top of page
Search

SHËN PJETRI NË HALL ME TRE ZONJA

SHËN PJETRI NË HALL.


nga Arqile Garo


Tre zonja që vdiqën të reja në moshë, b

tek derë e Shën Pjetrit presin, për “lëmoshë”,

pse atje, e dinë, s’ është vend për shakara,

Parajsa dhe Ferri janë aty, përpara.


Ndaj dhe rrinë të tria zhytur në mendime,

këtu fati i tyre ndahet për një qime,

këtu nuk pinë ujë, mashtrim e gënjeshtër,

e dinë mirë ato: Shën Pjetri është mjeshtër.


- Hajde ti e para, - urdhëron shenjtori,

me zë bubullues, gjëmoi korridori.

Nga frika, të gjorës, i kërcasin dhëmbët.

E zhbiron Shën Pjetri, nga koka te këmbët.


- Pa më thuaj xhane, veç mendohu mirë,

n’ atë botë, tët shoqi, i ke ngjeshur brirë?

Ja ke mbajtur nderin, vajte me të tjerë?

Dhe ajo kokulur – Po, nja dy tre herë!...


- Vetëm kaq?! – Po, Shenjt! – tjetra drithërohet,

teksa ndjek Shenjtorin që rri dhe mendohet!

- Meqë janë kaq pak, po tregoj mëshirë,

çelësin e Parajsës ta fal me dëshirë!


- Le të vijë e dyta! – flet me zë të zbutur,

tjetra hyn në zyrë me shpirt të këputur.

- Pa ulu atje dhe më thuaj mike,

burrit, n’ atë jetë, i ndenje besnike?


Me burra të tjerë, më thuaj ke vajtur,

apo ishe zonjë, e urtë, e përmbajtur?!

- E vërteta Shenjt është që dhe kam shkuar,

por përpara Jush bëj be: - Jam penduar!


Me sa burra shkova, tani s’ e mbaj mend!

Dhe po i kujtova, s’ janë më shumë se nëntë!

- Aha! Merr një çelës, edhe nisu vetë,

ta kalosh e lumtur, jetën në xhenet!


Ajo gjunjëzohet: - Të falem o Zot,

sytë nga mirënjohja iu mbushen me lot.

- Tjetra! – thotë Shën Pjetri dhe hyn zonjë e tretë,

me kurmin e bukur, me çapin e lehtë.


- Po ti, - flet Shenjtori dhe i bie drejt, -

pa rrëfeu mike, vetëm bëje shpejt!

Me tët shoq, na thuaj, kishit harmoni,

e ke tradhëtuar? – pa trego tani!


- Im shoq, o Shën Pjetër, ishte koqe e rrotës,

ndaj dhe unë dëfreja me burrat e botës,

kam shkuar me dhjetra, burra e djem të rinj,

pa pyetur ç’ ishin, të bardhë a të zinj.


- Ishe prostitutë? – Jo! Nuk merrja pare!

Hedh këmbën mbi këmbë dhe ndez një cigare.

- Je penduar zemër? – Hiç fare mor Zot,

burri që më dhanë, ish një copë idiot!


Dhe po të më ktheje për një jetë të dytë,

do t’ ja shkulja brirët t’ i kërreja* sytë!

- S’ më thua, si vdiqe? – Dëgjo, ka gallatë.

Ca burra, për mua, ziheshin një natë:


- Jo, do vijë me mua! - S’ ma merr dot me zor!

Kërciten koburet, hëngra një plumb qorr.

O Zot! Sa kam qeshur, siç po ta tregoj,

që i lashë hajvanët, thatë, me gisht në gojë.


Ndaj po ta them prapë: Hiç nuk jam penduar!

N’ atë jetë të shkurtër, unë veç kam jetuar!

Ra në hall Shenjtori, ecën nëpër dhomë,

nxjerr nga xhepi çelësin dhe thotë: - Pa të shomë!


- Ferr apo Parajsë, ku po shkoj xha Pjetër?

- Jo moj bijë, për ty, kam një zgjidhje tjetër.

Merre këtë çelës, pse je femër trime,

dhe nisu me vrap, primë* tek vila ime!


kërrej* dialektore – nxjerr, shkul diçka me rrënjë.

primë* - më prit.


shtator 2020



Comments


bottom of page