Krijuesit janë të rrallë, skribët tejet kotësi, të rëndomtë si vrasjet në luftë... Shkurre parazite të mbjella me rrënjët përpjetë. Qartësi vetëm për ata që nuk kundrojnë të dukshmen . Perditëshmëria, jo shekullorja, është bërë trupi i tyre me shpirt si mohim.
Si budallenj kur rrëfejnë të zakonshmet bëhen të zgjuar. Këtillësi në delir, bykun si flori e reklamojnë. Ajo që ndjejmë për ta është ajo që humbasim prej tyre.
Vlera thelbësore: Çdo njëri prej tyre është idiot i veçantë, i huaj dhe njëherësh i njëjtë me tufën.. Katrorë në rreth... Më tej qivure të maskuar. Për artin nuk përzgjidhen, madje kështu ngjasojnë me idiotë të përzgjedhur. Për qënien, ‘ ‘e pranoj’’ tjetërsohet në zhdukje. Librat që i shkruajnë me thundër hajvanët , nuk janë krijime, por libra hajvanësh . Në ç’ kohë gjëndet kjo injorancë si e mënçur dhe për ku përparon? Mos vallë nga zhgënjimi në mundësi, në zhgënjimin në veprim?! Në pyetjen se kush u krijua më parë dita apo nata, e gjej qetësimin enigmatik në përgjigjen e Thalit: Nata një ditë më shpejt... Habitem me ditën dhe përdorimin e saj. Po teprica si vonesë ka nënshkrimin entusiast të padijes. Dëgjoni: Një mediokër deklaron se është gjigand i poezisë. E çuditshme, thua gjinkallat do të këndojnë edhe në dimër?! Daullerënsit e ftojnë tepricën të pushtojnë vitrinat. Fjalë anormale, editoriale, të hutuara... Asnjëra nuk dinë se ç’është vazhdimi dhe...
Komedia e tragjedisë në progres. Yehuda Amichai :
Njerëzit përdorin njëri-tjetrin /të shërojnë dhëmbjet e tyre /secili vë tjetrin mbi plagët e veta të ekzistencës/ mbi sy, mbi penis, mbi vaginë /mbi gojë, mbi krahët e hapura./Ata grabisin njëri tjetrin/dhe se lënë më të shkojë... Po në botë ka në realitet njerëz si krijesa? Numrologë të rraskapitur pohojnë me vështirsinë e përgjigjes: Janë asnjë, miliona dhe pafundësisht... teprica që frynë tullumbace për shpimet. Për sotshmëritë zvëndsohet nga ata që mungojnë, sepse tanimë shënjtorët dhe kokëkrrisurit e saj janë kriminelë të vjetër të punësuar në parajsë. Si tepricë nga dërzimet e pasqyrat narciste është më gjallesë,mbërrinë më shpejtë nga një pikë në të cilën nuk ndodh asgjë, në një tjetër që nuk posedon asgjë për tu bërë. Ky është nxitimi i ireales së saj, se realisht vetëm rruga vrapon ngaqë nuk shkon asgjëkundi.
Duket se temperatura e shpejtësisë së internetit ka përthithur shpirtin e saj. Zgjojeni për vegjetimin e gjumin! Çdo mendim i tepricës nuk sjell risi, është produkt i përvojës dhe gjithmonë përvoja ka vetëm të shkuar me gjurmë të shurdhta që paksohen me trenin e rikthimit.Po teprica në shkrimësime e ka dhe një vlerë: Është e mira në shërbim të së keqes.
Alergjia e pashtershme për të këlthet në nivele me heshtjen. Teprica nuk do të dijë është zhytur në begatinë e zhurmës si oreksi i mjeranit tek supa, për ta stolisur më shumë krahasimin do të thosha si krymbi tek kërma. Vetmitë krijuese në shetitje me hapa të vjedhur nga funeralet rrezikojnë. Komedia e tragjedisë e veshur me zinë e përkushtimit, përparon me vendimin për mos-arritje .S’ka asnjë faj teprica, mbase i ka mbetur nga prejardhja. Pol Valeri:
Përshtypjet e një majmuni do të kishin sot vlera të mëdha letrare. Dhe nëse majmuni do t’i nën-shkruante me emër njeriu do ta merrnin për gjeni. Por le të shpresojmë se.... Në apokalipsin e ri, për një të ardhme tjetër të tepricës, shpëtimtar do të jetë një Noe i vdekur me metamorfozën e arkës në arkivol shtatzënë.
Σχόλια