top of page
Search

VAJZA E JERMËS - NUSE NË KONISPOL (në kujtim të Nastës së mirë)

Nga Pajtim Çaushi


Prezantim

Të gjithë e kanë njohur Nastën e mirë, të urtë e të buzëqeshur. Njohur dhe respektuar pasi ajo, siç thuhet, nuk i bënte keq as një milingone dheu e jo më qënies njerëzore. Gjatë viteve të jetës njeriu e pikturon vet portretin e tij përmes sjelljes e veprimeve, fjalës e punës. Dhe Anastasi (Nasta) Gollaku (Mitro) në segmentin e saj të kohës kur jetoi i qëndisi vetes një portret të shkëlqyer sepse kudo e kurdoherë rezatonte dashuri, respekt dhe kulturë komunikimi me fëmijë e të rritur.

 

Vajza e Jermës - nuse në Pirrot të Konispolit

Nga mesi i viteve '70 te shekullit të kaluar erdhi nuse tek dera e Musa e Adife Gollakut në Konispol. Vinte nga një familje punëtore, e urtë dhe me kulturë të sjelluri. U martua me djalin e tyre të madh, Rushitin i cili njihej nga të gjithë si njeri shumë punëtor, nikoqir dhe i sjellshëm. Jo me dasmë të madhe, por me një mirkuptim dhe respekt reciprok mes familjes Mitro nga Jerma dhe asaj Gollaku në Konispol. Të nesërmen e ardhjes nuse, vjerra e saj nanë Difeja sipas zakonit të hershëm, e nxorri në shtëpitë e afërta për ta njohur mysafiren dhe banoren më të re të lagjes. Kur e solli në shtëpinë tonë, duke na përqafuar ne djemve të Bajramit e Fetes, i thotë Nastës: - Këta do i kesh si vëllezërit e tu se janë rritur bashkë si vëllezër me Rushitin e fëmilën time. Më kujtohet si buzëqeshi me ëmbëlsi e dashuri Nasta e mirë.Vështrimi i saj nuk kishtë asnjë mëdyshje për këshillën e vjerrës.

 

Familje me fëmijë të urtë e pa vese

Nasta dhe Rushiti ishin njerëz të punës dhe të djersës. Asgjë që s'u takonte dhe e askujt tjetri nuk hynte në shtëpinë e tyre. - Duam atë që na takon, fëmijët nuk i rritim me harram! - thoshnin të dy kur binte fjala për përfitime të padrejta.

Lindën dy djem (Çerçizin, Dritanin) dhe një vajzë (Valentinën). I rritën me vështirësitë e kohës dhe u munduan që fëmijëve të mos u mungonte asgjë nga ato që kishin bashkëmoshatarët e tyre. Në drejtim të sjelljes dhe marrëdhënieve me të tjerët ata i mësuan të ishin korrekt dhe të ndershëm. Eshtë fakt se tre fëmijët e Nastës e Rushitit ishin model i sjelljes së një kulture të bukur.

Nasta, e papërtuara e shkollës së Konispolit

Ajo punoi që e vogël si kooperativiste në Jermën ku lindi e mandej në Konispol ku erdhi nuse. Atje ku i thoshnin: me kazmë e lopatë, me drapër e kosë, me shat e gjilpjerë... Asnjëherë nuk kundërshtoi apo të kishte pretendime. Nasta për shumë vite ka qënë punëtore sanitare tek shkolla e Konispolit. Shoqet me të cilat punoi (Mule, Hido, Xhevo, Drita) i donte si motra. Kurrë një fjalë nuk prishi me to. Edhe ato e respektonin dhe e donin shumë. Nxënësit që nga ata të Ciklit Fillor e deri tek maturantët e shihnin si nënën e tyre sepse ajo asnjëherë nuk ua prishte. I ndihmonte për pastërtinë e mjediseve të klasës apo me bazë materiale dhe ata e respektonin shumë. Nasta kishte edhe një humor të lehtë e mirëkuptues. Kur ndonjë drejtor i shkollës, për të mos u atakuar me mësuesit u thirrte pastrueseve për të dëgjuar të tjerët, ajo ia kthente: - Mirë o drejtor mirë, e morëm vesh ku e ke fjalën! Në raste të tjera drejtori u fliste pastrueseve për forcimin e shtetit me punë e përkushtim: - Do bëjmë shtet të fortë Nasta apo jo? - Do bëjmë o drejtor, do bëjmë... ti përpara e ne pas ty! Qeshnin të dy, drejtori dhe Nasta.

 

Ikje e papritur, keqardhje e madhe

Të gjithë do ikim, thuhet ngaherë, por me radhë o Zot... Eh, vdekja s'mban radhë...! Nasta iku në kohën kur s'kishte për të ikur. Në nëntor të vitit 2020 vdekja i dërgoi ftesën dhe e mori me vete. Për çdo qënie njerëzore që largohet nga jeta ka keqardhja. Kjo është e natyrshme për familjarët, të afërmit e të njohurit. Veç duhet thënë se kur dëgjon për ikjen nga jeta në kohë pa kohë të një njeriu të mirë, dhimbja shumëfishohet. Anastasia (Nasta) jonë e mirë iku pa kohë ndaj keqardhja për të erdhi e shumëfishtë. Ndjesë pastë Anastasi Gollaku (Mitro), vajzë e shkëlqyer e Jermës, nuse me shumë vlera në Konispol.


Opmerkingen


bottom of page