top of page
Search

Të shkretat kryevepra! - satirë / nga Pajtim Çaushi

Është fjala për KATEDRALJA E PASISIT e Viktor Hygo dhe MURTAJA e Albert Kamy... Kuptohet paradoksi. Si mund të jenë të shkreta gjersa janë kryevepra?... Kurrsesi, por shfrytëzimi pervers që u bëjnë disa "pronarë ekranesh" sharlatanë i bën edhe kryeveprat të ndihen ligsht. Domosdo, fatkeqësi për ndërtesën Katedrale që në vitin 2019 u dogj nga zjarri aksidental në Paris. Kjo rastësi bëri që delirantët mediokër në ekranet tona të tundin para të ftuarve romanin e V.Hygo Katedralja e Parisit i botuar që në vitin 1831. Kjo ndodh në emisionet "e tyre" (të gjithë të vjedhur), në studiot "e tyre" (në fakt të pronarëve ku këta lëpijnë kockat). Nejse, deri ketu asgjë. Tragjikomedia e aktorëve gjysmë analfabetë këtu fillon.

Nxjerrin nga sirtari romanin. E tundin, e shkundin, e hapin, e mbyllin... - E ke degjuar këtë vepër të Hygoit? - pyesin të ftuarin dhe shtojnë, se unë e kam lexuar disa herë me shumë kënaqësi. Dhe duke mos i vënë fre dot llafazanërisë, këputin plot të pavërteta që të bëjnë të kesh marrje mend.

Esmeraldës i qajnë hallin duke psherëtirë "e shkreta cigane", Kuazimodos i thonë "përbindësh shqirtzi si ciklopi", kapitenit Febys i ngrejnë monument romantik etj. Por e vërteta është krejt ndryshe. Esmeralda s'është cigane, Kuazimodo s'është i keq, Febys s'është i mirë... Atëherë, edhe një njeri me arsim mesatar kupton se këta mburravecë me kollare, me flokë të rruar apo të ngjyer nuk e kanë hapur fare romanin, por kanë ndjekur filmin vizatimor për fëmijë po me këtë titull. E njëjta gjë ndodh sot me romanin Murtaja të nobelistit franko - algjeriano - spanjoll Albert Kamy.

Romani u botua në Francë në vitin 1947. U përkthye në shqip në vitin 2018. Është vepër alegorike që me murtajë nënkupton kolerën naziste e fashiste që i mori botës 25 milionë njerëz gjatë L II B. E gjetëm detajin risues për emisionin tonë, thanë karagjozët neopotikë të mediave tona. E morën, e panë, e hapën, shënuan ndonjë emër e s'lexuan asnjë faqe. Pas kësaj vinë episodet grotesk donkishotianë. - E lexove romanin e Kamysë?... Është kryevepër, unë e kam lexuar që kur isha student. - Autor i madh, ka parashikuar pandeminë e sotme. - Covidi 19 është parashikuar para 80 vitesh nga Kamy... Krejt ndryshe të nderuar lexues! Studenti në fjalë i viteve 80 s'kish ku ta gjente veprën në atë kohë pasi nga regjimi autori ishte i ndaluar dhe i anatemuar.

Kamy e ka fjalen për murtajën botërore të L II B që përhapi virusin vdekjeprurës të fashizmit e nazizmit. Personazhet simbolikë janë minjtë e infektuar nga murtaja dhe jo virusi Covidi i biri i Coronës. Ja pra ç'na servirin të gjithëditurit e vetquajtur që na shfaqen mbrëmjeve në ekrane pas grimit të ngjyërjes e zhgrryerjes.

Comments


bottom of page