top of page
Search

Sikur bisedë me tërmetin...Pajtim Çaushi

... Mos ma vidh gjumin o ti që s'të njoh!... Nxjerr gjuhën e më tall: jam gjashtë ballë, jam shtatë ballë!

Ik ore, çbëhu e zhduku!... Humbu e gremisu në humbellat e poshtëvetes!...

Del natën si kukudh e më temb, më drithëron... Më vjen sipër si xhini dhe më puth e më copton!...

Qënien ma kaplon alarmi i beftë. Frikë... ankth... makth... Nga hauzet e trurit, si flutura të zeza, dalin dromca hijesh e pamjesh rënqethëse.

Ja nje ka, a si ka. Madhosh, qimosh, ziosh. Sytë si dollap.

Në funddet mbi këmbët kaba. Kurmi katana. Deti i rri ngusht. Unē atje, kruspull sa nje grusht. Mirë që s'më sheh se ndryshe do më bënte baltë me thundrat si tokmak. Eh, kjo është dëshira ime, se Kau i Zi i funddetit mē pati parë e ndier

- Pse dridheni e mblidheni si kuç,

Shkëlqesi?

- Kam frikë e ftohtë, o ka i zi.

- Pse, qënkam i frikshëm unë, Lartësi?

- Po tunde bishtin, mbi tokë nxjerr ujë të zi.

- Ah, s'ditkam që paskam kaq fuqi!... A mundem ta provoj forcën time Madhëri?

Unë thirra për ta ndalur, por britma më mbeti në grykë. Masa madhoshe tundi bishtin si litar e shkundi shpinën sterrë të zezë.

Deti ulëriu me piskama tmerri. Toka përkundej si një lavjerrës mishmashi. Tokë i thënçin se nuk dukej si e tillë. E deformuar dhe e gjymtuar: pa kokë, pa këmbë, pa krah, pa shpirt. Frymonte si plakē azmatike.

Po gjallorët e mbitokës ku gjënden vallë?

Qentë e lidhur angullijnë nga instikti i tmerrit dhe tendosen të këpusin zinxhirët. Qentē e palidhur, të zënë prej mikrobit të tërbimit, i përcjellin kuisjet shoshokut. Macet mbetēn të ngrira si piktura prehistorike. Minjtë si të droguar me droga të lehta, përfitojnë nga hutimi i maceve dhe dalin nga vrimat. Kuajt trokojnë si rekrutët prej komandës "në vend numero". Lopët pëllasin dhe shqyejnë sytë si petë tepsie...

Pra, gjithë gjallesat poshtë nivelit të njeriut bëjnë varavingo paniku dhe marrie.

Po njeriu, kreu i shkallares për nga dituria, si e priti levizjen e bishtit të Kaut të Zi?

Eh njeriu dhe njerëzit!

Vërtetë, u habitēn, u nemitën u lebetitën, u shtypën, por u ngritën dhe jetën nuk e braktisën.


Frag nga kap. I, vëllimi I i romanit KRYEMINSTRI I REVE

Comentários


bottom of page