Nga Tanush Çaushi
Një nga ligjet e njohura të Mërf thotë: " Një gjë e nisur keq, do bëhet edhe më keq".
Sapo ndodh një tërmet, aksident në punë apo krim, dalin në pah arrestimet e menjëhershme spektakolare të përgjegjësve të nivelit të ulët, por asnjëherë nuk diskutohet për përgjegjësit e vërtetë. Debatet edhe të opinionistëve dhe analistëve fokusohen vetëm tek "fakir fukarai". Askush nuk flet për "Again".
Le të flasim pak dhe për "Again".
Nuk fokusohet debati publik tek rrënja e problemit, por tek "bishti i kavallit". Kjo ndodhi edhe për arrestimet e tërmetit, por edhe raste të tjera që kanë ndodhur në vijim.
Në mënyrë të natyrshme lindin shumë pyetje të rëndësishme që shtrojnë çështje që kërkojnë zgjidhje dhe që mendoj duhet të fokusohet debati publik:
- Sipas legjislaciomit të ndërtimit në fuqi është pikërisht Inspektoriati i Ndërtimit Urbanistik Vendor e deri ai Qëndror që janë përgjegjës për kontrollin e zbatueshmërisë së kushteve të sigurisë në punë. Ku ka qenë ky Inspektoriat, kur Investitorët e pallateve nuk lejojnë zbatimin e kushteve të sigurisë në punë? A duhet që ky institucion të prangoset dhe të dënohet se nuk ka kryer detyrën?
- A e kontrollon Inspektoriati zbatueshmerinë e kushteve të Sigurisë në Punë? A është ai përgjegjës për këtë gjë? Kush ja vuri në pah përgjegjësitë?
- Sipas legjislacionit për Drejtuesin Teknik, ai është thjesht një i punësuar pafuqi dhe rrogëtar dhe jo partner me ndërtuesin. Ndërkohë që kur vjen puna për llogaridhënie i kërkohet njëlloj. Ndërkohë Inxhinieri është i detyruar ti nënshtrohet kushteve të Ndërtuesit për hir të sigurimit të " bukës së gojës".
-E njëjta gjë dhe Supervizori dhe Kolaudatori. A duhet ndryshuar ky ligj? A duhet forcuar roli i Drejtuesit Teknik, Supervizorit, Kolaudatorit?
- Manuali Sigurisë në Punë është i papërditësuar që prej viteve 90. A duhet bërë me kushtet bashkëkohore? Pse nuk del në pah kush është përgjegjës për këtë? - A ka një Raport sa është zbatueshmëria e Kushteve të Sigurisë në Punë?
- Cilat janë masat që janë marrë nga Qeveria për të përmirësuar këto kushte? Po ligjvënësit? Pse nuk kryhet një analizë e thelluar për këtë çështje?
- A mban përgjegjësi qeveria, Ministria përkatëse për moszbatimin e kushteve bashkë me Drejtoritë nën varësi?
Si mund të jetë fajtor thjesht një specialist i pajisur me lilçensë, por i pafuqishëm me ligj dhe realisht të marrë vendime?
A duhet që i liçensuari të jetë i pavarur në vendimin e tij teknik? Kur nuk është i pavarur si i kërkohet llogari vetëm specialistit?
A duhet ndryshuar ligji për Drejtuesin Teknik, Kolaudatorin, Mbykëqyrësin?
Duke shpresuar se Analistët, Opinionistët dhe gazetarët të fokusohen tek Çështjet që çojnë tek zgjidhja e problemit dhe jo për " mustaqet e Çelos", shpresojmë që ligji i Mërf mos të vlejë në këtë rast. Le të fokusohemi si mund të përmirësojmë punën e Përgjegjësit të vërtetë dhe jo thjesht të marrim disa "koka turku" pa vlerë.
Comments