Nga Pajtim Çaushi
Sot me datë 5 tetor ne SIKURKUVEND votohet nga Vocrrakët e Kombit (sikur Baballarët e Kombit) Kodi i Ri Zgjedhor.
Tri pyetje:
1. Kush e voton?
- Njëra për njëshin dhe pinguinët rreth tij.
2. Pse e voton?
- Për veten, njëshin, liliputët, puthadorët, gjithologët, por duke i shkelur syrin edhe njëshit të Opozitës me shënimin "Bëj sot sikur që të bëj nesër sikur!"
3. Ka diçka për të qeshur apo ka vetëm për të qarë?
- Eh, edhe kështu, edhe ashtu... Ja, lexo vetëm dy skena si ato të Ushtarit të mirë SHVEJK e më thuaj.
Skena I, Akti V
KRYETARI PORSI ARI
Kryetarët e dy partive që garojnë si dy këmbë dhe dhjetra partiçkave që rrinë strukur meskëmbëve janë të shquar, shembullorë, sharlatanë, të shenjtë e të shtrenjtë sikur ari e me shumë se ari. Votuesit i vështrojnë, i admirojnë dhe i urojnë me këngë në gojë:
“Ruaji o Zot, këta këndezë
të këndojnë në qymezë...
Mbi pula gjer në mëngjes
bëjnë glasë e thyejnë vezë!”
Pas kësaj si shpërblim, por dhe si besnikëri skllavi i luten Komisionit dhe Sikurkuvendit që të bëjë propozimin Ligj e Mbiligj me këto pak fjalë me shumë vlerë:
KRYETARËT të kandidojnë për deputet jo më pak se në 4 (katër) zona zgjedhore se...
Mos o Zot e na lë pa zotër!...
Skena V, Akti V
NJËSHI SHUMË, ZERO PAK
Na do populli, thonë kryetarët, kryetarucët e ucët deri tutje. Që na do, e dimë... Që ta dijë, duhet jo vetëm t'ia themi, por edhe t'ia shkruajmë.
Atëherë kryetarucët dhe ucët iu luten kryetarëve duke lëpirë thonjtë e tyre sikur lëpinin prapanicën e atyre. Kryetarët panë, kuptuan dhe fare s'menduan, por vetëm tundën kokët.
“Sa e doni o mesorë
që na tundeni si kemborë?... “
Kryetarucët dhe ucët kuptuan, u gëzuan, ylberin kaptuan ndaj dhe kënduan:
“Do që të dalë kryetaruci,
por do dhe uci e miniuci...
Ndaj njëshi shumë, zerua pak,
pra as më poshtë, as më lart!
U kërkua, u bë!...
Një përqind - hop deputet,
le të jetë pulë dhe plesht!... “
Comments