zbatimi i legjislacionit në fuqi. Ishte pikërisht vizioni i projektuesve dhe përgjegjshmëria që në shumicën e objekteve janë aplikuar normat europiane dhe hartat e përditësuara nga shkencëtarët.
Kjo, të dashur lexues na ka shpëtuar deri tani.
Çfarë ndodh nëse riskohemi me një fatkeqësi të tillë natyrore?...
Sipas ligjit në fuqi, askush nuk mban përgjegjësi sepse kaq është niveli i sigurisë që kemi pranuar për objektet tona.
Është ende në fuqi ligji i vitit 1980 edhe pse 4 sizmologë të njohur shqiptarë me në krye Sulstarovën kërkuan përditësimin e hartave të rrezikut sizmik duke e rritur sigurinë në 7.5 Richter.
Ajo që do të ndodhë me shtëpinë tuaj nëse kalohet risku sizmik do të jetë shembja e objektit dhe humbja e pasurisë dhe jetës suaj.
A nuk mjafton kjo për t'u alarmuar politika dhe shoqëria dhe për të sanksionuar norma të reja të sigurisë?!..
Çfarë pritet të ndodhë?...
Ndoshta do të jetë me pasoja tepër fatale për të gjithë ne që jetojmë nën një risk të tillë, por tërmeti është një ngjarje që propabilitetin e të ndodhurit e ka 1, pra ai do të ndodhë një ditë.
A po përgatitemi ne për ngjarjen e ardhshme, e cila mund të jetë më fatale se e ndodhura?
Unë mendoj që tashmë e kemi harruar 26 Nëntorin 2019 dhe kemi mbetur tek papagalli i humorit ku shkruhet:
“Pendët i janë rralluar,
flatrat i kanë rënë,
shumë fjalë ka mësuar,
po pak janë për të qënë!”
Nga del ky përfundim? Pikërisht nga fakti se nuk po shohim masa konkrete për t'u zbatuar ato që u premtuan.
Normat e projektimit sizmik janë po ato të vitit 1980.
Pyetjet e zotit Tërmet
Të dashur lexues, më e keqja nuk ka kaluar dhe nuk kalon asnjëherë. Ne kemi qenë dhe do të jemi vend sizmik me Risk shumë të lartë.
Zoti tërmet përsëri do të trokasë në dyert tona dhe nuk do të na pyesë shumë për fondet që po harxhojmë për qoka politikanësh. Përkundër zoti Tërmet do të na pyesë duke na kapur veshin apo frymën:
- Nisur nga paralajmërimi i fundit që u bëra a ndërtuat me rregulla të përditësuara anisizmike?
- A e ndryshuat legjislacionin e ndërtimit apo mbetet tek fjalë dhe mashtrimet?
- Meqënëse potencialet shkencore i keni dhe gjasme i pyetët a po kryeni studime për ngjarjen tragjike të tërmetit?
- A po përdorni pajisje shuarese antisizmike dhe modifikuese në ndërtesat e larta?
- A më moret seriozisht apo me hoka e tallje?
Do flasim përsëri dhe do shkruajmë me shpresën se dikush dëgjon zërin e shkencëtarit e të qytetarit të thjeshtë.
Si drejtues, jo si mashtrues...
Domosdo, ta dëgjojë dhe ta zbatojë si drejtues serioz dhe jo si kameleoni mashtrues! Kjo sepse:
Është koha dhe ka kaluar që të kujtojmë tërmetin dhe të investojmë edhe në studime të reja.
Është koha, ndonëse të vonuar, të vendosim në ligj edhe pajisjet antisizmike, siç jane shuarësit.
Është koha dhe po kalon që të mos harrojmë, por të kujtojmë viktimat e kësaj fatkeqësie natyrore.
Është koha, por jo si papagalli, të ngremë nivelin e sigurisë.
Është koha ta marrim tërmetin seriozisht duke paraparë pasojat e tij fatale…
Nëse do të bëjmë vetëm në vend numero, si kemi bërë deri sot, atëherë lufta jonë me termetin është e humbur ende pa nisur.
Comentários