top of page
Search

UDHËTON DHEMBJA ÇAME – POEZI NGA BILAL XHAFERRI

" Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.

Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë

Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive

dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.

Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi…

Lamtumirë, Çamëri! "


Nëse poetet shqiptarë nuk kanë patur dhe aq fat, poezia shqipe s’ka qenë e tillë, përkundrazi, ajo i ka dhënë zë historisë së kombit dhe çdo trevë e jona ka patur, si të thuash rapsodin e vet, rob dhe të vërbër, prej të cilit ne kemi parë muzgjet e humbjeve krenare apo agullimin e fitoreve të trishta. Shkrimtari Bilal Xhaferri është dhe këngëtar i dhembjes çame, i saj pjese që ka munguar, por që s’ka reshtur së prodhuari trishtim e tragjedi. Ky shkrimtar i asaj treve rikrijoi brengën kolektive në kohën kur atdheu ishte më pak atdhe, por i pushtuar nga diktatura vendase, fill mbas Luftës II Botërore, kur pushtuesit e huaj u larguan. Sundimtarët e rinj mbi gërmadha po hidhnin dhe kufomat e të pushkatuarve, mes të cilëve ishte dhe babai i shkrimtarit të ardhshëm, Bilal Xhaferrit. Skuadra komuniste e pushkatimit e vrau si nacionalist. Bilali 9 vjeçar ahere mbeti kështu jetim për jetë. I përkiste fisit të shquar të Hasan Tahsimit nga Konispoli. Largohet nga vendlindja duke besuar se do t’i shpëtonte, sadopak, përndjekjeve. Punon si korier në Sarandë. Kryen një shkollë teknike dhe punon në Rruga – ura në Veri. Por e internojnë baltrave të Durrësit. Arriti të botojë librin e shkëlqyer me tregime “Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, por përmbledhja me poezi “Lirishta e kuqe” u ndalua dhe u çua fabrika të letrës për t’u ribërë letër sterile. romani “Krastakraus” mbeti në dorëshkrim. Që t’i shpëtonte arrestimit dhe burgut, Bilal Xhaferri arratiset më gusht të 1969 në Greqi për të ikur në SHBA. Dy vjet punon në gazetën “Dielli” të shqiptarëve të Amerikës. Në Çikago themeloi gazetan e Lidhjes Çame “Krahu i shqiponjës”. Njerëz të panjohur e sulmojnë me thikë në Nju Jork. Sigurimi i shtetit komunist shqiptar kërkonte vdekjen e tij dhe të veprave. I digjet shtëpia dhe gjithë dorëshkrimet. Vdes në rrethana të dyshimta, pas një operacioni në kokë me 1987 në Çikago. Ndërsa këtu kompllotohej me heshtje ose kujtohej vetëm për t’u sharë (ose për t’u rivrarë), të burgosurit politikë në Spaç, Qafë – Bari, Burrel, nëpërmjet atyre që e kishin njohur, kujtonin dhe mësonin përmendësh vargje të Bilal Xhaferrit. U desh të binte diktatura e kuqe që shqiptarët në vitet e lirisë, kur qe vendosur shteti demokratik, të sillnin eshtrat e Bilal Xhaferrit në atdhe që balta e tij të prehej përgjithmonë e përzjerë me baltën e vendlindjes. Poezitë e Bilal Xhaferrit për Çamërinë janë antologjike për nga bukuria dhe dhimbja. Ndërkohë, për sa i përket përmbajtjes, janë të vetmet në të gjithë poezinë mbarëkombëtare që mbartin dramën e Çamërisë, dëbimin e hershëm, lotët, dergjen e krahinës epiriote, zbrazëtirën e madhe si një zgavër tronditëse në kohë. E gjitha sikur parandjell drejtësinë, më fuqishëm se çdo UÇÇ e mundëshme.Tani po ju sjellim dy nga poezite me te bukura,ku autori shpreh dhimbjen per realitetet makabre te kohes.


SHQIPERI 1976

Vend i vogël

Kohë e vogël

Rracion i vogël.

Errësirë e madhe

Frikë e madhe

Mjerim i madh.

Dhe rrugëve të atdheut

Si kukuvajka nën hënë

Leh e ulërin


*********************


BALADA CAME

Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,

u zhduk matanë largësive, mbi kreshtat e flakëve, nëpër shi…

Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria

dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.

Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,

mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.

Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.

Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.

Dhe kudo toka çame,

mbuluar nga retë,

rënkon e mbytur në gjak e lot,

e mbetur shkretë,

pa zot.

Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.

Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë

Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive

dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.

Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi…

Lamtumirë, Çamëri!


Comments


bottom of page