Kjo është njëra ndër frazat më të njohura që dëgjojnë prindërit dhe gjyshërit.
Përrallat, legjendat, mitet, gjithmonë do të përfaqësojnë për fëmijët, mjetet përmes të cilave ata njihen me botën e të rriturve, kuptojnë se si funksionon jeta dhe shoqëria përreth. Përrallat ofrojnë një botë, në të cilën personazhet janë të ndarë në të mirë dhe të këqij, kanë
fuqi magjike dhe për ta gjithçka është e mundur .Nëpërmjet tyre, fëmijët mësojnë se për çdo problem ka një zgjidhje, dhe se e mira triumfon mbi te keqen.
Në këtë mënyrë, ata arrijnë të kontrollojnë frikën e tyre, ankthin apo makthet gjatë natës. Karakteret monolite, pozitive apo negative qofshin, protagonistët e antagonistët lehtësojnë personifikimin; ndërsa gjuha e përdorur, e përbërë prej imazheve dhe simboleve, mund të kuptohet nga një fëmijë, edhe pse ai, ende nuk është në gjendje të deshifrojë arsyetimin abstrakt.Gjithnjë fëmija mbetet në koherencë me sekuencën e imazheve tipike të përrallave klasike. (Kujtoni këtu Kësulkuqen, Ujkun, Hirushen, Borëbardhën, Shtrigën, Mollën e helmuar etj).
Me pak fjalë, për të gjitha qëllimet dhe synimet, përrallat janë instrumentet e para arsimore që mami, babi, gjyshërit dhe edukatorët mund të përdorin për të ndihmuar fëmijën të rriten.
KUR DHE SI T’I LEXONI PËRRALAT ?
Kur të jetë më e volitshme për ju dhe fëmijën tuaj. Disa preferonë përpara gjumit, të tjerë pasi fëmija kthehet nga parku apo nga kopshti. Disa prindër qëndrojnë ulur në shtratin e fëmijës, dikush tjetër duke e përqafuar në divan apo i ulur në kolltuk.
Me pak fjalë, nuk është e rëndësishme, ku dhe kur i lexojnë prindërit përrallat, por krijimi i " një kohe ad hoc”, ndërtimi i një hapësire për lexim dhe shumë durim. Thelbësore është aftësia e rrëfimtarit për të imituar zërat e natyrës dhe për të interpretuar bukur. Në këtë mënyrë, rritet interesi i fëmijës për të dëgjuar, intensifikohet përqëndrimi i tij dhe historia bëhet akoma më e kuptueshme, akoma më e besueshme, akoma më magjepsëse. Fëmija do të zhytet në atmosferën magjike të përrallës dhe fantazia e tij do të nxitet akoma më shumë.
Ç’ DUHET TË BËNI GJATË LEXIMIT TË PËRRALLËS ?
Fillimisht zgjidhni një pozicion që i lejon fëmijës të shohë figurat, të shfletojë librin dhe të ndjekë përrallën me vëmendje.Përgjigjuni të gjitha pyetjeve të fëmijës, duke u përpjekur që të jeni i sinqertë sa më shumë të jetë e mundur, por pa e modifikuar përrallën.
Duhet t’i tregosh fëmijës, se dhe dragonjtë apo personazhet e frikshme e kanë një pikë të dobët dhe do të mposhten medoemos. Kështu do ta ndihmoni dhe fëmijën tuaj të mposhtë frikën e tij.
Rilexojeni përrallën në se fëmijët jua kërkojnë, edhe pse, për të disatën herë radhazi. Pas moshës 3-vjeçare, ata u kërkojnë shpesh prindërve t’u ritregojnë të njëjtën përrallë.
ÇFARË NUK DUHET TË BËNI KURRË
Mos i modernizoni dhe mos i transformoni karakteret e përrallave (princin, viganin, katallanin, përbindëshin, magjistaret) në personazhe reale. Fëmija duhet të bindet se përralla nuk ka lidhje me realitetin. Ai nuk duhet të trembet, por të kuptojë ndarjen midis reales dhe ireales. Mos përdorni emrin e fëmijës në vend të ndonjërit prej personazheve. Kjo është gjithashtu e rëndësishme për të mbajtur distancën e duhur nga përralla.
Mos e censuroni përrallën për shkak të frikës se fëmija mund të traumatizohet. Përrallat u tregojnë vogëlushëve si të përballen me problemet. Ato i forcojnë emocionalisht, u rrisin vetëvlerësimin dhe u zhvillojnë mendimin kritik.
Në fund të çdo përralle mbretëron e mira, dhe heronjtë e dashur të fëmijëve jetojnë të lumtur përgjithmonë. Ky është mesazhi që duhet të transmetojmë dhe kultivojmë tek ata, për t’i ndihmuar që të rriten më të mirë dhe më të sigurtë në vetvete.
Комментарии