top of page
Search

SONATA E INDULGJENCËS - opinion nga Zade Kuqi


Ngrihem e ec nëpër dhomë, vërtis mendimet e sytë nëpër libra e mbi dritare.

Një mizë, e zënë brenda xhamave të mbyllur, mundohet të dalë jashtë dhe ngadalë i hap dritaren, ndërsa kapton me rrëmbim hapësirën e ik atje, ku hedh dhe unë sytë me shqetësim. Si një lumë hekurishtesh tundet para - prapa masa e veturave, pothuaj ngjitur me njëra-tjetrën, ndërsa këmbësorët më ngjajnë me mizën që sapo iku nga dhoma jashtë.

Po lexoj Beketin...Sërish ngris kokën e atje tej ka shumë pamje të paqarta. Qentë vërtiten dhe pyes veten ç’po ngjanë? Re pa fund ecin poshtë e lartë dritares, pastaj re te veshura me një uniformë nuancash hiri, duke më bërë të ndjehem edhe më e humbur, nga sa jam. S’di ku t’i vendos mendimet, ku t’i hedh gjymtyrët, ku të struk shqetësimin e si të mbroj zemrën… Endem andej-këtej brenda vetes, duke kërkuar një vend të lirë, ose një vend të përshtatshëm e të mund të ndalem për pak momente, ashtu si bëjnë dallëndyshet në fluturimet e tyre të largëta mbi oqeane. “Endem andej-këtej brenda vetes”, sa po më dhemb kjo që më nxorri kështu mendja! Beketi është i trishtueshëm dhe i mërzitur, ndoshta pak me shumë se unë. Por ai jetoi në kohë dhe rrethana të tjera, ku gjethi kishte vlerë dhe mungesa e pluhurit në tru çmohej gjithmonë... Kishte rrethana sigurisht më të buta se këto ku po mbarojmë ne. Atëherë ende nuk kishin ndodhur kaq shume krime makabre dhe ai s’kishte parë një gjenocid të tillë, sikur kisha fatin e keq, pse pashë ato mbi popullin tim.

Krejt ajo që bëj nganjëherë gjatë ditës është të vlojë një gotë ujë e ta përziej me pak limon, sikur të ishte ndonjë hajmali shpëtuese, e cila ka udhëtuar gjatë e nga larg dhe që të vjen gjer tek unë të më shpëtojë nga e gjithë kjo monotoni! Nganjëherë zgjedh të mendoj dhe për dikë tjetër. Por ai ka dilemat e tij... Ka studimet e tij mbi mua. Ka nje varg analizash mbi mua dhe unë kam të miat, nga ana tjetër, mbi të. Kështu dalim të barabartë në fushen e analizave. Sikur kur hedh duart ne enët e peshores dhe dëshiron të matësh peshën… e kujt? Ҫudi si më lindi këtu ky ind humori! Ndoshta prirja ataviste e mbiekzistencës, një ligj i vetvetishëm i njeriut që, brenda mundimit nga barra e rëndë, i jipet të këndojë.

Shumicën e kohës jam e zënë dhe mundohem me çdo kusht të gjejë edhe mundësinë më të vogël për t’u ndjerë e lirë. Heret në mëngjes jam nën presionin e shtypjes që vazhdon gjithë kohën, jo vetëm gjithë ditën dhe gjithë natën. Bile edhe kur jam në gjumë, kam përshtypjen se ndjej të njëjtën trysni të shtypjes. Mizerje krejt kjo që ndodhë. Ҫ’të bëjë me mendimet e mia? Ato nuk më mjaftojnë për gjithë këtë katrahurë. Një lëmsh e shkatërrim. Zymtësi. Nuk di më çka më rrethon! Nuk di shteg, as portë, as besoj se shihet gjë nga gjithë kjo… Nuk dua të humb ndjesinë e kohës e kjo më shton trysninë edhe pak më shumë. Kështu nga mëngjesi në mbrëmje e nga mbrëmja në mëngjes sillem, si rreth një strumbullari. Është fundi i vitit dhe ka kaq shumë mashtrime me çdo gjë. Më duhet ta kalojë dhe këtë fazë me sa ma pak ngarkesa. Ëndërroj për dritën e diellit. Për butësinë e pranverës dhe mëshirën e jetës. Ëndërroj për këtë indulgjencë, sonatën e saj. Ëndërroj për fushat e dikurshme që i kisha aq pranë. Thuaja gjendesha brenda tyre, isha pjesë e tyre. Isha një trajtë që më vinte nga vetë ato e që më duhej të lëvizja, pa pra. Dhe ato nganjëherë kur udhëtoja me ndonjë veturë e që më ndodhte rrallë, derisa largohesha prej tyre dhe teksa i vështroja ngultas, kisha përshtypjen se dhe ato lëviznin me mua.

Ah, sa më tmerron kjo pamje hijesh të ligjeve aristoteliane mbi kohën! Ato më ndiqnin pas, por në një mënyrë të çuditshme. E sakaq ndaleshin dhe unë i vështroja tek i rrisnin pozitat e tyre te vjetra me mijëra vjet. Veç për ato, kaq shumë më merr malli! Për fushat dhe malet e mia. E kur i mendoj në detaje, kam dhe një farë lloj frike që më bezdis dhe shthurr. Më bëhet sikur kurrë s’kam qenë në to. Them se është një farë lloj iluzioni që e krijoj e ta shijojë ndjenjën e kënaqësisë. Megjithatë ato janë pjesë e ekzistencës time të dikurshme. Por, sado shumë që më merr malli dhe i dua, s’kthehem dot më, për këtë edhe të qenurit e dikurshëm në to më bëhet si diçka iluzore dhe, megjithatë, me shkakton një farë lloj pikëllimi.

Ҫdo ditë ngarkohem me bukë nga banesa në punë dhe nga puna në banesë, ngase shumicën e herave nuk ia dal ta mbllaçis asnjë kafshatë. Të tjerët rreth meje i shoh se si hanë të tri vaktet me rregull dhe bile përdorin me stil edhe lugët e pirunët. Unë begenis një harmoni të natyrshme. Ata nuk janë të lodhur, aq sa më shtyp mua barra. Vërtet nuk ndjehen kaq shumë të lodhur, sa unë, sepse i kanë hedhur prapa të gjitha. Pasoja e luftës së huaj mbi shkombtarizimin? Nuk i mundon brendia dezekuilibre e tyre? Ҫantën e krahut e kam të rënduar nga librat dhe fletët e mbushura me shkrime. Jo rrallë fus në të dhe ndonjë rrobë që më duhet ta përdor, në rast se më ndërron temperatura e trupit. Kam një të mallit që e kujtoj gjithë kohën dhe më rrëqeth… I pëlqen që unë ta mbaj si flutur funksionin e buzëkuqit.

Ka dhunti gati irracionale mbi artin e dashurisë dhe seksit? Nuk e di. Mua…sesi më lidhen duart, kur prek brekët, gjinjtë, buzët dhe afshi më nxit, por… jo nuk e kam afër e kur e takoj?…


Kam filluar të mësohem me dëshirat e tij. Kam filluar ta njoh atë që shoh në pasqyrë dhe po përparoj me duart e mia, rrobat e mia, klitorin e kohën time dhe po miklohem si bishë edhe nga ato dëshira të tij! Debatojmë bashkë për shumë tema, sa më kap nostalgji e fëmijërisë, ose kujtoj shkrimet e para. Kaq shumë më preken rrënjët! Më pëlqen ajo që më tregon, por unë jam ajo që e nis sherrin e para dhe e para shpaguaj mizorinë që gatuaj. Nganjëherë, tek ec rrugëve krah tij, kujtoj prapë që jam mes fushave të dikurshme ose sesi mbi supe i kam të ngarkuara ato male, dikur aq të njohura e aq të dashura nga unë që vrasin e brafullojnë prapë. Ndërsa ai mbanë dorën time të ftoftë në ngrohtësinë e zemrës së tij, unë kërkoj buzëkuqin dhe copëtohem të fluturoj sa më shpejt te ndonjë pjesë e veçantë dhome. Me këto mendime i afrohem banesës dhe Beketin nuk arrij ende ta shmang nga duart. Po lexoja dhe rrugës. Nuk di si paskam lënë dritat hapur! Kjo më kujton që po nis muzgu dhe unë ktheheshkam nga puna! Shoh dritaret dhe në ato dalloj dy nga fluturat e natës që kam mbërthyer në palat e perdeve. Di thesar figurativ të lashtë për fluturat e natës dhe kjo më bënë ti nxitoj hapat.



Comentarios


bottom of page