Asnjë krizë politike, vendimarrëse, ekonomike nuk ndodh pa një implikim kulturor. Termi kulturë vjen nga latinishtja, “kultivim”. Pra janë sjelljet e të kaluarës ato që influencojnë aktualen.
Tiparet e elitës politike drejtuese sot janë cektësia, injorimi absolut i kompleksitetit dhe zanafillës së problemit si dhe prezenca e tepruar në mas-media.
Sot në Shqipëri kemi një mungesë totale të autonomisë lokale dhe sjellje agresive të drejtuesve të qeverisë për të treguar se ata dinë gjithçka dhe se janë kompetent në çdo fushë. Kjo sjellje gjeneron varfëri, humbje shprese, dhe shkatrrimin e së ardhmes.
Në mungesë të mekanizmave vendimarrëse që funksionojnë si në vendet e zhvilluara të Bashkimit europian, për Shqipërinë është esenciale të ketë një klasë drejtuese cilësore. Por në mënyrë paradoksale drejtuesit tanë aktualë janë jo të aftë dhe i tremb pa masë fjala “meritë”. Kjo pa aftësi nuk gjeneron mirqënie dhe progres, gjeneron veç regres.
Reflektimi për ndryshim në ditët e sotme në Shqipëri po bëhet një iluzion banal propagandistik. Pasi sistemi është ndërtuar mbi bazën e besnikërisë ndaj shefit dhe jo mbi bazën e kapacitetit, përgjegjshmërisë, kreativitetit dhe inovacionit.
Sot të punosh në administratë nuk vlerësohesh për kualifikimet por për këmbimet. Nuk vlerësohen njohuritë dhe kapaciteti intelektual por kontributi elektoral në vota.
Sot klasa drejtuese në pushtet nuk ka nevojë për konkurencë, oponencë, këshillim, diskutim, ajo ka nevojë për nënshtrim dhe servilizëm ndaj shefit.
Sot në punë nuk futesh dot falë kualifikimit që disponon por falë njohjeve dhe shërbimeve ekstra që ofron.
Sot në Shqipëri nuk kemi një “projekt human” që të bëjë të mundur përballjen me sukses ndaj trasformimit ekonomiko-social që po ndodh sot në botë.
Drejtuesit e vendeve anglo-saksone janë të arsimuar nëpër shkollat më prestigjoze të botës. Drejtuesit Francez kane dalë nga sistemi prestigjoz i Grandes-Écoles. Ndërsa te ne, drejtuesit dhe ligjvënësit janë jo mir të arsimuar, një pjesë e tyre janë me diploma nga universitet e mbyllura, të cilët konsideroheshin si dyqane dimplomash.
Bizneset e sukseshme sot në botë ecin falë meritave të burimeve njerëzore. Prandaj klasa drejtuese cilësore konsiderohet çelësi i suksesit të zhvillimit ekonomik.
Vendet e Europës veriore janë të suksesshëm së kanë mekanizma vendimarrës funksionalë. Te ne proçesi i vendimarrjes futet nëpër disa labirinte pa dalje.
Ne nuk mundemi të zgjedhim dot 140 parlamentarë apo 62 individë të pastër e të mundshëm për të drejtuar 62 bashki që të kenë respektuar në vazhdimësi ligjin në të kaluarën e tyre. E si mund të drejtojnë apo të hartojnë ligje disa persona që ligjin e kanë shkelur me të dyja këmbët në të kaluarën?!
Te ne përgjatë tranzicionit ekonomik klasa politike po degradohet në mënyrë drastike duke u trasformuar në një kastë e cila “ushqehet” nga korrupsioni i privatizimeve, nga investimet në infrastrukturë, nga kalimi i pronës dhe shërbimeve publike me anë të ligjeve ad personam drejt privatëve. Ku shtatëdhjetë e ca yes man votojnë pro, duke e dhënë gjithë shtetin me konçesion për 35 vitet e ardhshme.
Vallë e kuptojnë që po minojnë të ardhmen ekonomike të një vendi dhe se populli do të bëhet një skllav që do punojë për privatin?
A e mendojnë ndonjëherë se duhet të dalin para ligjit dhe të dënohen për “shkatrrimin e arsimit” për “shëndetësinë skandaloze” për ushqimin skadent që detyrohet të konsumojnë qytetarët çdo ditë, për ilaçet e skaduara që u shiten qytetarëve, për miellin e kafshëve që u shitet si miell buke, për servirjen e nënprodukteve të qumështit që në të vërtetë janë nënprodukte vaji palme, niseshteje dhe qumështi pluhur, për çmimin e naftës sa të lart po aq edhe skadente, për standartin e dyfishtë të luftës ndaj informalitetit ku shteti tregohet i fortë me të dobëtin e miqësor me të fortin. Për këtë të fundit rezultatet flasin qartë, rritja e të ardhurave nga lufta anti-informalitet është pothuajse e pa përfillshme.
A mendojnë ndonjëherë se nuk është aspak normale që një kompani e sapo krijuar nga hiçi të marë në menaxhim shërbimet publike duke qindra-fishuar kapitalin e investuar në pak vite.
Hammond që për 3 vite me radhë ish numri dy më i fuqishëm i qeverisë britanike u kthye në shtëpinë e tij mbas dorëheqjes me tren ndërsa drejtuesit tanë edhe pse jemi vendi më i varfër në Europë lëvizin me makina luksoze dhe blejnë pasuri imobiliare luksoze në zonat më të mira të Tiranës por jo vetëm.
Si është e mundur të akumulohet kaq shumë pasuri vetëm pse punon disa kohë si drejtues në administratën publike? I vetmi shpjegim është vjedhja dhe korrupsioni, i cili tashmë është kthyer në kulturë. Për të shkatrruar njëherë e përgjithmonë këtë kulturë negative e vetmja zgjidhje është vlerësimi i pasurisë për të gjithë drejtuesit e administratës publike dhe sekuestimi i pasurisë së pa justifikuar. Ose në pamundësi të sekuestrimit, taksimi i saj me 27% në të tilla kushte arka e shtetit do të mbushet plot dhe borxhi publik do të reduktohet ndjeshëm. Si dhe dënimin maksimal për shpërdorimin e fondeve publike, vetëm atëherë të pa aftët nuk do të guxonin më të kërkonin poste vendimarrëse.
[1] Profesor ekonomie i Universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe “Zoja e Këshillit të Mirë”
Comments