VAJZA ME FEREXHE
Kaloi në trotuar
Një vajzë me ferexhe,
Kaloi si një fllad,
Iku si një re;
Ç’thesare fshihte
Nën perçe strukur?
Mos ishte një yll,
Një vegim i bukur?
Ç’ngjyrë kishin vallë
Flokët, sytë e saj?
Si e kish buzëqeshjen
Borë a lule maji?
Iku si një ëndërr
Veshur me mister,
Si një copëz dhimbjeje
Nga zemra ime prerë…
GREKES
I flas qartë në gjuhën time,
Herë me sy e herë me buzë:
“Ma kthe, të lutem, një përgjigje,
Mos ma zgjat pritjen tërkuzë”;
Grekia ikën tërë kapriçio,
Tinëz më shikon si ketër.
“Do të të ngjitem si mastiço
Apo pret diku një tjetër?
Në je nga fisi i Odisesë,
Në Trojë ende digjet flaka…
Dëgjo dhe fute në kujtesë,
Mbiemri im vjen nga Itaka
I ka rënë vetëm një “i”
Si bie shpata e luftëtarit,
Kur shikon se vjen drejt tij
Një princeshë në majë të kalit;
S’e njeh ti kapriçion time,
S’ke provuar gjak shqiptari,
Për një bukuri sublime
Ngrihet fisi gjithë nga varri”.
I kthej shpinën, po s’më iket,
Ç’është kjo udhë-rreth vicioz?
Koha rrjedh, po malli ngjitet
E shpirti bredh si skandaloz;
Më thërret me zë të drydhur,
Hedh baluket tërë finesë,
Por unë kam përvojë të hidhur
Grekes nuk i zë më besë;
M’afrohet, frymën ia ndiej,
Pres një puthje zjarr e shpuzë,
Me dorën lehtaz që i dridhet
Ma vë kryq gishtin mbi buzë:
Syëmbël si drenushë e egër
Më hedh vështrime plot qortim;
“Jo,- thotë grekia,- ju poetët
S’ keni besë dhe as guxim;
Kujtoni ju se me ca vargje
Mund t’i bëni kurthe zemrës?
S’e prekni dot zjarrin mister
Që digjet thellë në gji të femrës;
S’jam një lule e posaçelur
Ma kanë thithur shpejt nektarin…
“Poeti, -thashë, -duke përkëdhelur
Ta rikthen ty afshin, zjarrin”…
Bukur, bukur, arvanitas
Më thotë dhe më përqafon:
S’e dëgjon ti zemrën time
Gjaku shqip të flet, këndon…
Ndryshe s’ishe kaq e bukur
Kaq e çiltër e kaq krenare,
Me dlirësinë tënde rinore,
Me buzëqeshjen ledhatare…
KONVIKTORES
-vëllimi: Lirikat e Veriut-
Konviktorja pas dritares
Tej te rruga hedh vështrime.
O vajzë e bukur sqimatare,
Pse nuk fle, o brenga ime?
Po dil ti jashtë, te rruga dil
Këtu të pres një orë me mall.
Mos ki frikë, ky s’është idil
Gjersa zemrat digjen zjarr;
Ndihesh keq ti në konvikt
Të ngjan posi burg i zymtë?
Dil të ndjesh sa bukur jashtë
Me yje qielli t’i mbush sytë!
Po eja, eja këtu pranë meje
Rrugës derdhen njerëzit lumë
Fluturo si zogu prej foleje
Garant në Zot të bëhem unë;
Pse kaq frikë nga kujdestarja!
Si gardiane ajo të ngjanë?
Në se të pyet ajo shejtanka
Thuaji, isha me vëllanë;
Sent from my Verizon, Samsung Galaxy smartphone
Comments