Nga Pajtim Çaushi
Gazetari dhe shkrimtari
Pas një udhe të gjatë e të suksesshme në lëmin e publicistikës, krijuesi Panajot Zoto ka kohë që është futur në godinën e letërsisë artistike shqiptare. Them "ka kohë" pasi ai e pasuroi bibliotekën e lexuesit tonë me vëllimin e gjashtë letrar e pikërisht me romani e tij të tretë "Të fortët" .
Librat e Panos janë lexuar, mirëpritur dhe vlerësuar nga lexuesit e studiuesit e letërsisë.
Titull që përmbys parafytyrime
Kur na flisnin dikur për të fortët, i dëgjonim gojëhapur e mbusheshim me admirim frymëzues. Të fortët qenë divat e gjigandët, kreshnikët e trimat e Skënderbeut, luftëtarët e lirisë e luanët e tuneleve...
Vargu mund të zgjatet në kohësinë e djeshme, të pardjeshme e tejpardjeshme.
Po në bashkëkohësinë tonë të fundnjëzetës e fillim të njëzet e njëshit, ç'ndodh me atë parafytyrim të dikurshëm për të fortët...?
Kontrastim befasues e rënqethës. Përmbysje e plotë sikur kau i zi i funddetit ka lëvizur jo qimen e hollë të kurmit, por gjithë trupin katanà.
Dhe pikërisht, këtë përmbysje rënqethëse ka dhënë shkrimtari Panajot Zoto tek romani i tij i ri "Të fortët", botim i Shtëpisë botuese TOENA, Tiranë.
Kudo dhe kurdo
Duke qëndruar brenda faqeve të romanit si lexues i kujdesshëm e jo si gjahtar
dialogjesh, kupton me dhimbje nocionin bashkëkohës të Të fortëve. Gjithçka së prapthi. E njëjtë si thuhet në ligjërimin bisedor: koka poshtë e këmbët lart. Dhe kjo jo thjeshtë për dikë si individ a ndodhi, por në gjithçka tek çdokush.
Në tempullin e drejtësisë e të Parlamentit, të Qeverisë e të Pushtetit Lokal, të biznesit e të pronës.
Me të drejtë autori në roman vëren se e keqja nuk është parciale dhe e përkohshme, por kudo dhe kurdo.
Pra, kudo...
Në sallat e gjykimit, në llozhat speciale për të fortët, në aeroporte e autostrada, në minizyra e kryezyra...
Dhe kurdo...
Që në themele të ndërtesës shtetërore pas përbysjes së totalitarizmit u vendosën gurët më të shtrembër e të deformuar të shoqërisë së mbetur pas eksodeve biblike që ndodhën gjatë '90 - 91' - 92'... 97' e në vijim deri sot që lexojmë romanin e Panajotit.
I zoti dhe i pazoti, i afti dhe i paafti
Me realizëm dhe detaje bindës jetësorë, autori tregon përgjatë subjektit të romanit procesin e metamorfozës së individëve në Shqipëri në fillim të viteve '90. Njerëzit u shpërfytyruan me të vetmin synin që të ururponin pushtetin dhe të vilnin frytet e rendit të ri demokratik.
Për fatin e keq të shqiptarëve kjo ndodhi, ndaj dhe rendi demokratik i ëndërruar u kthye në rend sikurdemokratik. Shikoni detajin e shndërrimit të Sokratit nga një i privilegjuar i pushtetit në të persekutur dhe të përndjekur.
Shikoni pjellën e tij Endrin i cili turret që me sa e si të mund të rrëmbejë çdo gjë në Tiranë, Vlorë e Sarandë, pra në të gjithë vendin. Personazh jetësor i pafryrë, i pangopur, pa asnjë ndjesi njerëzore, pale më mirëbërëse.
Krah e sivëllezër të tij janë shumë, ata i pjell e i shton përditë barku i kuçedrës antipopullore e antikombëtare Mafia politike dhe ekonomike bashkëjetojnë si gishtat e dorës: Mir Qorri, Drejtori i Urbanistikës, gjyqtari Hysen Mborja, gjyqtare Enkelejda, Lenci - i forti i Rrëzëmalit, trafikanti Beso Cani...
E megjithatë ata: vesakët, maskarenjtë, mafiozët janë të aftë, të zotë, të kohës. Ndryshe, të virtytshmit s'vlejnë, janë të mefshtë, të pa aftë, jashtë kohës sonë "moderne"...
Asnjë mafie e një vendi nuk vepron e vetme dhe vetëm për vete. Tentakulat e mafies ndërkombëtare futin në qerthullin e tyre edhe mafiet lokale. Mafia s'ka fe, s'ka atdhe, s'ka ngjyrë. Benito Kalpa, anëtari i kupolës së lartë të mafies italiane nxjerr kryet dhe krijon lidhjet e duhura mafioze.
Më e keqja është se mafia e drogës, prostitucionit dhe e korrupsionit ka në gjirin e saj edhe segmente të caktuar jo vetëm të pushtetit gjyqësor, por edhe të pushtetit legjislativ dhe shtetëror. Deputetët Halim, Drini, Ledio janë pjesë e klanit mafioz që vepron jashtë dhe brenda vendit.
Lexuesi me të drejtë pyet:
A do të ndëshkohen e ndryshojnë ndonjëherë këta njerëz?
Përgjigja vjen nga vet kupola mafioze:
Jam ai që isha, tha dhe u shtriq i përgjumur mbi poltronin e kashtës.
Arti i të shkruarit
Mendoj se në hierarkinë e veprave të Panajot Zotos, romani TË FORTËT qëndron në krye.
Subjekti i ngjeshur me bërthama rrëfimtare të sistemuara në një kompozicion model, e mbajnë në tension të vijueshëm lexuesin nga kreu në fund të romanit.
Alternimi i pjesëve e paragrafëve tregimtarë me ata dialogues, përshkrues e meditues e bën rrëfimin interesant dhe i ngre cilësinë e nivelit të komunikimit.
Personazhet skaliten bukur përmes tipizimit dhe individualizimit të tyre në varësi të shtresës e grupit që përfaqësojnë.
Gjuha e pasur dhe e pastër shqipe e përdorur në linjat subjektore të veprës janë një tjetër vlerë shenjuese e romanit.
Urime shkrimtarit Panajot Zoto për këtë prurje në letërsinë tonë.
Comments