Nga Pajtim Çaushi
Dy fjalë hyrëse
Kushdo që udhëton në jetë, kur largohet prej saj lë pas gunga apo gropa. Ato njihen dhe vlerësohen nga pasardhësit, ndaj askush nuk i shpëton dot kësaj gjykatorje të përjetshme. Natyrisht, ka individë të cilët njerëzoren e kanë të gjithëkohshme ndaj dhe gungat u bëhen maja. Kuptohet edhe e kundërta se jeta ka dy pamje. Ca individëve të tjerë gropat u kthehen në humnera të thella pasi atyre u ka mungon qoftë edhe humanizmi më minimal në jetë.

Pra, në gjurmët që do të lëmë pas kontrastet do të ekzistojnë.
Zaimi na la në kujtesë maja
Që nga të parët ka ardhur në ditët tona mendimi i bukur i përqasjes së njeriut me bletën. Thuhet se ashtu si bleta prodhon mjaltë ç’do vit, edhe njeriu duhet t'i përsërit përherë përgjatë jetës bamirësitë e tij.
Kushdo që ka patur rastin të ketë bujtur në shtëpinë apo stanin e Zaim Ademit, ka vërejtur se tek ai njeri dëshira për t'u shërbyer e kënaqur të tjerët ka qënë maksimale. Këtë cilësi të vetën e shprehte me fjalë, me sjellje, me buzëqeshje dhe me gjuhën e gjithë pjesëve të trupit.
Kujtoj nga koha kur ishte bari në tufat e kooperativës së Konispolit. Me punën ishte korrekt dhe gjëja e gjallë i dhimbsej.
- Edhe delet si njerëzit janë, thoshte, vetëm gojë nuk kanë të flasin e të kërkojnë.
Bënte kujdes që gjësë së gjallë t'i krijonte kushte sa më të mira kullosore në male e qëndrimi në stallë.
Kur jep, të mirat shumëzohen...
Ashtu si përpara në kooperativë, edhe pas në kohën e privatizimit Zaimit i qeshte fytyra kur e shkoje në stan. Mundohet si e si të të ofronte nga të gjitha që mund të kishte vetëm që të kënaqeshe. Ndërsa kur do të largoheshe nga stani, kurrë nuk të përcillte duarbosh.
Atë që kishte ishte i lumtur që ta ndante me të tjerët. Kur ndonjeri i hiqte vërejtje për këtë tipar të rrallë që kishte, ai ia kthente:
- Unë shkollë shumë nuk kam se punova që i vogël, po shumëzimin dhe pjestimin i di mirë. Kur jep, të mirat shumëzohen, kur kursen, ato pjestohen. Mbaje mend këtë ore mik!
Kur ndonjë familje i duhej të përdorte mishin për raste gëzimesh apo hidhërimesh, merrte shënimin nga Përgjegjsi i caktuar prej Kryesisë për sasinë dhe tufën ku ta merrte. Secili mundohej të siguronte që mishin ta merrte nga tufa e Zaim Ademit pasi ia dinin zemrën. Nëse shënimi thoshte për dhjetë kg, Zaimi i jepte njëzet duke thënë:
- Njeriu ka hall, këta tallin menderen!... Çdo bëjë me dhjetë kile, rigon në hundë do e mbajë?... Merr njëzet e mbaro hallin se nga të tuat i merr...

Pak portret
Zaimi ishte pjestar i një familje të madhe, të nderuar e të respektuar. Ademajt e Bregut të Kocit kanë qënë dhe janë në breza me radhë njerëz të fjalës së mirë e të punës së pakursyer.
Ai ishte fëmija i parë mes gjashtë vëllezërve e katër motrave që lindën prindërit e urtë e dinjitozë, xha Rizali dhe nanë Maneja. Nonëse shumë fëmijë dhe të rritur në kushtet e mungesave të njohura ekonomike të kohës, përsëri të gjithë u bënë pasardhës të virtytshëm, shoke e miq me të gjithë që dëshironin të mirën dhe jo të keqen.
Zaimi që në vogëli e gjithë jetën ishte njeri i shëndetshëm, faqekuq, i qetë, i përmbajtur, i dashur dhe tejet njerëzor, Për vëllezërit Safetin, Pajtimin, Bujarin, Arbenin e Tomorin ka qënë shembulli më i mirë i vëllat të madh për më të vegjlit. Në sjelljen dhe veprimet e tij ata shihnin njeriun e arsyeshëm dhe të pakursyer. Edhe për motrat Biben, Sekron, Linën, Ritën ishte një mbështetje e sigurt dhe modeli i njeriut të vetëdijshëm..
Kot mos e trash zërin!...
Zaimi ishte njeri i drejtë. Kujtoj një rast pas vitit '90 që ndodhi për ndarjen e kullotave midis tufave private nga Bashkia. Një gjiton në kullotat e tij deshi që të merrte më shumë nga sa i takonte duke synuar nga pjesa e Zaimit dhe vëllezërve. Tjetri betohej me be e thirrte sikur do hidhte rrufe që nuk do të hiqte dorë nga pjesa që donte. Zaimi iu afrua qetësisht dhe i buzëqeshi para se t'i thoshte:
- Dëgjo o byrazer!... Deri këtu është jona dhe pike. Ajo atje tutje është juaja dhe prapë pikë.... Kot mos e trash zërin... Këtu mbyllet muhabeti. Ti të tuat, unë të miat... Kaq!...Fjalët e shumta janë fukarallëk.
I ktheu krahët. Edhe tjetri nuk e zgjati më tej.
Iku pak herët, ndaj dhimbja është e thellë
Zaimi u largua pak si herët nga kjo botë. Sapo kishte nisur të shtatëdhjetat.
La pas Shabon, bashkëshorten e urtë e punëtore, gjyshe e dashur e përherë e papërtuar...
La pas Etlevën dhe Dritanin. Dy pasardhës të denjë të një prindi të shkëlqyer...
La pas nipër e mbesa me sjellje model si pasardhës të merituar...
La pas vëllezër e motra të cilëve u ka lezet fjala e bukuri puna...
Na la pas ne shokëve, miqve e të afërmve që e deshëm si vëllain tonë të mirë e shembull...
Pra, siç thuhet, me gjithë këta pasardhës, iku zemërngopur e pa plagë në shpirt.
Megjithatë, iku pak herët, ndaj dhimbja për këtë largim të beftë nga jeta është e thellë, është pikëlliim i vijueshëm...
Lamtumirë Zaimi ynë zemërmirë!...

Comments