top of page
Search

Zoti Artan Fuga:Inxhinierët, çfarë u sheh syri u bën dora – nga Tanush Çaushi

Ditët e fundit të fillimshkurtit, Akademiku Artan Fuga ka nxjerrë në shtyp artikuj dhe postime, ku ka hedhur akuza mbi sizmologët shqiptarë dhe Inxhinierët. Fjalori i përdorur na ka befasuar të gjithëve dhe të them të drejtën duke e lexuar në portale të ndryshme nuk po arrija ta kuptoja ku donte të dilte. Në fakt unë prisja përcjelljen e një mesazhi pro ekspertëve dhe të ndihmonte sadopak fjalomanet politikanë të gjenin busullën dhe të investonin aty ku duhet: Pikërisht tek shkenca dhe specialistët,por u zhgënjeva.


Në artikullin e datës 01 Shkurt, Fuga godet me “breshëri” sizmologët, duke u kërkuar llogari se përse ata qetësojnë njerëzit ndërsa dalin në televizione. Pllaka afrikane përse ka kaluar sipër asaj Euroaziatike pikërisht në Hamalaj? Pse sizmologët tanë nuk kanë parashikuar tërmetin siç parashikojnë kohën me re dhe me diell? A e dinë këta se tërmeti parashikohet? Dhe radha e fjalëve ecte më shumë e më shumë.

Nëse nuk do ta njihnim që këtë shkrim e kishte bërë Z.Fuga, me siguri që specialistët do ja kishin kthyer me të njëjtën monedhë të inatosur dhe me të njëjtin fjalor.


Por, në fakt Fuga nuk u ndal me kaq. Ditë më pas ai me tone disi të zbutura na bën leksione për sizmikën dhe na bën rolin e specialistit sizmolog, duke nxjerrë përgjegjësit në pah dhe masat që duhet të marrim. Nuk mungojnë Specialistët në ballë të listës si përgjegjësit kryesorë për fatkeqësitë natyrore. Specialistët duhet të heshtin sipas tij nëse nuk kanë bërë punë kërkimore shkencore dhe të kenë fakte. Nese nuk janë Shkencëtarë nuk duhet të flasin. Poltronet e medias janë për politikanët me diploma e doktoratura të blera.

Si të flasin keta pa fakte për fatkeqësitë natyrore? Janë në terezi këta njerëz?

Siç duket Profesori ngatërron gjyqin dhe filozofinë me inxhinierinë.

Kur u kujtua ky akademik për kërkimin shkencor? Kur u kujtua për doktorantët që enden rrugëve?


Nisur nga reagimet më sipër dua të ngre disa çështje në formë diskutimi dhe pyetjeje:

- Zoti Fuga, Inxhinieria nuk është Filozofi. Çfare provash dhe testesh kerkon ti për pllakat që përplasen dhe i mbivendosen njëra tjetrës? Ekzistencën e këtyre pllakave nuk e ka vërtetuar shkenca shqiptare, por botërore. Mund të ndricoheni duke u gugëlluar nëse nuk besoni shkencëtarët shqipëtarë.

- Çfarë model komunikimi kërkon ti nga specialistët dhe shkencëtarët? Janë pikërisht Ata që do të flasin kur vjen puna fjala vjen për tërmetin sepse Televizioni dhe media janë edhe për zërin e tyre. Apo duhet të flisni vetëm ju në media? A mundet të na e parashikoni tërmetin, ju lutem?

- A e dini juve se Shqipëria ka shumë punime kërkimore shkencore në fushën e sizmikës, falë këtyre që ti i quan pensionistë?

- Media është vetëm për politikanët dhe filozofët apo politologët? Meqë ne specialistët merremi me punë për të jetuar, kjo nuk dmth se nuk dimë të flasim dhe të shkruajmë. Edhe ne dimë të shprehemi, të shkruajmë edhe të flasim. Media është për të gjithë.

- Ju, kur flisni në media, keni bërë kërkim shkencor për çdo fjalim apo intervistë që jepni? Kjo është ideja e komunikimit?

- Përse frikësoheni kur del specialisti dhe dëgjohet me vëmendje? Keni frikë se ikën audienca nga politikanët,politologët dhe filozofët?

- Çfarë garancie kërkon më shumë sesa na ofron shkenca e inxhinierisë dhe sizmikës?

- A nuk duhet të tregojmë modesti ne si specialistë? A duhet më shumë respekt për specialistin? Asnjë objekt me projekt nuk pati kolaps. A nuk është prove kjo?

- A është shuar energjia që pas tërmetit të fundit. Kjo është shkenca, pra çfarë kërkon?

Zoti Fuga, flini i qetë! Objektet në Shqipëri, ashtu si në gjithë botën e zhvilluar janë llogaritur me Kodet më të zhvilluara sic janë Eurocode (ato pas viteve 2000 ). Programet që ne përdorim janë të fjalës së fundit te shkëncës. Nëse ky është meraku juaj, hiqeni këtë merak. Këtë ua thotë një Specialist dhe jo një shkencëtar.

Ato që i takojnë para viteve 2000, janë projektuar dhe ndërtuar sipas Kodeve ligjore në fuqi. Ata që i kanë projektuar janë “ajka” e inxhinierëve dhe ata që i kanë zbatuar, të siguroj janë më të ndërgjegjshëm në punë sesa gjithë profesoriati akademik.

A e keni idenë juve se çdo të thotë të vësh në “sitë” gjithë objektet e ndërtuara, sa kohë dhe sa ekspertë dhe buxhet duhen? Dhe e gjitha kjo sepse ju dyshoni ekzistencën profesionale?

A duhet që të rrisim me ligj nivelin e objekteve? – Sigurisht që jam dakort të përdorim materialet inovative.


E mira do të ishte që të dëgjoheshin Specialistët dhe jo llafollogët. Mendoj se edhe ju mendoni kështu, edhe pse njeriu ndonjëherë shpërthen dhe nuk përmbahet.

Duke ju uruar punë të mbarë në kërkimet tuaja shkencore, po ju kujtoj një shprehje:

“Gjatë historsë kanë qenë inxhinierët e njohur që kanë ndryshuar këtë botë dhe mënyrën sesi mendojmë dhe jetojmë. Ata janë promotorë të zhvillimit, gojëpak e punëshumë. Çfarë u sheh syri, e bën dora.

Tanush Caushi / Ekspert Disaster Risk Management / Structural Engineer

Comments


bottom of page