top of page
Search

Zakonet rutinë që kthehen në të dëmshme brenda familjes

Marsida Simo, Sociologe

Çdo prind, ka në mendjen e tij konceptin, se pothuajse çdo gjë që ai bën dhe përfiton do jetë në të mirë të fëmijës. Janë të vegjlit shpresa  për një të ardhme më pozitive, për një vete të projektuar në mënyrë më të mirë.


Pavarësisht dëshirës, jo të gjithë prindërit mund të jenë aq shumë prezent në familje qoftë kjo për angazhimet profesionale apo punës.

Edhe kur mbaron orari zyrtar i punës, jo pak herë ndihet lodhja nga ngarkesa, nga rutina, orari i zgjatur dhe shtëpia kthehet në vend pushimi dhe jo angazhimi.

Dikush mund të irritohet lehtësisht, dikush tjetër humbet durimin për të komunikuar, e ndoshta dikush i lë fëmijët në botën e tyre vetëm për pak qetësi apo për tu marrë me shumë punë të tjera që ka shtëpia.

Në këtë mënyrë formohet një rutinë e përditshme, jo fortë e shëndetshme.


Zakonet negative më të shpeshta


1.Secili anëtar në punën e vetë.

Mund të ketë momente ku secili anëtar ka punët individuale. Por nëse kjo kthehet në zakon të përditshëm dhe gjithë pasditen atëherë kjo quhet indiferentizëm. Imagjinoni të gjithë në dhomat e tyre dhe shtëpia kthehet në një vend i ftohtë. Me mungesë të kësaj kohe që duhet shpenzuar me fëmijët, këta të fundit do të përjetojnë mangësi të shumta.

Fëmijët enden nëpër hapësira boshe të informacioneve që ia jep shoku, të imazhit që ia fal media, të edukimit që ia mëson rruga.

 

2. Problemet fliten përballë fëmijëve.

Çdo familje ka probleme nga më baziket deri tek ato më të vështira. Megjithatë asnjëra prej tyre nuk ka përse të bëhet pjesë e shqetësimeve që të mbarten nga fëmijët. Nëse ju jeni prindër dhe i kuptoni shkakun dhe pasojat e gjërave, fëmijët kanë tendencë që ta adresojnë problemin tek vetja.


3.Nuk komunikohet mjaftueshëm.

Familja mund të jetë së bashku edhe sërish nuk gjen një formë komunikimi. Dikush sheh televizor, një tjetër qëndron i përqendruar në celular apo një tjetër lexon. Ndoshta mund t`ju duket sikur nuk është maksimumi të flisni për ditën tuaj e cila është rutinë por kjo ju çon në bashkëveprim me pjesëtarët e familjes. Prindërit pyesin por edhe mund te tregojnë për gjërat që ata bëjnë gjatë ditës.


4.Nuk ulen të gjithë në një tavolinë

Një zakon i tillë jo vetëm që nuk është i shëndetshëm fizikisht sepse tregon se oraret e ngrënies nuk respektohen, por edhe mendërisht. Patjetër që kjo mund të jetë edhe për shkak të orarit të punës apo shkollës së fëmijës por qoftë edhe gjatë mbrëmjes të bëhet një zakon i mirë duke vendosur një orar fikse për të ngrënë darkën. Ngrënia së bashku shkakton siguri dhe ndjenjë pozitive për secilin sidomos për fëmijën.


5.Fëmijët nuk pyeten.

Mund të ndodhi që prindërit mendojnë se çështjet e shtëpisë dhe familjes i përkasin vetëm të rriturve dhe fëmijët nuk kanë përse të pyeten. Normalisht mund të ketë arsye shumë të forta që nuk iu merret mendimi, por të paktën të informohen për atë që do të ndodhi së shpejti dhe arsyet përse mendohet të veprohet në këtë mënyrë.


6.Së bashku vetëm për fundjavë

 Për të lehtësuar fajin e mos prezencës disa prindër krijojnë zgjidhje që bashkimi i familjes t’i lihet fundjavës. Duhet menduar se nëse për pesë ditë me radhë nuk do jeni prezent sa duhet në familjen tuaj fundjava do jetë një imponim që ju i bëni pjesëtarëve të tjerë.  Të qëndruarit me njëri tjetrin duhet bërë një zakon i përditshëm sado pak qoftë.


7.Toni i zërit

Mënyra sesi familjarët flasin me njëri tjetrin dhe tonin e zërit që përdorin tregon si janë ndërtuar këto marrëdhënie. Ka familje ku toni i zërit është më i lartë sesa rëndësia e asaj që po flitet.

Të bërtiturit nuk është një zakon i shëndetshëm. Fëmijët kuptojnë se prindërit dinë veç të japin urdhra, të mos dëgjojnë se çfarë iu thuhet, janë të nevrikosur, dhe jo të hapur për komunikim.


8.Shumë punë shtëpie, pak ndërveprim

Një shtëpie e pastër është gjëja më  e mirë që do donim të gjithë por dimë edhe që nuk mbarojnë asnjëherë sidomos në ato familje me numër të lartë pjesëtarësh. Kjo nuk do të thotë që atë kohë që kemi t`ja kushtojmë vetëm pastrimit dhe rregullimit të shtëpisë. Duke u angazhuar të gjithë nga pak në rregullim do ishte më e lehtë për ta mirëmbajtur, por edhe duke bërë një ndarje të kohës midis asaj të përkujdesit ndaj ambientin të shtëpisë dhe ndërveprimit me njëri tjetrin

9.Marrëdhënie serioze

Nuk është e thënë që në familje të diskutohen vetëm çështjet e ditës apo për gjëra të zakonshme. Një mënyrë e mirë për të qëndruar së bashku është edhe duke organizuar lojëra. Ka shumë lojëra, si puzzle, loja me letra, fjalëkryq, e të tjera, të cilat vendosin secilin pjesëtar të jetë aktiv dhe të argëtohet.


Familja nuk është vetëm një vend dhe njerëz, por edhe bashkëpunim, aty ku ndajmë gëzimet dhe hidhërimet, forca personale dhe vatra e dashurisë. Që kjo mos të mbetet vetëm teorike duhet të mendojmë më tepër çfarë rutine po ndjekim çdo ditë në të dhe a mund tˋi përmirësojmë marrëdhëniet me njëri tjetrin.




Comments


bottom of page