top of page
Search

Zonja Ministre, ju lutem nxitoni pak…

Tanush Çaushi

Një fjalë e vjetër e popullit shqiptar, thotë “punën e sotme mos e lër për nesër. Zonja Ministre e Infrastrukturë, duhet të nxitoni, jeni me vonesë. Projektet janë me shumë vonesë.

Zonja Ministre e Infrastrukturës, projektet sillen e përcillen “si dashi i pjekur në hell” dhe kanë vonesa serioze.

Ato zgjaten e stërgjaten në kohë, pezullohen, duke shkaktuar kështu një humbje të madhe në ekonominë shqiptare dhe në ritmet e zhvillimit. Kjo humbje është edhe për kontraktorët e punimeve që nuk marrin fitimin e parashikuar në kohën e parashikuar duke rritur kështu shpenzimet.

Por më e keqja është se projektet ndryshojnë edhe në buxhet ku ka pasur raste që fondi limit ka kaluar dyfishin e parashikuar siç ishte rasti i rrugës Durrës-Kukës. Këto projekte pezullohen edhe shtyhen siç ishte rasti i Tunelit të Kardhiqit.


Gjatë rrugës, këto projekte humbasin dhe cilësinë e parashikuar, ç’ka e vërtetojnë më së shumti amortizimi i veprave që kur janë në moshën më të re të tyre dhe gropat e shumta në rrugë.

Të nderuar qeverisës ku po shkojmë kështu? E dashur ministre e Infrastrukturës çfarë masash janë marrë për këtë qëllim? Zoti Kryeministër, shumë i shqetësuar për paratë e shqiptarëve a e dini ju vallë se:

“Që një projekt të quhet me performance normale dhe ti shërbejë zhvillimit, ai duhet të realizohet në kohën e duhur, koston e parashikuar dhe cilësinë e duhur.” Nuk mjafton vetëm të presim shiritin për të fituar zgjedhjet! Aktualisht performanca e projekteve të kësaj qeverie lë për të dëshiruar dhe asnjë nga kriteret për të pasur një performance të pranueshme nuk plotësohet.

Zonja ministre e Infrastrukturës, duhet të nxitoni që të arrini ritmin e kërkuar të zhvillimit.

A e dini Z.Kryeministër se Administrata shqiptare dhe qeverisja ka kryekeput mungesë të Menaxhereve te çertifikuar dhe të njohur nga Institutet e njohura Ndërkombëtare. Një administratë kaq gjigande nuk numëron as edhe një menaxher të çertifikuar fjala vjen tek PMI (Project Menegement Institute) apo edhe të instituteve të tjera të njohura ndërkombëtarisht.

Projektet e sektorit me financim shtetëror po vuajnë vonesa serioze në kohë duke u nisur që në fazën fillestare të projektit e deri në përfundimin e tij. Ka raste që për hir të këtij dështimi digjet edhe fondi i parashikuar për këtë qëllim.

Kush qëndron pas kësaj vonese?

Janë shumë faktorë të dashur lexues:

Së pari: Tenderimi i tejzgjatur me muaj të tërë dhe ka raste edhe me vite. Nëse sipas kushteve të FIDIC koha e tenderimit për një projekt është 28 dite përse për administratën tonë ka nevojë për muaj të tërë?

Së dyti: Projektet që tenderohen janë të pa detajuar dhe të përgjithshme dhe jo projekte zbatimi. Specifikimet teknike jepen të mangëta dhe mbizotëron pasiguria për Kontraktorin e Punimeve. Kontraktori fillon ç’do gjë nga e para, duke vonuar kështu projektin.

Së treti: Kontratat nënshkruhen ndërkohë që shpronësimet nuk kanë përfunduar dhe kjo është e papranushme. Kjo është një nga plagët më të mëdha që shkakton vonesa. Edhe pse me shumë vonesë për këtë faktor është krijuar Agjensia për Shpronësimet, por le të shikojmë si do funksionojë.

Së katërti: Kontratat midis Punëdhënësit dhe Kontraktorit të punimeve duhen modernizuar me tipet e kontratave të njohura ku parashikohen edhe stimuj nëse përfundohen punimet para afatit të parashikuar. Kontratat aktuale janë më së shumti me çmime njësi, ndërkohë që jo për ç’do projekt kjo është kjo kontratë që duhet përdorur.

Se pesti: Vendimet e Investitorit për çështje që janë të paqarta janë shumë të vonuara dhe nuk I përgjigjen grafikut të punimeve.

Së gjashti: Afatet e parashikuara në dokumentet tenderuese nuk janë realiste, shpeshherë janë të ekzagjëruara. Mungojnë planifikuesit e projekteve të çertifikuar dhe profesionistë.

Së shtati: Përzgjedhja e kontraktorëve joseriozë. Ndërkohë që kompani prestigjioze nuk arrijnë të kapin tendera, kompani me shumë pak traditë lulëzojnë në mënyrë të papritur, por këto kompani duan kohë të maturohen dhe të bëhen me përvojë.

Një zbatim i Sistemit të Menaxhimit të projekteve modern dhe I bazuar në përvoja të njohura ndërkombëtare do të shërbente si përshpejtues dhe permirësues i performances së projekteve.

Ndërkohë që bota e zhvilluar tenton të krijojë një sistem të tërë të Menaxhimit të projekteve duke përdorur metodat e PMI (Project Management Institute), administrata shqiptare është ende në një faze primitive në drejtim të menaxhimit të projekteve.

Ka ardhur koha që edhe për projektet shqiptare të sektori publik, të kemi një planifikim të kohës, kostos dhe Cilësisë nga duar të profesionistëve të çertifikuar për këtë qëllim, përndryshe do të vazhdojë kjo histori në mënyrë të përsëritur.


Comments


bottom of page