Njeriu i vogël e i butë, vëlla i Nastradin Hoxhës e i Sanço Pançës, pasi mbaron punët e pakta dhe mendohet për hallet e shumta, ulet përpara televizorit për të shikuar e për t’u qetësuar. Në krye të herës i bëhet se prej thellësisë së aparatit i vinë ca zhurma çjerrëse e të çuditshme. Vë veshin të përgjojë, hap syrin të vrojtojë. Shpërndahen rrotull tij e në krejt dhomën ca si pallje a si tallje, ca si psherëtima a si ulërima, ca si dihatje a si zukatje, ca si zvarrisje, si dalldisje, si zalisje. Pra, ca si ca a si cazë…
Kur iu qartësua disi shikimi dhe iu pastrua pakëz dëgjimi, dalloi sallën e Plakonisë mentare, po, një seancë tipike parlamentare. Përqendrohet që t’i dëgjojë dhe t’i dallojë. Mundohet disi, se ata dhe ato lëvizin e ndërrojnë vendet e, bëhen aq vocërrakë, sa u ngjajnë guriçkave të rrugicave, a guralecëve të lumaresë.
Njeriu i vogël e i butë, vëllai i Nastradin Hoxhës e i Sanço Pançës, në ekranin e televizorit sheh lloj – lloj fytyrash të cilat e verbojnë dhe e shokojnë. Fytyrat, si maska gaztorësh, janë të hijshme, gjysmë të hijshme e çerek të hijshme, të shëmtuara, të grimuara e të zbukuruara, të lerosura, të pudrosura e të sheqerosura, të zhyera,të lyera e të ngjyera. Ballas tij, brenda në xham, shfaqen lloj – lloj gjestesh e mimikash: gjoja njerëzore, gjoja hyjnore e gjoja inatçore, gjasme përbetuese, gjasme përvëluese e gjasme asgjësuese. Pamjet lojcake e përmbytin ekranin.
Pasi bëjnë paradë në rreth rrotullën e mjedisit, zërat e nën zërat hynë rrëmujshëm në vrimat e veshëve. Ata janë të larmë, të zhurmshëm e cingrisës. U ngjajnë defave e daulleve, pizave e xamareve, gajdeve e klarinove, tenxhereve e tiganëve… Zërat janë të hollë si mjaullimë e rrokopujë si bubullimë.
Njeriu i vogël e i butë, vëlla i Nastradin Hoxhës e i Sanço Pançës, mes zhaurimës kaotike dallon shkoqur fjalët e një zëri bas. Zëri bas, pasi lëshoi një trumbë tingujsh të pakuptimtë,arriti të shqiptonte me forcë: “Shqipërinë ne NATO e futa unë, me reforma, me antikorrupsion, me fronte pune më shumë!” Nën zëri i njeriut të vogël e të butë ia bëri : “Fjalë lumë… sapun mbi gunë… flluska me shkumë…”
Nga e njëjta foltore e sallës së seancave plenare të Plakonisë mentare ia ktheu një zë tjetër i trashë, bas e mbi bas: “Shqipëria dhe shqiptarët, në NATO e BE, do të jenë realisht kur mbi kalë të hypim ne. “Nën zëri i njeriut te vogël e të butë u tallavit: “Ve a pulë,pulë a ve?!” Në çast nisi loja e kungulleshkave: jo ti, po unë; jo unë, po ti, ne me guxim e futëm, ju e nxorrët dhe e zhduket…
Thirrën rreth vetes njerëzit e butë si qengjat e të lehtë si puplat. I kuadratuan në dy veprimtari të mbushura ding me mëri. E para u pagëzua dhe u shkrua me shkronja të mëdha e stër mëdha. Emri doli i figurshëm: “Dialog me Shqipërinë”. Refreni kërkues e kërcënues: për NATO festë, për Qeverinë protestë, mafia në Gërdec krimin do që të fsheh. E dyta u titullua e u shkrua në faqe malesh e gjatësi udhësh. Emri ishte metonimik: “Shqipëria në NATO”. Refreni ndërtuar si marsh: për Naton festë, për Qeverinë mbi festë, se i nxjerr paret me thes dhe na sjell buxhetin shtesë.
Pas përplasjes dyshe, njeriu i vogël e i butë, vërejti se gjithçka u kthye në katrahurë. Tubimet dhe tubuesit imituan sallën e seancave plenare të Plakonisë mentare: u shndërruan në kupri arëzash e grethash pickues e helmues. Njeriu i vogël e i butë, vëlla i Nastradin Hoxhës e i Sanço Pançës shkrapuliti sytë se mendja iu roit dhe iu mbyt. Mendohet, anohet, hepohet: më besohet, s’më besohet. Hutohet, trazohet, ngatërrohet: herë bën majtas, herë bën djathtas. Ligështohet, lotohet, ankohet: ku të futem, ku të mbytem, si do të errem, si do të gdhihem. Dikur, kur sikleti iu rrit si dallga në det, pyet e bërtet. Në krye iu drejtua zërit bas: More, kush je ti me premtimet si lumë dhe unë s’gjej punë, vetëm halle shumë?! Zëri bas nxitoi të përgjigjej vrullshëm e i qeshur si në konkurset me anekdota: Ne jemi liderët që kemi marrë frerët, në NATO hymë herët, pa ndihmë nga të tjerët.
Njeriu i vogël e i butë, vëlla i Nastradin Hoxhës e i Sanço Pançës, i pa sqaruar dhe i pa kënaqur prej të parit, iu kthye të dytit, zërit të trashë bas e mbi bas : Kush je ti si me brirë në ballë që nesër ke për të hipur mbi kalë? Zëri i trashë bas e mbi bas u hodh hop e osh si kaposh : Jam lideri që do të të mbush lugën bosh, natë e ditë si gjeli majë plehut të këndosh.
Njeriu i vogël e i butë,sërish i pa sqaruar e i pa kënaqur,nga të dy i pa pranuar e i pa afruar, s’gjen një derë ku të trokasë, s’di ku kokën të përplasë. Prapë mendohet e prapë flet e pyet: More liderë e mbi liderë, ju pyes për të mijtën herë: jam bërë për lumë e përrua, punë, vetëm punë dua, kush m’i pjesëton hallet që më kërrusin mua? Zëri bas dhe ai bas e mbi bas heshtën dhe humbën. Në krye asnjë përgjigje, mandej i kthyen krahët e ia nisën e krisën hahalitjeve me shoshokun.
Vëllai i Nastradin Hoxhës e i Sanço Pançës i vështroi i mbetur e i mekur për ca çaste dhe… më pas bërtiti aq fort sa u drodhën e u shkundën orenditë e kushtueshme të sallës së seancave plenare të Plakonisë mentare: Mashtrues e hipokritë, m’u ngjitët si fekalja në këpucë, s’do të jeni kurrë liderë, ju s’jeni hiç as liderucë. Njeriu i vogël e i butë, vëllai i Nastradin Hoxhës e i Sanço Pançës, shante e qante. Zërat e trashë basë e mbi basë lehnin e qeshnin.
Comments