top of page

Tanush Caushi pas raportit të KLSH: "Ja çfarë strategjie duhet për turizmin"

Updated: 3 days ago

Tanush Çaushi reagim për raportin e KLSH mbi bregdetin: Shqipëria nuk mund të bëjë turizëm europian me mendësi rrëmuje dhe zaptimesh

Pas publikimit të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi mungesën e një strategjie për menaxhimin e integruar të bregdetit, ka ardhur një reagim i fortë nga Tanush Çaushi, kandidat për deputet në qarkun e Vlorës me koalicionin "Nisma Shqipëria Bëhet". Ai e cilësoi situatën e bregdetit shqiptar si pasqyrë të një keqmenaxhimi të vazhdueshëm dhe mungesës totale të vizionit për zhvillimin turistik.




“Raporti i KLSH nuk tha asgjë që qytetarët nuk e dinë tashmë nga përvoja: plazhet janë kthyer në zaptime, qasja për qytetarët është e pamjaftueshme, institucionet nuk dinë kush çfarë kontrollon. Ka ardhur koha të flasim troç: Shqipëria nuk mund të bëjë turizëm europian me një mendësi rrëmuje, pa strategji dhe pa llogari për qytetarët,” u shpreh Çaushi.

Sipas tij, mungesa e një strategjie kombëtare për bregdetin, mungesa e fondeve të dedikuara dhe mbivendosja e kompetencave mes institucioneve po e shndërrojnë një nga pasuritë më të mëdha të vendit në një kaos që përfiton vetëm pak njerëz dhe u merr detin qytetarëve të zakonshëm.

“Nuk mjafton të mburremi me 300 km bregdet në fjalime, ndërkohë që qytetarët s’kanë ku të hapin një çadër pa paguar 30 euro. Pjesa më e madhe e plazheve është lënë në duart e privatëve, ndërsa detyrimi ligjor për të paktën 30% plazhe publike nuk zbatohet. Dhe aty ku zbatohen, nuk ka as hijen e kushteve të përcaktuara në VKM. Kjo nuk është turizëm, është abuzim i ligjshëm.”

Çaushi kritikoi ashpër faktin që qeveritë e njëpasnjëshme nuk kanë ndërtuar një kuadër ligjor për statusin e veçantë të zonës bregdetare, duke e lënë këtë pasuri jetike pa asnjë plan të qëndrueshëm zhvillimi.

“Ne nuk mund të kemi turizëm të qëndrueshëm me plazhe të uzurpuara, me bashki që nuk planifikojnë, me agjenci që nuk bashkëpunojnë dhe me mungesë totale transparence në dhënien e hapësirave publike. Kjo është mënyra më e shpejtë për të shkatërruar një potencial të jashtëzakonshëm, që nuk i përket një qeverie apo një biznesi, por i përket shqiptarëve.”

Në fund të reagimit, Tanush Çaushi kërkoi që Kuvendi i ardhshëm të miratojë një Ligj të ri për Menaxhimin e Bregdetit, që:

  • garanton akses publik në det për çdo qytetar,

  • përcakton me saktësi zonat e mbrojtura, turistike dhe të përbashkëta,

  • ndalon zaptimet e hapësirave publike pa kriter,

  • detyron bashkitë të hartojnë plane të qarta zhvillimi,

  • dhe siguron standarde të njëjta për çdo stacion plazhi, publik apo privat.


🗳️ “Me 11 Maj nuk votohet vetëm për emra, por për vizion. Nëse duam turizëm që sjell të ardhura dhe jo rrëmujë, duhet të fillojmë nga rregulli, ligji dhe transparenca. Nuk ka më vend për improvizime.” – Tanush Çaushi

コメント


bottom of page