Esse
Unë jam bidosejkas, kam mbaruar gjimnazin emërndritur të Konispolit!...
(për 65 vjetorin e lindjes së gjimnazit)
Nga Pajtim Çaushi
Gjithçka në Univers ekziston si segment. Asgjë s'është e përjetshme veç kohës si drejtëz e pacakë. Kështu janë yjet e yjësitë, planetet e Toka, kontinentet dhe shtetet, qytetet e fshatrat.
Të tillë janë edhe njerëzit. Të tilla edhe krijesat e njerëzve: prodhimet, shkrimet, ndërtesat, shkollat...
Eh shkollat!...
Janë krijesat më inteligjente që ka krijuar mendja njerëzore. I bën të tilla fakti shenjues për çdo kohë e popull: ato sigurojnë vijëmësinë e ekzistencës së diturisë e kulturës, të arritjes e lartësimit.
Pra, shkolla mundëson gjallimin e përhershëm të njerëzve si qënie të vetëdijshme që bartin virtyte e vese, nga qëniet e pavetëdijshme jo njerëzore që komandohen nga instiktet dhe rastësitë.
Si mund të jetë një fshat apo qytet pa këtë institucion të diturisë?...
Kuptohet, parafytyrohet si një natë e pafundë ku vështirë të vihet kufi ndarës mes atyre që e popullojnë.
Shkollat quhen dritëdhënëse pasi e ndriçojnë çdo qendër ku gjallojnë e punojnë qëniet njerëz.
Ato janë kulmi i gjallesave të mbitokës pasi me daltën e tyre diturore gdhendin e zbukurojnë trurin njerëzor.
Secili vendbanim mundohet ta lartësojë institucionin e vet të diturisë. Çdo ishnxënëse e ngre lart shkollën e klasën ku ka qëndruar kokulur përpara njohurive të reja që merr në përditshërinë shkollore.
Edhe nxënësi është si bleta. Bleta gjurmon qindra kilometër larg lulet që kanë ëmbëlsinë. Nxënësi qëmton në mijëra faqe librash diturinë që i duhet për nesër, pasnesër e gjithë jetën.
Deri sot s'kam njohur askënd të mos vlerësojë lart shkollën ku është ndrituar apo mësuesit që e kanë mësuar.
Kështu me të gjithë. Natyrisht, edhe me gjimnazin tonë të Konispolit.
Në mjediset mësimorë të tij janë ulur për të marrë dritë diturie e kulturë njerëzore qindra e mijëra nxënës. Harta gjeografike e qendrave nga kanë ardhur për t'u ndriçuar është e gjerë, krahinore, rrethore e kombëtare.
Këtë ia mundësoi çelja e njëhershme e dy lastarëve diturak më 1 shtator të vitit 1959: gjimnazit dhe konviktit. Ata u bënë dylindë të dashur të cilët u rritën të shëndetshëm e të fortë, të ditur e humanë, të kulturuar e krijues.
Asnjeri që ka dalë nga mjediset dritëshumë të gjimnazit të Konispolit nuk ka ndalur së treguari me mburrje dhe emocion vlerat e larta të shokëve e shoqeve, të mësuesve dhe kujdestarëve, të rregullit dhe edukimit, të shoqërisë dhe mirëkuptimit.
Krahas nxënësve konispolitë, qindra gjimnazistë kanë qënë bijë e bija nga minoriteti grek, dhjetra nga pakicat vllahe e rome dhe asnjëherë s'ka patur qoftë dhe një grindje apo qejfmbetje të vogël midis tyre.
Pranë konviktorëve si prindër, vëllezër e motra qenë përherë banorët e ndershëm e të sinqertë, arsimdashësh e derëhapur konispolitë. Shumë familje krijuar miqësi e shoqëri të forta me familjet e prindërit e tyre.
Ndaj respekti për konispolitët ka qënë njëtrajtësi në brezat e gjimnazistëve konviktorë...
Gjimnazi ynë u ngjiz si një familje e madhe ku bashkëjetonin në harmoni shembullore etnitë, racat, ngjyrat e besimet.
Ndaj ishte dhe është një familje e bukur...
Këtë vit bën gjashtëdhjetë e pesë vjeç.
U burrërua, por nuk u rudh...
U bë dhjetra vjeçarë, por nuk u plak...
U thinj, por nuk u lodh...
Për vit e përditë i shton energjitë, e rrit mundin, i ndrit mendjet e brezave bashkëkohës....
Ndaj askush që pati fatin të shkollohej në këtë gjimnaz nuk i kursen fjalët e ngrohta.
Për ata katër vite të shkollimit, krijuan respek për gjithë jetën vetiake...
Mijëra intelektualë e kuadro të shenjuar për zotësi e aftësi u gatuan në gjinmazin tonë emërndritur. Ata u shquan atje ku punuan dhe punojnë, u dalluan dhe u respektuan, u nderuan dhe u vlerësuan.
Shumëkush i pyeste dhe i pyet për emrin e gjimnazit që kanë kryer. Ata dhe ato i përgjigjen me krenarinë e të aftit dinjitoz:
- Unë jam bidosejkas, kam mbaruar gjimnazin emërmadh të Konispolit!...
Ndaj me të drejtë edhe të tjerët e cilësojnë gjimnazin tonë Universiteti i Jugut...
Shënim: Në shkrim kam shmangur emra të nxënësve, mësuesve e drejtuesve në
vite. Këtë për faktin pasi mendoj që secili është munduar të japë ndihmesën sipas mundëive vetiake. Pra, gjimnazi është pjesë e të gjithëve.
Pajtim Çaushi
24 tetor 2024
ish mësues e drejtues i gjimnazit
Comments