top of page
Search

Të jesh apo të mos jesh ?! Nga Gladiola Jorbus

(Hamleti dhe pyetja ekzistenciale) Fraza e mësipërme konsiderohet më e mirënjohura e të gjithë krijimtarisë së të paarritshmit William Shakespeare (Uilliam Shekspir). Shumëkush mund të jetë përballur me këtë dilemë brenda vetes.

Citati i famshëm është artikuluar nga princi Hamlet, protagonist i tragjedisë me të njëjtin titull, në fillim të skenës së parë, të aktit të tretë të tragjedisë. Kjo është fraza qendrore e monologut më të diskutueshëm, më mbresëlënës, më unik të letërsisë të të gjitha kohërave, i cili gjithnjë ka qenë subjekt i studimeve dhe interpretimeve të shumta.

Pyetja ekzistenciale e jetës (të jesh) dhe e vdekjes (të mos jesh) është në rrënjë të pavendosmërisë që e pengon Hamletin të veprojë ( i njohur si dyshimi hamletian). Shpeshherë është lidhur me idenë e vetëvrasjes. Hamleti po sodit jetën - për ta jetuar apo për të mos e jetuar atë. A do të ishte më mirë të vuante shigjetat e fatit të egër apo të merrte armët kundër një deti trazirash. Kështu duke i kundërshtuar, a do të mund të përfundonin ndonjëherë ato? ! Çka po thotë në të vërtetë ai mund të formulohet dhe: A do të ishte më mirë të mbante barrën e mundimshme të jetës apo ta refuzonte këtë barrë duke vrarë veten?! "

Rëndom themi se jeta është një kalvar dhembjesh e disfatash. Fshikullimet dhe përbuzjet e kohës, spazmat e dashurisë së paçmuar, shtypjet e gabuara, gjuha fyese e njeriut krenar; gjithçka që na mundon: atëherë vjen konstatimi fatalist, përse të vazhdojmë të jetojmë. Më mirë të vdesim dhe kështu do të çliroheshim përfundimisht, (të mbyllim sytë, të flemë përjetësisht dhe të prehemi të qetë).

E vetmja gjë që na ndal mbetet frika jonë nga e panjohura, kështu që ne zgjedhim të jetojmë, përkundër përballjes me rrezikun e dënimit të mundshëm (vendi i pazbuluar nga i cili njeriu nuk ka kthim prapa, konfuzon vullnetin, dhe na bën t’i durojmë “sëmundjet” që kemi, në vend që të fluturojmë drejt atyre që në fakt, duhet ende të posedojmë). Ai argumenton se arsyeja që ne ndihemi të frikësuar është se raporti mendim-veprim, nuk jep rezultatin e dëshiruar. Kështu, ndërgjegja na shndërron të gjithëve në frikacakë dhe në këtë mënyrë, britma e natyrshme e shpirtit zbehet para mendimit. Kjo botë sjell dhembje, trishtim; në thelb “të jetosh” e “të mos jetosh” janë të dyja të preferueshme. Hamleti zhvillon argumentin e tij duke menduar se a do të ishte më fisnike vetëm të durosh dhe të vuash në jetë duke qenë pasivë përballë kësaj vuajtjeje apo të kërkosh në mënyrë aktive t'i japësh fund shtrëngimit. Vetëvrasja është një formë konsumimi “e dëshiruar me devotshmëri”.

Gjithsesi, ajo që e ndal Hamletin është ideja e përtejvarrit. Ai e krahason vdekjen me gjumin dhe ëndrrat që i shfaqen duhet ta bëjnë çdokënd të reflektojë. Askush s’duhet ta marrë për të mirëqenë idenë se krejt i vetëm mund të shpëtojë botën nga padrejtësitë. Vetëkënaqësia është një gabim që të çon në humbje fatale, pothuajse gjithmonë. Por të vetëkënaqurit, a ndihen në fakt si personazhi i famshëm shekspirian?! A pësojnë të njëjtat goditje të pareshtura dhe qëllimet e tyre?! Hamleti thotë se s’ka gjëra të mira apo të këqija; mendimi është ai që i bën të tilla. Shpirti e mendja mund të bien pre e një çmendurie atipike, ose të bëhen viktima të trilleve të jetës, a të të çojnë ty drejt vetëmohimit absurd të së drejtës për të jetuar. Sepse mund të rravgosh për vite të tëra drite, milje të papërshkueshme në hapësirë e në kohë, e sërish të ndjesh dilemën apo akoma më keq, mosmarrëveshjet brenda shpirtit. Ndaj beso dhe shqipto me bindje në zemër: “Të jem apo sërish të jem”!


Comments


bottom of page