top of page
Search

Skandali i Onkologjikut dhe jo vetëm..

Nga Silvana Begaj 


(Fatkeqësisht ky shkrim nuk i adresohet kurrsesi vetëm spitalit Onkologjik, por spitaleve shtetëror në Tiranë e rrethe.)



Do të doja të thoja se kanceri është sëmundja që do vëmendjen dhe mirësinë e familjes, shoqërisë dhe profesionistëve për të qenë gati të sfidosh vdekjen, por nuk e them dot!

Pangopësia e të betuarve të Hipokratit fatkeqësisht duket sikur i janë betuar Hipokritit dhe sillen sikur të jenë disa rrugeçër, gjobvënës ndaj hallexhinjëve që kanë fatin e keq të sëmuren.

I/e diagnostifikuari/a me kancer vuan nga gjendje pasigurie, ankthi dhe depresioni. Nuk është e lehtë ta dish se vdekjen e ke kaq afër dhe ti nuk ke mjetet ta luftosh. Dhe shëndetësia jonë e arrin më së miri ta sëmur më shumë duke i dhënë më shumë pasiguri e më shumë ankth e depresion.

Për këto Shteti ka qënë gjithmonë në dijeni pasi shtetarët nuk jetojnë në planet tjetër dhe se kanë mirë informacion për veten dhe familjarët e tyre zgjedhin spitalet jashtë vendit ose private duke mos cënuar ”zotërinjtë me këmisha të bardha dhe me çizme” që kanë në dorë jetën e njerëzve të thjeshtë.

Skandali i spitaleve tona fillon që nga kushtet ku muret janë të palyera, tualetet skandaloze, dyer që nuk mbyllen dhe disa insekte që dalin sapo mbyllen dritat. Të vdesësh nga neveria atje ku shkon për t'u shëruar!

Kush ka dyshime, pikëpyetje e ftoj të bëj një vizitë tek Hematologjia.

Mungesa e ilaceve në Shëndetësinë falas është thika që ka në shpatulla i sëmuri i cili paguan që tek roja e derës dhe deri tek shefi i departamentit, por lekë mjaftueshëm për ilace ska. Ilacet spitalore shiten me mik dhe me cmimin që vendos Shefi.

Shëndetësia falas që kushton jetë dhe kaq shtrenjtë!

Nuk dua ti quaj as kriminel se ofendoj grupet kriminale që kanë mirësinë shpesh të paguajnë për kurat e njerëzve ndoshta të panjohur.

Këta vrasës të pangopur që presin pacientët si klientë nuk duhen pranuar, duhen denoncuar dhe me ulërimë!


Në fakt në një situatë të ditur prej 34 vitesh vetë shteti duhet të ndërmerrte një aksion me dorë të hekurt për kontrollin e spitaleve, por shteti jonë nuk ka as kohë as mundësi për këtë...

Spak-u nuk ka nevojë të humb kohë me hetime të thella sepse është bërë aq i dukshëm ky maskarallëk sa askush ska denjuar të fshihet në veprimet e tij.

Mjekët e rinj ikin! Zgjedhin botën se nuk kanë vend në spitalet e korruptuara ku kanë zënë rrënjë me nipër e mbesa të drejtorëve. Ah se mos harrojmë "miqtë e partisë të specializuar në paaftësi profesionale, por shkëlqejnë në mitmarrje, korrupsion...

Por këto janë gjëra që ne i kemi ditur dhe i dimë, por kurrsesi sduhet ti pranojmë! Ngritja e zërit është detyrim sublim ndaj cdo të sëmuri në nevojë!

Deklaratat e shefes së Onkologjikut që mendova ti injoroj po i përgjigjem me një fjalë: Thashethemet si i quani Ju, janë veprime dhe pasoja cdo ditë në kurriz të të sëmurëve dhe familjarëve të tyre të prodhuar nga Ju dhe kolegët tuaj!

Kryeministrit Rama po i përgjigjem për deklaratën e ndritur që do të punësonin të huaj për menaxhimin e spitaleve:

Z. Rama perlat tuaja nuk kanë fund dhe të papërballueshme për një Shqipëri aq të vogël! Keni një mendje ekselente se si ta bëni që çdo gjë të duket e shkëlqyeshme nga jashtë!

Mbani dorën me shpenzime të të huajve se kemi boll profesionistë dhe të ndershëm në vendin tonë dhe leshojeni dorën që mbani kruspull për pajisjen e spitaleve me medikamentet dhe pajisjet e duhura!



Comments


bottom of page