top of page
Search

TËRMETI, QEVERIA, MEDIA / Hamit Taka

Updated: Feb 3, 2020

Biografi shqiptar në kontinentin e largët, Qerim Panariti, shkruan në kujtimet e tij : “Në një rast e pyeta imzot Fan Nolin, se si kish duruar me Shqiptarët një jetë të tërë?” M’u përgjigj me katër fjalë : Më ka zënë shqipja! Pastaj shtoi : "Shqipëria, si një popull i vogël dhe i shtypur prej armiqve të jashtmë dhe të brëndshmë, ka nevojë për njerëz idealistë që janë gati të bëjnë sakrifica personale për një qëllim të shënjtë dhe të lartë ! Shqipërinë, të mirë a të ligë, ne e bëmë, dhe jua lëmë të tjerëve që ta mirësojnë !”


Me të drejtë shtrohet pyetja: A e ka zënë “Shqipja” klasën tonë politike, mediat, opinionistët …?

Të merr të qarët prej mjerimit intelektual, ligjërimit publik e sidomos prej “veprës e punëve” të tyre plot hosanara. Shëmbëlli më demaskues ishte tërmeti i 26 nëntorit 2019. Një ditë takova një prind, që nuk e dërgoi fëmijën në shkollë ditën e parë të mësimit pas tërmetit. I thashë: Gabim bëre që nuk e le djalin të vente në shkollë.

Do të ndihej më mirë me shokët e klasës, se sa në shtëpi. Ai m’u përgjigj: "Në kohën tonë bëhej shkollë, ju tani më shumë talleni".


E bëra këtë hyrje për një paralelizëm midis bisedave të inxhinierëve e specialistëve të ndërtimit dhe qeverisësve qëndrorë e lokalë, administratorëve dhe pasanikëve tanë të rinj gjatë ditëve të para pas tërmetit të 26 nëntorit.

Inxhinjerët e specialistët flisnin me fakte dhe të dhëna konkrete për shkaqet e dëmtimeve në banesa e godinat e institucioneve, për cilësinë e dobët të ndërtimeve dhe për procedurat që duhet të ndiqeshin gjatë ndërtimit të tyre.

Qeveritarët dhe politikanët bënin e bëjnë politikë bajate, propagandë mashtruese dhe show mediatike.

Mediat bënin lojën e ndeshjeve të shitura në futbooll.


Më bëri përshtypje ato ditë specialistja Luljeta Bozo, e cila ka folur gjatë para kamerave në terren dhe në studiot televizive, me pasion, qartësi të frikshme e saktësi matematike për moshën e saj të thyer, sa që duhet të ketë bërë efekt tek të rinjtë shkollarë, për të vazhduar inxhinierinë e ndërtimit apo edhe te profesionistë të tjerë për ta vazhduar si degë të dytë.


Natyrisht unë akuzoj veten dhe më vinte turp që nuk e kam njohur dhe nuk e kam dëgjuar më parë këtë specialiste kompetente, e pasionuar pas profesionit të saj të nderuar dhe po aq i dobishëm për shoqërinë njerëzore.

Mjafton sot të hapësh internetin e të njohësh këdo që ka lënë sado pak gjurmë në jetën e tij dhe jo me zonjën Luljeta, e cila ka botuar rreth 40 libra, ka fituar çmime nga universitete të huaja prestigjioze(si ai Cambridge). Po më e çuditshmja dhe që i vë diçiturën e vëmendjes së qeverive tona në vlerësim të intelektualëve ekspertë, ishte largimi i saj nga puna si pedagoge prej dekanit(apo rektorit) të UPT, për të cilin nuk gjëndet në Google qoftë edhe një botim të vetin.

Nuk kam patur informacion për zonjën e nderuar, Luljetën, se prej vitesh jemi mësuar që në televizionet tona opinionistët të bëjnë analistin politik, analistin sportiv, inxhinierin, kuzhinierin, kamarierin, gjithologun.


Në portalet e gazetat tona lexojmë për Zogun e Tiranës, për promovimin e librit të Anxhela Martinit, për librin me receta të ushqimit të Arbanës, ku një pjatë kushton 2000 lekë të reja. Kam lexuar për telefonin 7000$ te Kujtim Gjuzit, dhuratat që i bëri Blendi vajzës për ditëlindje, për brekët e Noizyt apo se çfarë hëngri Mamaqi për drekë, por jo për inxhinieren Luljeta Bozo..

Jo më larg se zonja Luljeta dilte një biznesmen injorant dhe shpjegonte, duke bërtitur, se çfarë është kapitalizmi dhe se si ai donte të bëhej një oligark si Mane. Dhe, për ta mbyllur, në fund, vinte në dukj se Kastrati ishte Kastrioti modern…

Por, pa dashur të lëndoj askënd, që humbi jetë njerëzish apo banesa të bëra me djersën e ballit, unë gjej edhe një të mirë tek tërmetet natyrore. Eshtë një nga momentet kur shqiptarët bëhen një me shpirt e zemër(jo grusht rreth partisë), për të mbështetur, për t’u dhënë kurajo e për t’i ndihmuar të lënduarit e dëmtuarit nga fatkeqësitë natyrore.


Pra, shfaqet një solidaritet njerëzor, i cili ekziston në thellësitë e qënies së shqiptarit dhe e mban të topitur dhuna shtetërore, e cila ngjizet nga politika e mbrapshtë e një pakice mashtruese dhe mizore. Tërmeti, me sa shikohet, bën efektin e një Deus Ex Machina, për t’u vendosur shenjën pushtetarëve e pasanikëve se të gjithë jeni të vdekshëm dhe se të gjithë dridheni, mos më shumë se varfanjakët para Zotit.


Tërmetet janë dukuri natyrore dhe ndodhin në shumë vende, që fatkeqësisht ndodhen në zonëm intensive të tërmeteve dhe njeriu është ende i pafuqishëm para tyre.

Por ka një veçori te ne shqiptarët. Ne tërmetet i pëjetojmë dhe i kemi të përditshëm. A s’është tërmet kur lëpirësi partiak të zë vendin e punës? Tërmet është edhe kur të shfrytëzojnë në punë çdo ditë, pa orar, pa kontrata të mirëfillta, pa të drejtën për të ngritur zërin, se ndryshe e humbet edhe atë kafshatë që ke; tërmet është edhe kur përballesh me punonjës të administratës publike injorantë, fodullë, gangster, prepotentë e dallkaukë; tërmet është edhe kur brohoritësi dhe kërcënuesi partiak të afron nëpër fushata kulaçin dhe kërbaçin(nje thes miell apo 100 Euro për votën); tërmet është edhe kur përballesh me mësues e pedagogë të paaftë, nëpunës servilë e deputetë injorantë.


Bota të dridhet nën këmbë kur merr vesh që shoku i ngushtë është nisur me kamion për në Angli, kur shikon që vendin e lulishtes në lagjen tënde e ka zënë një gradaçielë, kur vendin e shtetit social e ka zënë bamirësi Elvis Naçi, kur një shtet me rreth tre milionë njerëz nuk ka një qen të vetëm për kërkim-shpëtim të të mbuluarve nga gërmadhat e ndërtuar jashtë kritereve të ndërtimit etj, etj…


E njëjtë është edhe me ushtarët e zjaarrfikësit tanë të keqpaguar , të cilët ndihen aq të pafuqishëm teksa heqin mbetje me duar sikur të ishin duke pastruar bregdetin.

Tërmet është kur ushtria ende e paformuar mirë e Kosovës mobilizohet shpejt, është më e pajisur dhe e përgatitur se ushtria jonë. Dhe përsëri tërmet do të jetë, kur, jo më larg se verën që vjen, atyre që sot i quajmë vëllezër, do t’u dyfishojmë çmimet e hoteleve dhe shërbimeve. Nuk janë tërmetë si ato të 26 nëntorit, ama, edhe këta vrasin ngadalë e çdo ditë pa kuptuar.




Comments


bottom of page