"Mami, mund të vesh takat e tua të lutem?".
A ju tingëllon e dëgjuar kjo pyetje?
Të gjitha nënat që kanë vajza hasen pothuajse çdo ditë, me prirjen e tyre për të veshur këpucë me taka të larta. Vërtet që këpucët e mamit mbeten ëndrra e çdo vogëlusheje!
Në fëmijërinë e secilës syresh ka një periudhë, kur ajo s’lodhet së lozuri me takat e larta të nënës së saj. Madje, ky është një nga argëtimet më të mëdha.
Unë jam e sigurtë se të gjitha vajzat i kanë veshur, qoftë edhe tinëzisht këpucët e nënës dhe kanë ecur me to nëpër shtëpi. Në këtë mënyrë shpresojnë se mund të rriten më shpejt që të veshin më në fund, takat e tyre të larta. Sepse takat janë një armë e fuqishme e gruas! Në fakt, këpucët me takë të lartë janë njëlloj të rëndësishme sa kozmetika për femrat, edhe pse jo e aplikuar në fytyrë. Ato përbëjnë një vlerë të shtuar në asetet e bukurisë, përforcojnë vetëbesimin, ushtrojnë aq shumë influencë mbi to, sa para tyre, seksi femër bëhet i papërmbajtshëm.
Takat e larta janë thelbësore për shumë gra, kryesisht për ato që shtatlartësinë nuk e kanë pikën e tyre më të fortë. Prej shekujsh, takat vërtiten rreth botës së gruas duke u shndërruar kështu, në një pjesë të pamohueshme dhe integrale të jetës së saj. Këpucët me takë të lartë kanë qenë vazhdimisht një aksesor i spikatur dhe në fushën e modës apo të showbiz-it. S’mund të ndodhte ndryshe!
Por mbajtja e tyre krijon dhe disavantazhe, ndonjëherë (kur lartësia arrin mbi 10 cm), sa mund të bëhen kërcënim për stabilitetin e këmbëve dhe ekuilibrin. Sipas mjekëve ortopedë, takat mund të sjellin probleme në këmbë, në gjunjë, apo në kurriz; mund të dëmtojnë shputën, gishtërinjtë, tendinën e Akilit dhe pulpën. Gjithsesi universi femëror në tërësi nuk ndihet aspak i shqetësuar, nga rekomandimet e mjekëve për të minimizuar mbajtjen e takave, të paktën gjatë pjesës së parë të ditës.
Femrat e përligjin ekzistencën dhe përdorimin e tyre, pasi ato u dhurojnë sharm dhe provokojnë kërshëri në çdo trokitje takash. Nga ana tjetër, një numër i konsiderueshëm grash dhe vajzash nuk i preferojnë dhe aq shumë, ndoshta për pamundësi fizike, për antikonformizëm apo thjesht snobizëm.
Sipas këtyre të fundit, jo detyrimisht takat e larta duhet të asociohen me feminilitetin dhe elegancën.
Në shkrimet e tij pasikanalitike, Sigmund Freud flet për një asimetri midis burrit e gruas. Ai pohon se nuk ka arritur të kuptojë plotësisht se “çfarë do një grua.
Ah, gratë ! As doktor Freud-i nuk ia doli mbanë me to! Lëre pastaj që marrëdhënia me takat e tyre të larta është aq komplekse e bipolare, plot kapriço dashurie e urrejtjeje që nuk i gjendet filli, nga mospërfillja tek fetishizimi. “Këpucët e Hirushes “ janë një fakt i padiskutueshëm se gjinia femërore ka më tepër imunitet ndaj “princit të kaltër”, sesa ndaj takave të larta dhe sensuale. Jo më kot thuhet se “Gratë më shumë se për t’i pëlqyer burrave, zbukurohen për njëra-tjetrën”.
Personalisht i admiroj ato gra që ndonëse i përkasin një moshe të caktuar, sërish nuk heqin dorë nga të veshurit këpucë me takë për të përmirësuar ecjen femërore, për të sfiduar vitet që mbajnë mbi supe, për t’u ndjerë më të sigurta në vetvete apo për të respektuar ceremonitë e rastit.
Ndjeshmëria rritet gjithmonë e më shumë, teksa bindemi se gratë dukshëm po japin kontribut të çmuar në shumë sfera shoqërore. Ndaj mund të themi se janë ato që po i hijeshojnë takat, dhe jo anasjelltas. Një grua që kujdeset për pamjen e jashtme të ngjall simpati. Një grua që tregon paralelisht të njëjtin kujdes, edhe për zhvillimin e aftësive dhe talentit të saj të imponon respekt dhe konsideratë. Një gjë është e sigurtë: Kurrë nuk duhet nënvlerësuar pushteti që zotëron një grua mbi taka!
Comments