top of page
Search

Suedia dhe perspektiva e barazisë gjinore - opinion nga Gladiola Jorbus

Historia e zhvillimit shoqëror është shprehur për shekuj me radhë, në lidhje me rolin e grave në raport me shoqërinë apo me meshkujt, sikur ato të kenë qenë thjesht disa spektatore të papërfshira në shumë aspekte të jetës.


Edhe pse nëpër paragrafët e librave, emri “grua” nuk është përmendur shpesh, përveçse si objekt dëshirash, argëtues a dekorues apo synimesh me karakter abuziv e indinjues, AJO ka ditur të mbajë një pozitë të denjë në mjedisin familjar dhe më gjerë.

Ndër qeniet më të padukshme dhe më të margjinalizuara mund të numërohen: skllevërit, njerëzit me ngjyrë, të varfërit, gratë ; por realiteti qëndron ndryshe. Pavarësisht mungesës së dritës, ata kanë përbërë shtyllën kurrizore të njerëzimit: kanë ndërtuar, kanë shërbyer, kanë lindur jetën, kanë edukuar.


Në Suedi, historia e të drejtave të grave është e gjatë dhe ka jehonë të largët. Ajo është plot me ligje që u kanë dhënë barazi grave që nga shekulli XIX, në vitin 1842, kur gratë ishin të detyruara të shkonin në shkollë dhe të kishin kontroll mbi të ardhurat e tyre, edhe pas martesës. Po t’i referohemi figurës së gruas në Skandinavi, që nga epoka vikinge shekujt (VIII-XI), do të vëmë re se gratë kishin një status ligjor e shoqëror relativisht të lirë, në të gjitha vendet nordike. E ema, mbesa ose gjyshja nga ana e babait kishin të drejtën për të trashëguar pasurinë e një të afërmi mashkull. Në mungesë të të afërmve meshkuj, një grua e pamartuar dhe pa fëmijë mund të trashëgonte më tej edhe pozitën e kryefamiljares nga i ati ose i vëllai. Gruaja që mbante këtë status quhej “ringkvinna”. Ajo kishte aftësinë të ushtronte të gjitha të drejtat që i lejoheshin kryetarit të një klani familjar. P.sh., mund të kërkonte dhe të merrte gjoba për vrasjen e një anëtari të familjes së vet apo të një familjeje tjetër; kjo vazhdonte derisa ajo të martohej. Përmes aktit të martesës, të gjitha të drejtat do t’i transferoheshin automatikisht burrit.


Feminizmi në Suedi i ka rrënjët në shekullin XVII dhe është diskutuar nga qarqet më të mëdha intelektuale. Gratë kishin “të drejtë të kushtëzuar” gjatë epokës së lirisë suedeze (1718 – 1772). Të parat që gëzuan të drejtën e votës në nivel botëror ishin gratë suedeze të pamartuara. Ato duhet të kishin një nivel arsimor të caktuar që të mund të merrnin pjesë në zgjedhjet bashkiake. Një ndër femrat më të spikatura suedeze mbetet poetesha Hedvig Charlotta Nordenflycht. Ajo u ngrit kundër Rusoit, filozofit të famshëm iluminist, me poemën Fruntimrens försvar (Mbrojtja e zonjave). Edhe pse ishte një ithtare e tij, në momentin kur Nordenflycht konstatoi se cili ishte vizioni i Rusosë për gratë, admirimit të saj për francezin e famshëm i erdhi fundi.


Rusoi i kishte shkruar një letër H. Alembertit, një matematikan e filozof francez, në lidhje me një teatër që duhej të themelohej në Gjenevë. Në atë letër Rusoi pohonte se gratë nuk ishin në gjendje as ta kuptonin dhe mbi të gjitha, as ta bënin artin: ato nuk zotëronin "ndjenjën" dhe "pasionin përvëlues", aq të nevojshme për artistin. Rusoi ishte gjithashtu kundër pjesëmarrjes së grave në sferën publike dhe mendonte se njohuritë e tyre duhej të zbatoheshin brenda mjedisit shtëpiak.


Në sajë të poemës së sipërpërmendur lindi debati për rolin gjinor dhe barazinë gjinore. Ai u shndërrua në një nga temat kryesore të bisedave, diskutimeve a ligjërimeve. Që atëherë, Suedia mbeti vendi pararendës i barazisë gjinore, i udhëhequr nga një lëvizje feministe si teorike, ashtu edhe praktike. Në vitin 1920 kishte piloten e parë femër Elsa Andersson, në 1867 - infermieren e parë të trajnuar Emmy Rappe, në 1903 - farmacisten e parë Agnes Arvidsson, si dhe plot shembuj të tjerë.

Për më tepër, një tjetër figurë tejet interesante gruaje e këtij vendi është ajo e Christina Nilsdotter Gyllenstierna e Fogelvikut (1494 - 1559). Ajo i përkiste një familjeje fisnike dhe është një heroinë kombëtare suedeze. U martua me regjentin suedez Sten Sture, dhe drejtoi me guxim rezistencën suedeze kundër Christian-it II të Danimarkës pas vdekjes së bashkëshortit të saj. Asaj i njihet merita e veçantë si mbrojtësja e Stokholmit, në lidhje me përpjekjen e mbretit të lartpërmendur për të pushtuar qytetin në vitin 1520. Një tjetër fakt i pakundërshtueshëm është se pozicioni dhe të drejtat e grave në Suedi janë prekur nga kultura, feja dhe debatet shoqërore. Gjithashtu mbi to kanë ndikuar ndjeshëm lëvizja e fortë feministe si dhe ligjet që kanë ndryshuar disa here, përgjatë konsolidimit të historisë së Suedisë. Vitet e para të shekullit XX ishin vendimtare për luftën mbi të drejtat e gruas dhe u nënvizuan nga lëvizjet feministe të organizuara nga partitë politike. Gjatë këtij shekulli u aprovuan leja e lindjes, të drejtat e barabarta brenda martesës dhe e drejta universale e votës.


Por rrugëtimi vazhdonte. Në vitet 1920 - 1970, gratë pa fëmijë filluan të parat të luftonin për paga më të larta dhe ia arritën qëllimit. Me kalimin e kohës, gratë po pretendonin të kishin mundësinë që të ushtronin të gjitha profesionet në shoqëri. Brenda vitit 1979 u ligjëruan përdorimi i kontraceptivëve, aborti dhe barazia gjinore. Përveç kësaj, Suedia ishte vendi i parë që paraqiti lejen e lindjes për etërit. Në ditët e sotme, ajo pozicionohet si një nga vendet me pjesëmarrjen më të lartë të grave në tregun e punës, të pozicionuara kryesisht në arsim dhe shëndetësi, megjithëse prania e tyre në vende drejtuese konsiderohet ende relativisht e ulët.



Në sferën politike, sipas një renditjeje të zhvilluar më 1 korrik 2019 nga IPU-ja (Organizata Ndërkombëtare e Parlamenteve e themeluar në vitin 1889), zbulojmë se përqindja e grave të ulura në karriget e institucionit legjislativ në Suedi është 47,28 %. Në Senatin Amerikan ndërkohë, kjo shifër është më e ulët. Vetëm 23.7% janë kongresmene femra.

Pavarësisht nga ky fakt, fusha të tilla si ekonomia apo marrëdhëniet me jashtë, kudo në botë mbeten të mbisunduara nga meshkujt. Duhet ende kohë për të arritur një pjesëmarrje sa më të lartë të grave në sferat e ndryshme të jetës, por Mbretëria Suedeze është vendi që afirmon dhe krijon ligje për të arritur barazinë, duke u shndërruar kështu, në një perspektivë të shkëlqyer për gratë dhe të drejtat e tyre.

Komentáře


bottom of page