Xhelozia
Xhelozi,
Një grackë qerthulluese
Në ishullin tënd të shkretë
Ku vuan e dergjesh,
i vetëm ti.
Dhe asaj i dukesh
Më patetik, më qesharak
Se një fëmijë.
Robëruar nga xhelozia
Për sytë e të panjohurve,
Që tinëzisht mbi kurm
i përvidhen.
Për erën e marrë
që flokët ia flladit.
Për shiun dhe diellin
që luajnë lagaterën
me qenien e saj .
Kështu, xhelozia
bëhet thurimë për ty.
Si muret e pakapërcyeshme
të një kështjelle gotike.
Dhe sytë përpëliten nga dyshimi,
Dhe sytë përpëliten nga
kur e puth në ballë
sikur do t’i zhveshësh dëshirën,
epshin, mendimin.
Nën tymin e cigareve
që ndez dhe shuan pareshtur,
i zhytur në nervozizmin tënd.
Të mjegullohen premtimet, dashuria,
besimi.
E gjithë ç’ mbetet,
S’është veçse,
hiri i një heshtjeje brejtëse
dhe frika:
Se mos ndoshta atë,
dikush tjetër
më fort e do?!
Apo më keq akoma…
Në mos,
e dashuroftë dhe Ajo.
Comments