Mbi kanavacën e jetës
Jeta,
fluturim, në një qiell enigmash,
që nuk i gjendet fundi.
E ardhmja, një kanavacë misterioze,
e gjitha në të bardha.
E kaluara, një tablo,
mbi të cilën së dyti nuk mund të pikturosh.
E tashmja,
lutet për butësinë e një prekjeje që quhet fat. Dashuria,
Herë shfaqet e zjarrtë,
e herë plot hije të zeza dëshpëruese.
Herë si trishtim njëngjyrësh blu,
e herë si dhembje e padurueshme.
Koha,
ngadalë muzgun nis të pikturojë mbi portrete
dhe agimi i ngjan një ëndrre të zhgjëndërrt.
Ndodh, që pranvera, janarin të mbushë me lule
dhe korriku të dridhet nga thëllimi i shkurtit.
Ndodh, që dielli të mos lindë dhe sërish të shpresosh…
Të dhurosh zemrën
Këmbëzbathur, të ndoqa në rrugëtimin tënd.
Mes gjembash, në drizërishtë,
Vetveten harrova.
Unë, një luginë e paprekur, plot dëshira e ëndrra
Që përndiqnin horizontin.
Shërova dhembjet e tua,
mungesën e dashurisë,
padrejtësitë e padukshme,
kohën e humbur,
armiqësinë e kultivuar në kopshtin zoologjik njerëzor.
E sheh, se si puthet shkëmbi
Me rrezen e diellit?
Si përqafohet liqeni
Me dritën e hënës?
Është kaq e lehtë
Të dashurosh.
Të dhurosh zemrën
Pa egoizëm.
Dhe jeta … do të reshtë së qeni një varg vegimesh të trishta.
Athinë, 02. 01. 2020
Comments