Kur flasim për poezi, magjia na rrethon sa herë lexojmë poeten Gladiola Jorbus. Tashmë mësuam të flasim edhe nëpërmjet zemrës. Një udhëtim i gjatë për të zbuluar misteret e njeriut, por Gladiola ecën me një shpejtësi kozmike me vargjet e saj befasuese.
E çfarë është e folura e zemrës pa pasionin e vërtetë dhe pa dëshirat. Faleminderit Poete që na e bën portalin plot mister dhe hire shumë me poezitë e tua të mrekullueshme. Baticat e zbaticat lëkundin shpirtin tonë dhe kjo energji kthehet në ëmbëlsi si nusja me dantella ngjyrë krem.
Analiza nga Tanush Çaushi
Të flasësh përmes zemrës
Nuk është e lehtë,
të flasësh përmes zemrës.
Nëse zemra fshihet,
nën rrënojat e një murane.
Jeton për të jetuar.
Rreh se duhet të rrahë.
Por s’ ndihet e lumtur.
E kush është
në fund të fundit?!
Pa frymën e dashurisë,
nën flakë që të përpijnë dëshirat,
si mund të jesh i lumtur?!
Zemra kërkon oazin e saj,
mes cirkave shkumëzuese të gjakut.
Dhe unë...
Dua të prehem e qetë.
Të dëgjoj,
arien e sferës qiellore.
Të mbulohem,
me mantelin e jargavantë të mbrëmjes.
Të zgjohem,
mes baticave të zjarrta, që mëngjeset ndriçojnë...
si dantellat ngjyrëkrem të nuses së re.
Guri i Sizifit
Si guri i Sizifit, rrokullisem çdo natë
Duke të ndjekur në ëndrra.
Në gjuhën e zemrës të flas,
zhytur në hone dëshirash.
Zgjatem…
Hënën të prek.
Të të dhuroj një yll.
Por ti,
Tashmë je larg.
Dhe unë,
zemrën e mbyll.
Krusmë fjalësh
Nga pusi i heshtjes,
krusma e fjalëve
gëloi.
Nën grackën e
kruspulluar,
magjinë e çastit
humbëm.
Për t’u zgjuar
Në sytë e dikujt tjetër.
Pangopësisht
Në botën e qytetëruar
zbehet dashuria.
Veniten letrat,
takimet në gjysmerrësirë.
Nuk ka më prekje duarsh
As heshtje që të shenjojnë
Çmendurisht.
Në kozmosin modern,
Nuk ka dimensione ndjesish.
Veç konsum dhe lakmi.
Të bukurën për të zhbërë
pangopësisht.
Shpirtblinduar
Të kërkova si të ishe,
E fundmja pikëz uji në shkretëtirë.
Ti, më i padepërtueshëm se
një mur mbrojtës.
Shpirtblinduar,
Si një derë hermetike.
Në krahët e tu, desha të prehem,
Të lëshohem, të qaj.
Më shih në sy dhe më thuaj
Se dashuria s’ është tjetër,
Veçse një psherëtimë e pafat.
Nëma
E nëma të më kujtonte
Çdo ditë të jetës
Dhe pranë të mos më kishte.
Të më ndjente
Si bulat e voçkla të ujit mbi krye. Si ftohtësira që të ther. Si i nxehti që të përvëlon. E nëma të më kujtonte Në përqafime të tjera. Në hapat që trokasin
Pas tokës që ndizet. Në çdo përshëndetje, Në çdo buzëqeshje që shkëmben. U deshëm… gjatë, shkurt, nga pranë, nga larg.
Herë e desha shumë,
Të tjera herë, më pak…
Në e zuri nëma.
Këtë nuk e di.
Por askush s’më desh,
më shumë se ai.
Comments