Cfarë është Gjykata? Autoriteti që ligji i ka dhënë ca personave nënpunës publik për të kontrolluar zbatimin e ligjit nëpërmjet vendimeve që japin për zgjidhjen e cështjeve.
Cfarë është vendimi i gjykatës? Eshtë puna intelektuale e arsyetimit ligjor të vendimit. Nëse një funksion për të cilën është dhënë një autoritet apo një e drejtë e humbet qëllimin për të cilën është dhënë, atëherë ky funksion nuk duhet të vazhdojë më të ekzistojë, sepse atëherë do të jemi para një autoriteti abuziv, që jo vetëm nuk do të ushtrojë funksionin ligjor, por do t’a shpërdorojë atë duke mos e kryer.
Sistemi ynë i drejtësisë vuan nga ky fenomen kaq shkatërrues.
Drejtësia vuan nga moszbatimi i ligjit dhe mos kontrolli i kësaj zbatueshmërie. Pse është pritur Vetingu për të parë figurat dhe pasuritë? Kur gjithcka fillon nga moszbatimi i ligjit nga ana e gjykatave në vendimet që shprehen. Kur profesionistët e të drejtës përballen sa herë me shkeljet flagrante të ligjit, “e zeza mbi të bardhë” që pasqyrohen në vendimet e tyre por që nuk mbajnë përgjegjësi?
Sistemi i Drejtësisë nuk vuan vetëm nga korrupsioni. Nuk është nevoja të kërkosh ku fle leku, mjafton të lexosh vendimet. Është mosrespektimi i ligjit dhe mungesa e kontrollit të vendimeve gjyqsore që janë në shkelje flagrante të ligjit ato që kanë sjellë abuzimin korruptiv. Korrupsioni nuk fillon te pasurimi i padrejtë nga mosdënimi i krimit, por fillon dhe gjen terren te shkeljet ligjore. Ka shkak korrupsionin edhe kur dënohet personi padrejtësisht në shkelje të ligjit. Gjithcka lexohet në Vendime. Drejtësia bëhet vetëm nëse do të kërkojmë me rigorozitet zbatimin e ligjit dhe arsyetimin ligjor në vendimet e gjykatave.
Sot, ka gjyqtarë që nuk arsyetojnë vendimet, gjë që ligjërisht konsiderohet shkak për paligjshmërinë e tyre. Po sërisht ata i japin, sepse sistemi i mbron dhe nuk përballen me asnjë pasojë. Sot ka gjyqtarë që japin vendime në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, ligjet dhe vendimet unifikuese gjyqsore, dhe sërisht ata i japin, sepse ka sërisht gjyqtarë të gjykatës së Apelit që j’a miratojnë.
Dhe e dini pse funksionon gjithë ky autoritet haptazi abuziv? Sepse ata nuk kanë frikë për vendimet që japin, nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për vendimet ku shkelja e ligjit del hapur pa asnjë vënd për diskutim.
“Dhënia e vendimit haptazi të padrejtë” ka qënë e parashikuar në Kodin tonë penal, dhe më pas u hoq, me arsyen e moscënimit të autoritetit gjyqsor duke cuar në një absolutizëm të tij, sidomos në kushtet ku as ky si pushtet nuk është i konsoliduar në integritetin publik të tij, sepse për fat të keq, sot ka ardhur dita që gjyqtarët prezumohen të korruptuar, ndërsa rastet e gjyqtarve dhe prokurorëve të ndershëm konsiderohen përjashtim.
Mendoj, që, cdo autoritet ligjor është i diskutueshëm për aq kohë sa duhet ti nënshtrohet një sistemi kontrolli dhe balance. Mendoj, që cdo autoritet ligjor duhet të jetë përgjegjës personalisht dhe individualisht për cdo veprim që nuk vjen si pasojë e funksionit të rregullt publik. Mendoj që gjyqtari dhe prokurori duhet të jetë subjekt i ligjit penal, edhe civil, sikurëse cdo funksionar tjetër publik, por duke qënë se në rastin e funksionarit të drejtësisë krijohen pasoja që ndikojnë drejtpërdrejt dhe menjëherë në jetën, lirinë, të drejtat të parikuperueshme të individit, duhet të parashikohet përgjegjshmëria e posacme e këtyre subjekteve për rastet e shkeljes flagrante të ligjit.
Comments