top of page
Search

TRUSTI DHE POLITIKA nga Erinda Malaj


FONDI i KURSIMEVE PENSIONALE TË KOSOVËS (FKPK) apo i njohur si TRUST Iështë një institucion publik i pavarur, i cili raporton para Kuvendit të Kosovës dhe mbikqyret nga Banka Qëndrore e Kosovës. Ky Trust është enti përgjegjës për manaxhimin e fondit të kontributeve shoqërore të detyrueshme dhe vullnetare në vend (kontributet pensionale).

Sa i rëndësishëm është ky Trust, sa i rëndësishëm është mirë-manaxhimi i fondit dhe a është kapitali i tij më pak i rëndësishëm sesa ai i vet bankave të nivelit të dytë, janë disa pyetje të cilave do të mundohemi t’iu japim përgjigje në këtë punim, pasi opinioni i gjerë nuk është në dijeni që keq-manaxhimi i këtij fondi mund të shkaktoje falimentin e nje skeme te tërë shoqërore.

Trusti.....Tregjet e Kapitalit.....Kosova dhe e ardhmja e pensionit të gjeneratave të tëra.....

Kosova ka rreth 18 vite që Fondin e pensioneve së bashku me atë të Privatizimeve e ka depozituar në një Trust Investimesh jashtë kontrollit të saj sovran. Trusti I pensioneve sot që po shkruajmë ka një vlerë prej 1,7 Miliardë Euro (pa llogaritur këtu vlerën prej 735 Milion Euro të krijuar nga Privatizimi i kapitalit publik). I gjithë ky fond, deri në qindarkën e fundit është i investuar në tregjet kapitale në SHBA, Gjermani, Francë dhe Japoni.

Pavarësisht Krizës Financiare të vitit 2008, ku me përzgjedhje u lanë të falimentojnë disa kompani financiare në sektorin e Fondeve të Investimeve, dhe u shpëtuan disa të tjera nga Qeveri të ndryshme, sot bota financiare dhe kryesisht ajo e tregjeve kapitale paraqitet e qëndrueshme; ose e tërë kjo është mesazhi perceptues që përcillet nga sistemet e financave për masën, pasi në përceptimin e masës destabiliteti financiar ndodh atëherë kur ka thyerje në sistemin e bankingut (falimente të bankave), dhe falimente bankash nuk ka, edhe pse kohët e fundit zhvillimet teknologjike kanë sjell një sektor bankar jo fort të qetë. Sidoqoftë, se çfarë po ndodh me sistemin klasik financiar, atë që ne njohim dhe që drejtohet apo prezantohet nga sistemi i bankingut është një temë që do ta prekim në një punim të veçantë.

Le të kthehemi edhe një herë te Tregjet Kapitale Botërore dhe mjetet monetare të Trustit të Kosovës...........

Shumë analistë dhe ekspertë të Tregjeve Kapitale vlerësojnë se tregu është i qëndrueshëm dhe i kornizuar, edhe pse njihen investime të reja dhe deri diku me risk; sikurse janë Kriptomonedhat, prezantuar në treg në vitin 2008 me BITCOIN (për të pasur një shpërndarje shumë të gjerë vetëm gjatë viteve të fundit) dhe e pasuar rishtasi me LIBRA (monedha virtuale që po kërkon të emetojë Facebook). Pavarësisht natyrës së tyre jo të prekshme dhe mundësisë së krijimit të një vlere e cila nuk ekziston, shumë analistë të fushës me të drejtë pretendojnë se të dyja keto risi mund të kenë sukses nëse luajnë në një fushë të rregulluar mirë dhe nën mbikqyerje të rreptë të Bankave Qëndrore. Por teoria dhe studimet empirike na kanë mësuar që si në Tregjet Kapitale ashtu edhe në Botën e Biznesit në përgjithësi norma e fitimit të realizuar funksionon sipas parimit “Fitime të konsiderueshme vetëm ku ka risk të konsiderueshëm“.

Bota e investimeve financiare ka ndryshuar shumë pas Luftës së Dytë Botërore, dhe sidomos përgjatë dy dekadave të fundit me futjen në fushë të lojës së monedhës së përbashkët Evropiane, Euros. Bankat dhe Institucionet Financiare, të cilat njihen për Spekulimet e shumta në tregjet monetare dhe kapitale, nën udhëheqjen e Amerikës dhe Anglisë kanë krijuar dhe po krijojnë çdo ditë derivative financiare dhe Platforma Investimi nga më të komplikuarat. Këto Platforma tregtojnë por shpesh edhe spekulojnë në masë të madhe derivativet e reja financiare dhe asete imagjinare, duke premtuar kthime të larta fitimi, kthime të cilat edhe pse akush nuk e deklaron bazohen në ekspozim ndaj niveleve të larta risku. Në këtë lojë gjejmë të përfshira Bankat Lidere të Investimeve me zyra në Hong Kong, Zyrih, Londër, New York por edhe Frankfurt e Romë.

Pikërisht në këtë botë të ndërmarrjes së risqeve të larta, Kosova, apo për të qënë më të saktë të gjithëpushtetshmit e saj që sillen me të mirat monetare publike si t‘i kenë vetjake, investuan gati 1,7 Miliardë Euro në Platforma Financiare dhe Derivative të cilat as nuk janë në gjendje t’i kuptojnë e jo më tej të arrijnë të masin ekspozimin ndaj rrezikut.

Bota ka kaluar shumë Kriza Financiare, dhe gjithmonë ka dalë me sukses nga këto kriza, por historia e zhvillimit ekonomiko-politik nuk njeh deri më sot asnjë krizë financiare që nuk ka qenë e programuar dhe me plan të qartë operativ rreth zgjidhjes dhe ndryshimeve strukturale e politike që do të ndodhnin pas krizës. Megjithatë, ndodh që edhe në krizat e programuara, të cilat shtrojnë rrugën për zbatimin e platformës për rregulla të reja loje në botën makro-ekonomike, thellimi i krizës mund të jetë përtej asaj të parashikuar dhe ndodh që efektet e saj të dalin jashtë kontrollit të elitave programuese. A e ka marrë veten Bota dhe sidomos Amerika dhe Evropa nga kriza e vitit 2008? Kjo është pyetje përgjigjet e të cilës janë kontraverse, por fakti që një krizë e tillë u manaxhua me sukses nuk e përjashton faktin që kriza e ardhshme të jetë jashtë kontrollit të plotë të regjizorëve të saj, sidomos për pushtetarët e botës në zhvillim që nuk janë në gjendje të kuptojnë se çfarë mund të luhet nga luanët e finances në kurriz të financave dhe të të mirave monetare të vendeve të tyre.

Sipas informacione që ne kemi, informacione të cilat janë bërë të njohura së fundmi edhe për publikun e gjerë për shkak të humbjes së krijuar nga Trusti gjatë vitit 2018, Fondet e Trustit investohen kryesisht në: Vanguard,, BNY Mellon, AXA, Schroders Nordea 1 Amundi etj.

Sipas parashikimeve te tregjeve financiare pritet stabilitet të paktën për dy vitet e ardhshme. Por parashikimet flasin gjithmonë për ecurinë e kompanive amerikane dhe të para nga këndvështrimi amerikan, ndërsa Trusti ka investuar në mbi 1700 kompani të ndryshme në mbarë botën.

Pyetja jonë e parë dhe më kryesorja është, a ka TRUSTI një strukturë me dije të mjaftueshme për të matur riskun dhe për ta kontrolluar atë në mënyrë të vazhdueshme duke e mbrojtur me mjete të tjera financiare, apo analiza e tyre mjaftohet në diversifikim?

Fakti që fondet janë investuar në disa kompani të ndryshme manaxhimi asetesh nuk do të thotë që është plotësuar kriteri i diversifikimit.

A janë ekspertët e Kosovës të vetëdijshëm për mundësitë e përmbysjes së kurbave të përformancës së portofoleve, përmbysje të cilat varen pikërisht nga Politikat e Bankës qëndrore të SHBA dhe qëndrueshmërisë apo volatilitetit të politikave të ndërvarësisë së shtetve të ndryshme, shtete të cilat në luftën për përparim dhe fuqi kanë qëllime dhe interesa të ndryshme nga Amerika?

Kjo është një pyetje të cilën nuk mund t’i japim përgjigje por ajo që mundemi të bëjmë është të ngremë alarmin që ky fond pre 1,7 miliard Euro, ku gjatë ecurisë apo dhe në ditë të zeza të ekzistencës e tij varet e ardhmja dhe mbijetesa e brezave të tërë që po moshohen, duhet të manaxhohet me kujdes dhe të jetë transparent në raportime si para Bankës Qëndrore ashtu edhe para Kuvendit, dhe ky i fundit duhet të jetë transparent dhe me gjuhë të thjesht në raportime përballë publikut, i cili në thelb është pronari i këtij fondi.

Kjo bëhet edhe më e qartë në raportin e dhënë nga Trusti mbi humbjet e realizuara për vitin 2018, ku sipas manaxhimit të këtij Trusti humbjet janë realizuar për shkak të problemeve ekonomiko-politike ndërmjet SHBA dhe Kinës në fund të vitit 2018. Fakti është i vërtetë, po a qenka i gjithe fondi i Trustit i investuar në aksione, instrumenta borxhi apo dervative të tjera vetëm në tregun amerikan? Pra, shpërndarja e investimit në 1700 kompani të ndryshme nuk është aspak diversifikim kur këto kompani janë pjesë e shportës së Index-e. Gjithsesi, një humbje prej 85 milion është një humbje prej gati 5%, e cila nuk justifikohet nga përformanca e keqe e tregjeve gjatë muajit dhjetor 2018 kur Index më të sigurta realizuan humbje shumë më të ulta se kjo.

Berim Ramosaj deklaron se investimet e Trustit në formën e tyre direkte apo nëpërmjet kompanive të ndryshme Europiane dhe Amerikane janë investime të cilat nuk mbartin asnjë rrezik dhe janë të sigurta. Por, edhe analizat më afatgjata që mund të behën nga ekspertët e tregjeve financiare nuk e kalojnë periudhën 10 vjeçare, periudhë e cila sipas informacioneve që ne kemi është tejkaluar në mirëbesimin e manaxherëve të Trustit dhënë kompanive që manaxhojnë fondet (janë bërë gati 18 vite).

Ku, si, në ç’baza dhe mbi cilat analiza janë ndërmarrë veprime të tilla janë pyetje të cilave organet drejtuese të këtij Trusti dhe mbikqyrësit e tij duhet t’u japin përgjigje. Për më tepër, Prof. Ramosaj si njeri i akademisë, kur të bëjë deklarata të tilla duhet të japë argumenta dhe analiza, të cilat deri më sot ne nuk i kemi parë nga asnjë studiues, ekonomist, specialist financash në Kosovë, dhe aq më tepër nga Prof. Ramosaj, i cili të lë përshtypjen se është objektiv dhe jo subjektiv në deklaratat e tij. Ekonomia është shkencë dhe si e tillë del në përfundime vetëm pas analizash dhe studimesh të thelluara të një fenomeni të caktuar.

Në janar të këtij viti Trusti deklaron se vetëm për muajin e parë të 2019 ka realizuar një fitim prej 55 milion euro nga investimet e Trustit, që i bie diçka te mbi 3% në muaj. A është kjo rezultat i një strategjie të mirë menduar apo përsëri një lënie në dorë të fatit të këtij fondi, sepse kthime të tilla të larta japin sinjale për ekspozime të konsiderueshme ndaj rreziqeve të larta në zgjedhjen e portofolit të investimeve.

Nga fondi qe manaxhohet nga Trusti 90% e tij janë të investuara jashtë Kosovës dhe vetëm 10% e tij janë të investuara në letra me vlerë të shtetit të Kosovës. Mbi ç’baza është marrë një vendim i tillë nuk e dijmë, përpos deklaratave të manaxhimit të Trustit se investimet në tregun e brendshëm janë të limituara për shkak të riskut më të lartë që paraqet ky treg. Po flasim për risk në instrumenta borxhi publik të cilët kanë një dividend fiks (dhe duhet të ketë lëvizje apokalaptike që të mundësohet falimenti i një shteti të tërë) kundrejt një risku në instrumenta kapitali apo borxhi të dhënë kompanive private, vlera e aksioneve të të cilave shpesh është e fryrë dhe në një risistemim të balancës ndërkombëtare shkon në barazpeshë duke krijuar humbje. Kjo do të thotë që, Kosovës i mungon qartësisht strategjia për të marrë vendime mbi lëvizjen e mjeteve monetare në kombinime portofoli investimesh në asete ndërkombëtare, menaxhimi i të cilave është krejt jashtë kontrollit të brendshëm, por varet kryekëput nga politika e fuqive të mëdha.

Ajo që dime është se cilat janë kompanitë e manaxhimit të aseteve, apo të quajtura ndryshe Fondet e Investimeve që ne u kemi besuar paratë e mbijetesës së disa brezave në kohën kur nuk do të jenë më në gjendje të punojnë, por nuk dimë se në cilat aksione, borxhe apo kombinime hibride derivativesh financiare këto kompani i investojnë paratë e Kosovës, në një kohë kur gjithshka varet nga fuqia e dollarit amerikan në FOREX, apo lufta që Amerika ben me fuqitë e tjera financiare si Kina, Japonia dhe Londra. Një rënie e çmimit të naftës, humbje e besimit të investitorëve kryesor në politikat e fuqive financiare, apo rënie e bursave angleze apo kineze mund tëçojë në humbje të mëdha të fondit të Trustit.

Në një analizë të fondit për 18 vite të ekzistencës së tij disa pretendojnë se fondi është rritur me 100 milion Euro nga investimet në tregun ndërkombëtar, kurse sipas disa të tjerëve me mbi 300 milion Euro. Gjithsesi, a është 100 apo 300 është çështje që më shumë se vlera nominale e fitimeve duhet analizuar në mënyrën e manaxhimit të Trustit. A është manaxhuar me kujdes dhe në shmangie të riskut apo fakti që fondi nuk është humbur është thjesht çështje fati e lënë në dorë të një firme Angleze (që në këtë kohë kur ndodhemi me aftësitë, ekspertizën dhe profesionalizmin që gjendet mes shqiptarëve nuk duhet të na thotë kurrgje që është firmë Angleze) dhe disa punëtorëve të cilët mund të jenë politikisht të varur dhe pjesë e një loje të madhe politike?

Kohë pas kohe media në Kosovë është munduar me hap debatin mbi Trustin e Pensioneve të Kosovës, qoftë kjo rastësisht apo e ndikuar nga faktorë të tjerë. Por kur media i është drejtuar Bordit për deklarata, ky i fundit ose nuk ka kthyer përgjigje ose është përgjigjur alla çurçill. E tillë është edhe përgjigja e dhënë para disa kohësh nga Ymer Havolli, kryetari i Bordit të Trustit. Në një deklaratë të kohëve të fundit Havolli është shprehur se, Trusti nuk ka investuar në BITCOIN dhe as ka në strategjitë e veta programe për të investuar në Kriptomonedha, pasi sipas tij kemi të bëjmë me një spirale imagjinare të një sistemi mashtrimi, i pranuar si i tillë edhe nga Unioni Europian dhe shumë Banka Qëndrore të Europës. Pra, në një kohë kur pyetja shtrohet për të marrë përgjigje se sa i kujdesshëm është manaxhimi i Trustit në përzgjedhjen e investimeve ku hedh paratë e Kosovës, përgjigjja e Trustit është evazive duke na dhënë si shembull që kujdesi varet në mos investim në kriptomonedha, edhe pse na lë të dyshojmë që vet keta njerëz mund të kenë pyetje dhe dyshime brenda vetes se a do të kishte qenë më mirë të investohej në Bitcoin, ku fondi mund të ishte dy-fishuar apo strategjia e tyre e mos investimit të ishte e saktë pasi rrezikohej plotësisht humbja e fondit.

Pra, askush nuk i kthen përgjigje pyetjes; a i lejohet Trustit të ndërmarrë risqe të tilla; edhe pse kanë të drejtë të mos kthejnë përgjigje pasi deri diku kjo pyetja jonë naive është retorike, sepse sipas përgjigjes “nuk kemi investuar dhe nuk do të investojmë në kripto-monedha’ kuptojmë që ky Trust nuk ka asnjë llojë ndalimi në natyrën e invetimeve që mund të kryejë. Pra, duke qënë që gjigandët e Tech botëror po përgatisin sot të hedhin në treg një monedhë të re virtuale të quajtur LIBRA, nën mbikqyrjen e plotë të Fed dhe FRA si dhe të kolateralizuar me asete të kontrollueshme, gjë qëështë shumë larg sistemit Salian të Shqipërisë post-komuniste të krijimit të firmave piramidale, pyesim; a do të investojë Trusti në këtë monedhë? Prap pyetje retorike, pasi me sa duket as Trusti vet nuk e di nëse do të investojë apo jo pasi investimet vendosen nga firma konsulente e ‘Huaj”.

Në një shkrim të mëhershëm mbi ekonominë dhe punësimin në Kosovë dhe Shqipëri kemi theksuar që jemi vende të mbyllura dhe me sistem financiar foshnjor. Por jo domosdoshmërisht ky është një disavatazh, pasi si sisteme të tilla ekonomike mund të kemi më shumë kontroll mbi fondet tona dhe të jemi të mbrojtur nga rreziqet e jashtme. Prandaj edhe ne i bashkohemi zerave të disa kritikëve të cilët kërkojnë kthimin e fondit të pensioneve mundësisht në Kosovë, por edhe në rastin më ekstrem në rajon.

Rreth kësaj kërkese të bërë edhe nga aktorë të tjerë që e duan këtë vend deri më tani nga përfaqësuesit e Trustit kemi marrë vetëm një përgjigje: “politikat e Trustit janë fikse dhe investimet e fondit të tij në masën 90% do të mbeten jashtë Kosovës dhe rajonit, d.m.th në tregjet ndërkombëtare”. Pra, e thënë shkurt përveç investimeve të deritanishme në letra me vlerë të thesarit, do të ruhet me ortodoksizëm investimi mazhoritar në tregjet e huaja sado pak të sigurta që këto tregje të jenë.

VËRTET?? ME KËTË PËRGJIGJE NA LIND E DREJTA TË PYESIM SE CILI PREJ FAKTORËVE POLITIK NË VEND PËRFITON MONETARISHT DHE POLITIKISHT NGA RUAJTJA ME FANATIZËM E KËSAJ STRATEGJIE?

Madje madje me siguri mund të themi që, ka faktorë politikë që përfitojnë ndjeshëm deri në masën e të qenit në gjendje të blejnë gjithëçka dhe këdo për të qëndruar në pushtet apo për të goditur kundërshtarin. Po rreshtojmë disa arsye se pse analiza jonë na çon në një përfundim të tillë:

Me këtë lloj strategjie të investimeve publiku nuk do të jetë kurrë në gjendje të informohet mbi kontratat e nënshkruara me fondet e shumta itë investimeve të përzgjedhura në mënyrë arbitrare, pa dashur të bëjmë një vlerësim apo nën-vlerësim të kompanive që manaxjojnë paratë tona. Në rast se do të ishim investitor privat do të kishim gjithë të drejtën të investonim paratë tona private te këto kompani, të cilat ,të qëndrojmë drejt, kanë reputacion të mirë, edhe pse nuk e dimë a janë në gjendje të manaxjojnë një fond kaq të madh për sa kohë që asnjë prej manjatëve botëror nuk ua ka besuar paratë e veta këtyre kompanive.

Kosovë dhe në Shqipëri me një mirëkuptim dhe vullnet të mirë ka shumë mundësi investimi në infrastrukturë, energji apo bujqësi, investime të cilat me një risk shumë më të ulët dhe plotësisht nën kontroll domestik do të krijonin kthime vjetore jo më pak se 10%. Psh. Një investim i mirë do të ishte ndërtimi i HEC të Zhur ku pronar të ishte Trusti. Një sektor i cili deri më sot nuk ka njohur humbje, përkundrazi do të na bënte faktor në rajon si komb.

Nëse vlen sado pak teoria shkencore e investimeve të fondeve publike, fond i tillë siç është edhe Trusti; këto fonde investohen në tregje ndërkombëtare vetëm pasi janë plotësuar nevojat investuese në sektorë jetik në vend, kuptojmë se Trusti ka një politikë të njëanshme e në korelacion të drejtë me politika jashtë ndikimit tonë, pa ndonjë kriter të qartë ekonomik dhe financiar vlerësimi në mënyrë shkencore. Nëse i drejtohemi teorisë, INDEX janë investime të cilat sigurojnë që fondet e investuara nuk mund të humbin në asnjë rast në masën 100%, por kjo nuk e ul aspak rrezikun e renies së vlerës së fondit, pasi bursat janë koncepte të ndërlikuara të cilat lëvizin në mënyrë drastike brenda natës, madje të mbushura me spekulatorë të shumtë që përfitojnë momentalisht dhe janë mjeshtra të arbirtazhit financiar. Pra, ne shkojmë me sy mbyllur drejt një tregu që nuk e kemi analizuar asnjë herë, përkundrazi jemi të varur nga vendime që merren diku tjetër nga individë të cilët në radhë të parë shohin perfitimin e komisioneve të tyre (të vetmet kthime kesh që njihen deri më sot, pavarësisht se çfarë ndodh me leket e klientit, dhe Trusti nuk është ent për ta, është thjesht klient i cili duhet të milet sa më shumë që të jetë e mundur).

Të vetmet deklarata që pranojnë nivelin e rrezikut të pa manaxhueshëm nga Trusti janë humbjet e pranuara prej tij në nivelin 12% (vlera të cilat janë sipas burimeve të ndryshme të shkëputura mes rreshtash pasi nuk kemi mundësi t’i analizojmë, vërtetojmë apo rrëzojmë për shkak që edhe PASH e publikuara janë shumë të cunguara në informacione pavarësisht faktit që mbështetur në IFRS duhet të ishin të detajuara). Në këtë rast drejtuesit e Trust deklarojnë se, këto humbje vijnë si pasojë e rënies së çmimit të naftës, duke e marrë të mirëqenë që askush nuk mund të bënte asgjë. Duke e ditur reputacionin e firmës Angleze nuk jemi aq naiv sa të besojmë që këta brokera nuk e kanë dijen e nevojshme për të kuptuar që ndryshimi i çmimit të naftës nuk ka lidhje me teorinë klasike të përcaktimit të çmimit në bazë të kërkesës dhe ofertës, por është kryesisht i lidhur me spekulimet e mardhënies së SHBA me Rusinë dhe OPEC, por ndikohet gjithashtu edhe nga faktorë të tjerë të tregjeve Europiane dhe Kineze (deflacioni që përfshihu Europën gjatë vitit të kaluar deri në momentin kur Draghi ndërhyri, rënia e bursave Kinze për shkak të embargos tregtare nga ana e Amerikës, situata e mardhënies së SHBA me Iranin etj). Të gjithë këta brokera janë në gjendje t’i analizojnë, por është jashtë interesit të tyre të tërheqin investime nga bursat pasi humbasin komisione.

Dhe së fundmi është edhe arsyeja kryesore, deklarata e vitit 2010 e ish Guvernatorit Hashim Rexhepi mbi kundërshtimin me forcë të investimeve në Fondin FORTIS të mbi 75 milion Eurove. Sot mund të thotë dikush që FORTIS është pjesë e BNP Paribank, por në vitin kur Kosova investoi 33 milionët e parë në këtë fond (viti 2003) jo vetëm që ai nuk ishte pjesë e grupit BNP Paribas, por kishte krijuar disa humbje të mëdha, humbje të cilat u akumuluan përgjatë viteve dhe u desh ndërhyrja e qeverisë Belge për ta shpëtuar nga falimenti në fund të vitit 2008 fillim të vitit 2009. Fondi është bërë pjesë e plotë e BNP në vitin 2009, që do të thotë që TRUSTI ka investuar pa asnjë llojë kriteri në një fond që ka shumë gjasa që emri i të cilit i është vënë në tavolinë nga politika. Të paktën në këtë konkluzion doli në atë kohë Rexhepi, i cili akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë Hashim Thaçin për ndikim dhe përcaktim të politikave të Trustit. Pak kohë pas këtij deklarimi ish Guvernatori burgoset dhe qëndron nën akuzë deri në momentin kur krijohet heshtje totale mbi këtë çështje, vetëm pas heshtjes së plotë, heshtje të cilën vetëm Rexhepi mund ta shpjegojë dhe nëse do ta bëjë ndonjëherë, ai do të lirohet nga akuzat e ngritura ndaj tij.

Ajo që ndoshta publiku i gjerë nuk e di është që deklarata e Rexhepit vjen pas një takimi ndërmjet Besim Beqes (në atë kohë Drejtor i Bordit të Trustit), Hashim Thaçit, Hashim Rexhepit, Hajredin Kuqit, Ahmet Shalës dhe Drejtorit Ekzekutiv të Trustit Ardian Zallit. Në këtë takim është kërkuar nga Rexhepi kthimi i mjeteve në Kosovë dhe shtimi i kompetencave të BQ për kontrollin dhe monitorimin e Trustit. Pas këtij takimi, jo vetëm që politika heshti, por nën rrogoz mori masa për burgosjen e ish Guvernatorit, ndërsa për sa i përket pjeësmarërsve të tjerë do të shohim vetëm sulme të ndërsjellta në publik, por edhe promovime në poste të rëndësishme shtetërore.

Pra, Trust është një fond i cili investohet për interesa individuale dhe kapital politik të njerëzve të caktuar, dhe askush nuk e merr mundimin të ndalet dhe të analizojë se si po bëhet ky investim, askënd nuk e bren ndërgjegja se në këtë fond varet jetesa e disa brezave kur të dalin në pension. Të duket sikur politika mendon që në fund të fundit edhe nëse ndodh hataja, më e keqja do u lidhim me fondet e buxhetit një pension sa për të blerë ilaçet, pasi vet kemi në dorë edhe gurin edhe arrën. Kush e di që nuk do mblidhet në të ardhmen Kuvendi dhe të ndryshojë skemën e sigurimeve shoqërore në Republikën e Kosovës? Dështon fondi? Punë e madhe, kalojmë në skemën paguajnë ata që punojnë për ata që janë në pension (skemë të cilën e ka sot Shqipëria). A humbet gje politika? Jo, pasi media do gri pak sallatë sa për klikime dhe shikueshmëri për pak ditë, ndërsa publiku nuk do e kuptojë se çfarë ka ndodhur, dhe nuk ka si ta kuptojë se nuk ka për të dalë askush t’a shpjegojë se si ndodhi. Ata që kanë manaxhuar në të vërtet Trustin kanë nxjerrë aq fitime sa të blejnë heshtjen e kujtdo që kupton.

Kjo është vetëm një frikë e jona, dhe shpresojmë që të mos ndodh diçka e tillë. Por në mënyrë që kjo frikë të mbetet vetëm në analizën tonë duhet që sa më shpejtë Kuvendi dhe BQ e Kosovës të kërkojë kthimin e mjeteve monetare të Trustit në Kosovë, apo të gjejë një kombinim më të përshtatshëm investues sesa raporti i sotëm. Sido që të jetë ky kombinim në themel duhet të qëndrojë parimi që manaxhimi të bëhet mbi baza analitike dhe vetëm në format që mund të kontrollohet vet pa ia falur sovranitetin një grupi njerëzish që mjafton të qarkullojnë mjetet (si positive si negative në absolut mbetet qarkullim) në menyrë që të nxjerrin sa më shumë komisione për veten e vet.

Le të kthehemi edhe një herë te analiza e thjeshtë e numrave:

Ky fond në vitin 2011 ishte në vlerën 1,6 miliardë dollarë. Po marrim vitin 2011 si vit zero duke ua bërë hallall përformancën e dobët të fondit para këtij viti manaxhmentit të tij dhe duke e marrë të mirëqenë problemet e përformancës për shkak të krizës globale të 2008-ës.

Në po këtë vit fondi kishte rreth 388,5 mijë kontribues dhe paguante një pension prej 100 Euro në muaj për 13,7 mijë persona. Supozojmë se si numri I kontributorëve ashtu edhe numri I përfituesve kanë patur rritje vjetore të njëjtë prej 5% në vit. Supozojmë gjithashtu që kontributet e derdhura në fond janë mbi pagën minimale në Kosovë. Kthimi i sigurt financiar në Europë për këto vite ka qenë minimalisht 4,5% në vit. Le të shtojmë këtu edhe paga marramendëse për drejtimin dhe administratën e fondit në masën 1% të vlerës së fondit për çdo vit.

Me të dhënat e pësipërme, nëse fondi do të manaxhohej nga student të vitit të parë të shkollës së biznesit, sot vlera e këtij fondi duhet të ishte jo më pak se 3 miliard Euro.

Për sa kohë ky Trust nuk I ka në fondin e vet 3 miliard Euro na lind e drejta të ngremë pyetjen se ku kanë shkuar këto lekë? Pra, sa na qenka rreziku i marrë përsipër nga Trusti në investimet e veta?

Në këto kushte ne propozojmë:

*Kthimin e mjeteve në masën mbi 50% në tregun e Kosovës me ligj të veçantë.
*Krijimin e një bordi me ekspert ndërkombëtarë dhe vendas për hartimin e strategjisë se ku duhet të investohen mjetet dhe vendosjen e kritereve se çfarë duhet të ofrojnë projektet që kërkojnë financim prej fondit të Trustit.
*Krijimi i një analize të plotë të investimeve të deri më tanishme, dhe hartimi i një plani të detajuar se cilat asete dhe aksione të blera duhet të rishiten dhe cilat të mbahen.
*Investimi i nje pjese të kapitalit të Trustit në krijimin e një Banke për Investime, me qëllim mbështetjen e investimeve strategjike me fitime të sigurta në Kosovë (sikurse janë investimet ne energji)

Shenim: Keto mbeten në vija të trasha propozimet tona, të cilat shpresojmë të mos bien në vesh të shurdhër. Në vijim do të vazhdojmë publikime të analizave të ndryshme në fushën ekonomike dhe financiare për Kosovën dhe Shqipërinë, por njëkohësisht shprehim interesin që cilido lexues që ka një mendim, dije apo analizë të na kontaktojë dhe ne jemi të gatshëm me të gjithë potencialin tonë ta publikojme dhe përhapim sa më shumë punimin e tij.


Burimi me lejen e Autores: https://www.europaneu-s.com/

Commenti


bottom of page