top of page
Search

Sylvia Plath – poetja tronditëse e shekullit XX

Nga Gladiola Jorbus


Sylvia Plath ishte një poete, noveliste dhe shkrimtare amerikane. Ajo ka lëvruar zhanrin e poezisë rrëfyese dhe është e mirënjohur për vëllimet e botuara, ‘Kolosi dhe Poemat e tjera dhe Ariel’ si dhe ‘Kavanozi i ziles’, një roman gjysmëautobiografik i botuar pak para vdekjes së saj.

Në 1982, ajo fitoi çmimin ‘Pulitzer’ pas vdekjes për Poemat e Mbledhura.

Lindur në vitin 1932 në Boston, Masaçusets, Plath studioi në Kolegjin Smith dhe në Newnham College në Kembrixh, Angli. Ajo u martua me poetin anglez Ted Hughes, me të cilin fillimisht jetuan në Shtetet e Bashkuara, e më pas në Angli. Sollën në jetë dy fëmijë, para se të ndaheshin nga njëri - tjetri.

Sylvia Plath ishte një nga poetet më dinamike dhe të admiruara të shekullit XX. Vepra e saj tërhoqi vëmendjen e një numri të madh lexuesish, të cilët konstatuan në vargun e saj njëjës, një përpjekje për të përshkruar dëshpërimin, emocionin e dhunshëm dhe obsesionin me vdekjen.

Në revistën e librit në New York Times, Joyce Carol Oates e përshkroi Plath si "një nga poetet më të famshme dhe më të diskutuara të pasluftës që shkruajnë në anglisht." Intensivisht autobiografike, poemat e Plath-it hulumtojnë ankthin e saj mendor, martesën e saj të trazuar me poetin Ted Hughes, konfliktet e saj të pazgjidhura me prindërit dhe vizionin e saj për veten.

Sylvia shkroi për natyrën, ose për kufizimet shoqërore të individëve, duke e zhveshur poezinë e saj nga penelatat zbutëse. Përkundrazi, përmes procesit të të shkruarit, ajo shprehu frikën parësore, kontradiktat, tensionin. Poezitë e Sylvia Plath i nënshtrohen imagjinatës së egër, të lënduar, hedhin imazhe dhe fraza me energjinë e një kali të arratisur.

Në veprën e Plath-it vërejmë përdorimin e paqartë të teorisë psikoanalitike dhe kjo na fton të rivlerësojmë lidhjet e vendosura nga kritikët midis poezisë rrëfyese dhe psikanalizës. Përcjellja e vetvetes, kufijtë e kujdesit të të folurit dalin në pah në poezitë e saj, të cilat lexohen në formë sipërfaqësore, madje duket se ilustrojnë teoritë e Frojdit.


Sylvia Plath nuk e përdor psikanalizën thjesht për të hetuar thellësinë e pavetëdijes së saj. Prania e këtij ligjërimi dëshmon interesin e saj të përjetshëm për për të strukturuar veten.

Referencat e shumta ndaj miteve, përrallave dhe folklorit në poezi të mbështetura fort në teorinë psikoanalitike, sugjerojnë se kjo e fundit nuk është, veçse një nga shumë format narrative mbi të cilat Plath-i modelon imazhin e psikikës së saj.

Kjo mënyrë i siguron asaj një mori personazhesh dhe embrionesh narrative të cilat ajo i përdor si pikënisje, duke i lakuar konceptet frojdiane sipas qëllimeve të veta. Psikoanaliza është kthyer në kokën e saj pasi tallja-hermeneutike (metoda e interpretimit të tekstit) e Plath-it vë në lëvizje metaforën dhe identifikimet shtrembëruese të cilat nuk i japin qasje tjetrit, por e kthejnë atë në një krijim letrar.

Plath pyet veten nëse përpjekja e saj për përsosmëri vallë a do të sjellë ndonjëherë fryte dhe a do të shfaqet së jashtmi:


‘Kurrë, kurrë nuk do ta arrij përsosmërinë që dëshiroj me gjithë shpirt - pikturat e mia, poemat, historitë e mia - të gjitha pasqyrime të dobëta ... Shkrimi është dashuria e parë e jetës sime. Unë kurrë nuk mund të jem një shkrimtare e ngushtë dhe introverte, ashtu si janë shumë të tjerë, sepse shkrimi im varet aq shumë nga jeta ime.

Plath-i ka vuajtur nga depresioni gjatë pjesës më të madhe të jetës së saj dhe i është nënshtruar terapisë elektrokonvulsive (ECT). Fundi i saj qe tragjik. U vetëvra. Ajo që e shtyu Sylvia Plath (vajzën e profesorit emigrant gjerman Otto Plath) drejt vdekjes ishte e dhimbshme, por e qartë për psikiatrin e saj: depresion klinik.


Nga ana tjetër, pasi poetja e mrekullueshme, kreu vetëvrasje më 11 shkurt të vitit 1963, miqtë, adhuruesit dhe biografët e saj ishin të etur për të fajësuar dikë për këtë tragjedi, një zuzar prej mishi dhe gjaku. Më potenciali ishte bashkëshorti i saj poeti Ted Hughes, i cili e kishte braktisur Sylvian dhe dy fëmijët e tyre të vegjël për të dashurën e tij Assia Esther Wevill.

Përkthyesja gjermane, u kish shpëtuar nazistëve në fillim të Luftës së Dytë Botërore dhe kishte emigruar fillimisht në Palestinë, e më vonë në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo përjetoi një lidhje 6-vjeçare me poetin Ted Hughes, por vrau veten dhe vajzën e tyre katër vjeçe Shura duke përdorur një furrë me gaz, vdekje e ngjashme me vetëvrasjen e gruas së parë të Hughes, Sylvia Plath.


Fakti që dhe Assia kreu vetëvrasje pas gjashtë vitesh në të njëjtën mënyrë si gruaja e tij, Sylvia duke lënë hapur gazin e sobës, vulosi fajësinë e Hughes. Në një letër drejtuar mikut të tij të ngushtë Lucas Myers, T. Hughes reflekton nga ana e tij për vdekjen e dy grave që deshi. Në letër rrëfen se për vdekjen e gruas së tij, Sylvia Plath, shkaktare ishte "vendosmëria e tij e sëmurë", ndërsa në rastin e së dashurës shkaktare ishte "pavendosmëria e tij e sëmurë".

Martesa midis Plath dhe Hughes u shtri në vitet (1956 – 1963). Ajo konsiderohet si një nga martesat më të shqyrtuara e detajuara, në historinë e letërsisë së shkruar në anglisht.

Gjithsesi, poetja amerikane Sylvia Plath (jetës së të cilës i është kushtuar filmi ‘Sylvia’ një prodhim i vitit 2003, interpretuar nga ylli hollivudian Gwyneth Paltrow), edhe pse jetëshkurtër, ka lënë gjurmën e saj të pashlyeshme në botën e letrave.

Comments


bottom of page