Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, por të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon.
Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të gjitha misteret, dhe mbarë shkencën
dhe të kisha gjithë besimin sa të luaja nga vendi malet, por të mos kisha dashuri, nuk jam asgjë…
(Fragment nga“Himni i dashurisë i Shën Pavlit “, në Letrën e Parë drejtuar Korintianëve
(1 Kor 13, 1-13)
Të dashuruarit në të gjithë botën presin të festojnë Shën Valentinin.
Që nga më tradicionalistët e deri tek më antikomformistët, të gjithë e njohin shenjtorin e sakrifikuar më 14 shkurt, me urdhër të Perandorit Aureliano. Ai konsiderohet shenjti mbrojtës i të dashuruarve pai legjenda rrëfen se ishte fetari i parë që festoi bashkimin, midis një legjionari pagan Sabino dhe një të reje të krishterë Serapia.
Ceremonia u zhvillua shpejt, sepse gruaja e re ishte e sëmurë. Të dy bashkëshortët vdiqën së bashku, ashtu siç i bekoi Valentino. Për të mbyllur rrethin e tragjedisë, vijoi dhe martirizimi i kremtuesit të ceremonisë së martesës. Shën Valentini, i lindur në Interamna (sot Terni), i mbrojti të dashuruarit, i udhëzoi ata drejt martesës dhe i inkurajoi të sillnin fëmijë në botë. Literatura fetare (dhe jo historike) e përshkruan shenjtorin si shëruesin e epileptikëve dhe mbrojtësin e lidhjeve dashurore.
Kjo ditë që përkujton dashurinë, nxit shpresën për të konsoliduar një raport të ri apo për të rimëkëmbur një të humbur. Për çiftet e martuara, ato që bashkëjetojnë dhe mund të kenë rënë padashje pre e rutinës apo e stresit, Shën Valentini mund të jetë një moment i ëmbël arratisjeje nga monotonia. Kështu mund të përforcohen motivet e lidhjes dhe të vendimit për të jetuar së bashku e të rindizen shkëndijat e dikurshme.
Natyrisht nuk është detyrim festimi i Shën Valentinit, por dhe s’mund ta injorosh krejtësisht. Besoj se sakrifica e shenjtorit meriton pakëz më shumë respekt dhe përkushtim.
Kur tjetri ju bëhet më i vlefshëm se vetja, kur sakrifikoni veten për të –kjo është dashuri. Kur tjetri bëhet qëllimi, kjo është dashuria. Ky është lajtmotivi i vërtetë i kësaj dite, refreni i brezave, që vijnë e ikin nga kjo Tokë e vjetër dhe e shenjuar nga fati i të dashuruarve.
Mund t’i lini një shije të pashlyeshme partnerit duke i dhuruar një ditë ndryshe. Jo gjithnjë është e mundur të udhëtosh drejt destinacioneve romantike si Parisi, Venecia etj, apo të shpenzosh shuma marramendëse për të kënaqur të dashurin/ën.
Ndonjëherë dhuratat lakmitare e cytin natyrën e saj të brishtë dhe e shndërrojnë dashurinë, në një kakofoni komerciale, ndaj gjithçkaje që rrjedh nga zemra (qoftë modeste ose e shtrenjtë) dhe bëhet për hir të saj (dashurisë) i shumëfishohet vlera.
Shpeshherë janë detajet ato që e sjellin ndryshimin, sepse detajet përbëjnë diferencën mes njerëzve. Në ditët e sotme, në këtë jetë frenetike, për çiftet edhe të qëndruarit disa momente vetëm, pa prezencën e fëmijëve mund të konsiderohet një luks; një darkë e thjeshtë, një shtrëngim dore, një përhumbje në krahët e të dashurit a një puthje e papritur, për të vazhduar sipas mundësisë, me gjithçka që mendoni se mund ta bëjë të lumtur personin tuaj të zemrës.
Mos harroni diçka! Dashuria është një privilegj, një vlerë, një dhuratë (pse jo hyjnore, trasgresive, fluturake), të prek në forma të ndryshme dhe si e tillë meriton të gjitha vargjet, të gjitha këngët, të gjithë vëmendjen e plotësinë. Po të hulumtojmë në thellësinë tonë do të gjejmë gjithmonë dashurinë, si dritën në fund të tunelit, e po të kërkojmë akoma më thellë do të gjejmë Zotin vetë.
Comments