top of page
Search

Të mësosh të jesh njeri, edhe kur "mjeshtri" i të mësuarit është: dhimbja!

Ervina Toptani


Jo pak herë jam ndalur të kuptoj përse, përgjatë jetës sime jo fort të gjatë deri sot, kam qenë shumë herë, subjekti direkt sikurse dhe dëshmitare okulare e shumë dhimbjeve të përjetuara. Deri pak vite më parë mendoja se ishte një si lloj mallkimi kjo gjë që më ndodhte shpesh, sot kuptoj arsyen e vërtetë përse Zoti më ka bërë një dhuratë të tillë.

Të qenit njeri shpeshherë matet me intensitetin e dhimbjeve të ndjera, me kapërcimin e tyre me dinjitet e mbi të gjitha me të ndjerit të çdo njeriu tjetër që vuan, në qelizë të shpirtit e trupit tim.

Nuk mund të ketë dhuratë më të madhe bekimi prej Perëndisë se të të japë aq sa për të ndjerë çdo të ngjashëm tjetër sikur ndjen veten.

Po e ilustroj me një episod të jetuar çka dua të them.

Ditën që vajza ime kishte ditëlindjen e parë të jetës, një vjetorin, mami im kishte ndërhyrjen e vështirë kirurgjikale të tumorit në gji. Janë përjetime me intensitet të tillë që nuk ia uroj askujt t'i provojë.

Pas orësh të gjata pritjesh me ankth mbytës e frike, pas orësh edhe më të gjata qëndrimi në reanimacion duke pritur të hapë sytë e duke mos dashur njëkohësisht të jem dëshmitare e dhimbjeve të saj të shpirtit, u gjendem në një dhomë spitali të dyja, nënë e bijë. Nën efektin e morfinës, mami mbylli sytë lehtas pranë meje për të pushuar pak minuta, aq sa zgjat efekti i qetësuesit kur të kanë shkulur kraharorin.

Kisha pak orë që ndodhesha në atë dhomë të pangjyrë ku shpirti im përplasej në çdo cep të mundshëm e pa pikë fuqie të qendroja si burrneshë, drejt në këmbë, siç zakonisht ndodh me mua.

Për herë të parë hodha sytë në cepin tjetër të dhomës e shoh, në një shtrat tjetër, pozicionuar pas meje, një grua të re që kish mbështetur kokën në kraharorin e një nënë.

Edhe gruaja e re, sikur mami im, flinte nën efektin e qetësuesit. U ndjeva keq, as nuk kisha përshëndetur. Shkoj pranë zonjës, e pershëndes, i ve dorën në sup duke ia kuptuar dhimbjen. Në raste të tilla nuk është e nevojshme me thënë asnjë fjalë.

- Nana jote asht ajo? - më pyet zonja me lot në sy.

- Po, mami im është - përgjigjem unë.

- Ani bijë, nana jote asht me fat, hiç mos ju idhno Zotit për vuejtjen - më thotë zonja, me një ton e qëndrim disi të ftohtë e të dhembshur njëherësh.

- Kjo këtu asht çika jeme, asht drita e synit tim, i vetmi fmi që m'fali Zoti pas 15 vjetësh martesë, e nana e sheh si vuen fmija e s'un ja jap nana as shpirtin e as jetën teme. A kupton dot çfarë dhimbje m'ka ky shpirt, bijë? Ti hiç mos ju idhno Zotit se besa nanën tande e ka dasht ma fort se mue!

Ishte e pamundur të mbaja lotët edhe pse ishte krejt e pavend me derdh lot para asaj Nane!

Pas pak orësh zonja afrohet tek kryet e mamit tim e unë tek vajza e saj, si për t'u hequr pak minuta mendjen nga dhimbjet, ndoshta më tepër nga tonat shpirtërore sesa nga të tyret fizike.

E bija e zonjës quhej Kristina, ishte 38 vjeç e kishte 3 fëmijë, 6 vjeç, 4 vjeç e më të voglën 11 muajshe. Pati dëshirë të flasë me mua e t'më thotë atë që nanës së saj nuk kishte kurajo t'ia rrëfente.

- Emri yt është shumë i dashur për mua, Ervina. Im shoq, quhet Ervin, jeni adashë - buzëqeshi lehtas aq sa mundej.

Eshtë hera e dytë që operohem, gjinjtë m'i kanë hequr të dy qysh se bebin e kisha 4 muajshe e s'munda as gji t'i jap më. Por rëndësi ka jeta në fund të fundit. Kur më bënë biopsinë më thanë se tumori është femëror e doktori u detyrua t'më tregojë se dhe pak muaj jetë më mbeten, pavarësisht kësaj ndërhyrjeje të dytë që më tepër u bë për të zgjat ndonjë ditë jetë se me rregullu ndonjë gjë tjetër.

Ajo që më dhemb më shumë nuk është fundi im, se unë e di që Zoti do më mbajë pranë vetes, por m'dhemb shpirti thellë kur mendoj se fëmijët e mi nuk do më kujtojnë dot as fytyrën e as aromën që ka mami i tyre. E përveç kësaj, e dashur Ervinë, duhet t'i gjej grua burrit tim e nënë fëmijëve të mi (i rrjedhin lotët pafund nëpër fytyrë) e këtë duhet ta bëj para se të mbyll sytë. Duhet ta gjej vetë e t'i lutem si nana nanës me m'i dasht dritat e syve në mundtë si me i pas t'vetët e me ia lehtësu plagët e shpirtit dashurisë time sado pak. E kur t'i bjerë rasti, në mos e pastë siklet, me i sjelltë te varri mamit e me m'i shtru dy lule t'bardha me duart e tyre t'vogla. Me ia lanë një fotografi timen diku n'murin e dhomës tyre e n'mundtë me e përmend ndonjëherë emrin tim mos t'shkoj harruar përjetë se kam sjellë në këtë botë 3 engjëj e kam lënë shumë plagë hapur. Po nanën time, loken time t'bardhë, kujt t'ia le amanet, Ervinë?

Ndonjëherë dhimbja për veten është fare e parëndësishme përpara dhimbjes për çka shpirti im ka më të shenjtë. Si ta bëj me i gjet nanë fëmijëve të mi, loçkës time bebe, e me i gjet grua dashurisë time të jetës? Si mund t'ia them nanës time këtë Ervinē? A do e kuptojë ajo këtë detyrë timen që unë duhet ta realizoj para se me u nis për at' rrugëtim t'gjatë?

... Ka vërtet momente tronditëse në jetë kur vetë jeta merr kuptim kaq të ndryshëm nga ajo çka mendojmë përgjithësisht. Përballë dhimbjeve të tilla, situatave kur Zoti të dërgon t'i jetosh në vetë të parë, të dytë, a të tretë, kam kuptuar dimensionin më të thellë të të qenit njeri dhe e konsideroj fat të madh, pavarësisht shpirtit të coptuar e kristaleve të lëngështa që shndërrisin syve të mi në çdo kohë. Dhimbjet e mia fizike nuk kanë qenë kurrë aq të forta sa prekja e dhimbjes së shpirtrave të të tjerëve që i kam ndjerë sikur të jenë gjymtyrë të trupit tim. E ndaj jam e bindur se dhimbja është "mjeshtri" më i madh i të mësuarit për të qenë Njeri.



Comments


bottom of page