Nga Edi Rama
Dje Kosova firmosi një marrëveshje të re me Serbinë. Bukur!
Çdo komunikim, takim, marrëveshje drejt paqes përfundimtare, mes dy vendesh që e kanë mbaruar luftën mesveti, është në vetvete diçka pozitive. Të komunikosh me armikun nuk është asnjëherë e gabuar në vetvete; as në mes të luftës, kur kjo është e nevojshme dhe e mundur. E gabuar në vetvete është të mos komunikosh kur e kërkon nevoja dhe krijohet mundësia. Ndërsa të mos komunikosh e të mos takohesh dhe madje të predikosh të kundërtën, e të etiketosh si tradhëtarë ata që e bëjnë këtë, kur lufta ka mbaruar e kur armiku i deridjeshëm është fqinji i sotëm e i nesërm me të cilin ende s'ke mbyllur hesapet e paqes, kjo është jo thjesht e gabuar! Është e fajshme.
Nuk e kam dyshuar asnjë çast që do të vinte dita që Kosova do ta pranonte "Minishengenin" e ashtuquajtur - për mua është Shengen Rajonal, aspak "mini"! Më ka "lodhur" vetëm refuzimi i pafundëm, koha e humbur kot me shumicë, kompleksimi i dëmshëm i faktorëve racionalë në politikën e Kosovës; të cilët u strukën brenda guackës së absurdit të krijuar nga fansat e turbofolk-nacionalizmit provincial, që e futi Kosovën në një rrugë qorre defaktorizimi ndërkombëtar e ftohjeje me aleatët e saj më të mëdhenj, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë. Humbëm jo vetëm kohë e reputacion, me atë taksën e famshme që do gjunjëzonte Serbinë dhe që u kthye në gjobë e lojës së brendshme elektorale duke plagosur Kosovën, po humbëm edhe shanse që s'përsëriten në ndeshjen politike e diplomatike me Serbinë.
Them humbëm në numrin shumës, sepse unë nuk e ndaj dot Kosovën nga Shqipëria, sidomos kur vjen puna tek ajo ndeshje, ku autogolat e dy qeverive të mëparshme të Kosovës kanë qenë njëri më spektakolar se tjetri. Dhe ku Serbia u kthye në armë në duart e turbofolk-nacionalistëve të Prishtinës, që bashkë me ca aleatë gjysmagjela në Tiranë gjuanin ajrin, duke helmuar e çoroditur njerëzit medemek në mbrojtje të kufijve, po në fakt vetëm për të sunduar brenda kufijve! Asisoj Beogradi mbeti i pasfiduar realisht për të avancuar në procesin e normalizimit drejt paqes përfundimtare, ndërkohë që Prishtina u bë teatri i një lufte vulgare për pushtet, mes "patriotëve" dhe "tradhëtarëve", në daç atje e në daç në Tiranë. Çfarë humori i zi me njerëzit e sidomos me zgjedhësit në Kosovë!
E lexova me vëmendje marrëveshjen e nënshkruar në Zyrën Ovale dhe përtej kënaqësisë që u arrit, falë përfshirjes së Shteteve të Bashkuara - si edhe përtej lajmit fantastik të njohjes së Kosovës nga Izraeli (fort e rëndësishme e me rrjedhime potenciale shumë kuptimplota për ata që dinë ta lexojnë këtë fakt) - kam ndjesinë e hidhur të faktit se çka është firmosur dje, s'ka asgjë që nuk është pjesë e planit të kahershëm për Shengenin Rajonal, rrjedhojë logjike e procesit të Berlinit, ndërkohë që koha e humbur deri dje është rrënqethëse. Inshallah të ketë mbaruar me kaq vrasja e pamëshirshme e saj, po kam frikë se jo dhe inshallah ta kem gabim!
Ajo që në shqip u damkos me vite si tradhëti kombëtare, në anglisht u kthye brenda një dite në arritje historike. Lexova pikën e marrëveshjes ku flitet për një infrastrukturë tokësore që do të nxjerrë Serbinë dhe Kosovën në një port të thellë në Adriatik. Në Durrës i bie, sepse është llafi për atë rrugën Nish - Prishtinë - Durrës, që Saliu e ka pagëzuar si "rruga e turpit të tradhëtisë së Edvin Zografit"! Ajo rrugë ka qenë në tryezën e çdo raundi të Procesit të Berlinit, madje Albini pat kujtuar se dolën në shesh hartat e ndarjes së Kosovës, kur pa një foto nga Berlini ku ishte Kancelarja e Gjermanisë, Hashimi, Presidenti i Serbisë dhe unë duke parë vijën e asaj rruge mbi një hartë të Ballkanit Perëndimor! O Zot!
Tani hajde ma thoni, si të mos më kujtohet mua që kur Aleksandër Vuqiqi erdhi në Durrës pas tërmetit, m'u turrën e më bënë Esad Pashë që nxorra Serbinë në det, ndërsa sot që "Minishengeni" në tokë, det dhe ajër është bekuar në Shtëpinë e Bardhë, shumica e damkosësve përshëndesin marrëveshjen, madje edhe vetë puseta digjitale sb nuk bëzan(?)!
S'ka asnjë problem për mua personalisht kuptohet, e kam mësuar që në kësi rastesh, kur tregon me gisht hënën "patriotët" i turren gishtit! Po këtu ka një problem të madh, shumë të madh, me NE, Shqipërinë dhe Kosovën bashkë, ku i paguajmë kosto të tmerrshme politikës së poshtër të ca bajraktarëve hileqarë, këtej e andej bjeshkëve, të cilët për delirin e tyre të madhështisë dhe etjen e tyre për pushtet, helmojnë popullin papushim me gjuhën e urrejtjes, akuzat e përbindshme, shpifjet e pambarimta, duke pozuar si patriotë të zjarrtë e duke ndjezur përditë zjarrin e dasisë mes shqiptarëve! Dhe problemin e bën të madh fakti se rëndom në kurthin e gjuhës së këtyre hipokritëve të pafre, bien plot shqiptarë të sinqertë, të cilët një Zot e di se kur do t'a mësojnë erën e këtyre leckave të djegura, që i djegin kaq shumë energji dhe kohë të çmuar Kosovës, Shqipërisë, kombit shqiptar.
Më mirë vonë se kurrë thotë populli, dhëntë Zoti marrëveshja e djeshme të shërbejë për t'u kthjelluar e qytetëruar pak më shumë mjedisi politiko-mediatik dhe për t'u lehtësuar e pse jo, maturuar disi, ajo pjesë e opinionit publik që "u çmend" me sinqeritet prej keqkuptimit të madh të "Minishengenit". Për këtë mundësi të re kthjellimi e maturimi, duhen falenderuar miqtë e mëdhenj amerikanë dhe kryeministri i urtë e i vendosur i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili përmbylli me kurajo e sukses, një përpjekje të mundimshme të "tradhëtarit të kombit" Hashim Thaçi.
Ndeshja për njohjen përfundimtare vazhdon, urime edhe njëherë dhe paj Zotin, mendjen në vend herë tjetër!
🇽🇰🇺🇸🇦🇱
Commentaires