Nga Agron MEMA
Ai është një ulli-monument, stoik dhe arshivist i kujtimeve të qytetit. Ndodhet pak metra larg ish axhensisë së qytetit që edhe masakrat urbanistike të 30 viteve të fundit nuk e prekën. Dhe ky ulli nuk harron vit pas viti, pa njohur rotacionin e riprodhimit, të bëjë kokrra të shumta që i mbushin degët e gjera mbi trotuar plot hijeshi dimër dhe verë. Ato kokrra askush nuk i mbledh, askush nuk i prek. Ato bien dhe treten tek rrënjët e tij.
Treten dhe ushqejnë rrënjët e tij si një mardhënie mes të nëndheshmes dhe mbitokësores.
Ushqejnë me nostalgji kujtimet e sarandjotve të vjetër që bënë historinë e qytetit, themeluan Sarandën e qytetëruar dhe sot çapiten trotuareve të harruar nga të gjithë nga zhvillimet që ka marrë qyteti. Ndalin para ullirit, kujojnë lagjen ku u rritën dhe mbjellësin e kësaj peme të bekuar.
Ulliri lëkundet nga kokrrat si të jenë trauma dhimbjeje, ashtu si qyteti nga kujtimet.
Ky ulli është mbjellur nga Remzi Mato , babai i poetit, Mjeshtër i madh Agim Mato dhe i dinastisë letrare “Mato”. Remziu kujtohet si njeri me shpirt të madh. Përveçse një mësues i apasionuar, ishte dhe një mjeshtër i artizanative deri edhe tek thurrja me shtiza i bluzave dhe çorapeve prej leshi, si këpucar e të gjitha
zanatet që ekzistonin në kohën e jetesës së tij.
Remziu kishte në shpirt një elektronizim të fuqishëm artistik. Ishte mendje dhe duarartë. Dhe jo vetëm si testament trashëgimie kulturore, por edhe si nevojë e sigurimit të mjeteve ekonomike për mirërritjen dhe arsimimin e fëmijve. Dhe arriti më shumë se diçka nga synimi i tij, kjo për arsye të persekutimit nga diktatura. Por gjithshka fëmijët ja plotësuan në vitet e demokracisë duke bërë famë në letërsi dhe artizanat.
Remziu i la qytetit një ulli, simbolin e paqes botërore, se Saranda është qyteti i bashkjetesës komunitare mes nacioaliteteve, etnive, besimeve fetare, mardhënieve etno-kulturore. Është një largpamësi fisnike mesazhuese e kësaj peme në qendër të qytetit. Përveç veprimtarisë së përkushtuar sie mësues, si përcjellës i traditës së artizanatit, si qytetar model në edukimin e familjes, si një shembull i patërtisë së sjelljes në shoqëri, ç’mund t’i linte tjetër Remzi Mato qytetit përveçse kësaj peme-monument, këtij ulliri simbol, që patjetër duhet të marrë statusin “ Monument Kulture” si një përmendore e gjallë e kujtesës së qytetit dhe iterpretuese e paqes mes njëri-tjetrit.
Comments