Zoti na i dhashtë heronjtë Shqiptarët e mij!
“Ju kam lënë zotin, zoti të ruajtë, zoti qoftë me ty;”
Shprehje shumë të përdorura Shqiptare, pasi të është dhënë opsioni për t’i marë këto bekim-mallkime. Nga i vetmi vend ateist në një vend ku tashmë vetëm Zoti mbetet shpresë e madhe për vazhdimësinë.
Ka humbur trishtueshëm kontrolli ndaj vetes dhe ndaj institucioneve të cilat duhet të jenë ndihmëse. Ka humbur dhe humb çdo ditë e më shumë orjentimi se cili është drejtimi i duhur që zgjidh ankthin tënd të kudondodhur.
Fëmijë të pa shkolluar të cilët duan dhe meritojnë të arsimohen; prindër të papunësuar ku duan dhe janë të aftë të punojnë; biseda pa asnjë kod të kuptueshëm; shoqëri në kaos për sfidën e rradhës; gjyshër me fëmijë në emigracion që vetëm presin vdekjen në asgjë. Gjykata të përlyera ku askush nuk duhej më të ishte aty, pasi kanë bërë mjaftueshëm dëm me kapjen nga politika.
Sipas kodit ligjor, të heshtësh është krim i dënueshëm. Të gjithë prokurorët, gjyqtarët,avokatët kanë qenë dhe janë pjesë e kësaj katrahure të pa zgjidhshme (prej tyre )gjyqësore. Të gjithë ata kanë parë. Edhe në në rastin më të mirë duke qenë të ndershëm, kur shumë e shumë gjyqtarë, prokurorë, avokatë kanë qenë të ndershëm në profesionin e tyre. Kjo ndershmëri nuk mjafton për të qenë të ndershëm në ndershëmrinë e tyre. Ata kanë parë e kanë heshtur. Ata kanë heshtur dhe kanë lejuar që kolegu, shoku, miku është pasuruar edhe më shumë në kurriz të viktimës së drejtësisë shqiptare. Kjo është panorama e përgjithshme e Shqipërisë 2019.
Dikur prindërit tanë bënin sikur punonin dhe shteti bënte sikur i paguante. Sot shteti bën sikur punon dhe mileti bën sikur i beson për t’i votuar. Shkollat tona po restaurohen, por arsimi është në kllapi, i kalbur, i lodhur, i trukuar me minifundin e trendit. Kullat po shtohen, por qyteti po humbet identitet, emocion, ngjyra, historinë. Rrugët po shtrohen, por zoti të ruajtë të ecësh në to. Kazanët po shtohen e ngjyrosen, por vakti i bukës së përditshëm po shtrejtohet për ata që ushqehen me to. Bashkia i ka të gjithë “nën kontroll” dhe policia zbon dhunshëm të paudhët e uritur për ushqimin e koshave pasi qëndrat sociale janë vetëm 4 për gjithë ata të pamundur.
Cila është hapsira ime, cila është e jotja; e di kush? Ministra , drejtues, gjyqtarë nën hetim që shpejt dalin të pafajshëm, madje ata edhe mund të dëmshpërblehen për “baltën e hedhur padrejtësisht”; deputet të inkriminuar, zgjedhje të bëra çuditshëm pa asnje kod ligjor; gjyqsor në veting ku vetingu ka ikur në Palma de Majorka; kriminelë; trafikantë, që dalin të larë pasi kanë bërë batërdinë me terror; skandale e zhvatje pronash publike e private; hapsira shtetërore dhuruar për asgjë ppp-ve apo klientëve-miq. Shqipëria po jepen e gjitha në koncension, përfshirë ne. Kjo është ajo çka prekim e shohim çdo ditë, nëpër ekrane e skuta. Çfarë bëhet megjithëatë në të vërtetë nuk shihet me sytë e tua, për fatin tënd të mirë dhe me kujdesin e atyre që kujdesen. Pra, zoti kjoft me ne! Ama, jemi te lirë. “Të lirë dhe në zhvillim”.
Edhe njëherë në kohën kur fshatarët i ngopin me fjalë të bukura e premtime boshe.
Kur i lënë në mes të hallit si gjatë përmbytjes nga shiu, ashtu edhe në pamundësinë e shitjeve së përditshme të produkteve të tyre. Duhet kurajo e zoti kjofte me ta që të flasësh për makina korrëse, ushqim për kafshët me çmim sa më të lirë, dëmshpërblim të shtëpive të rrënuara nga evazioni, qëndra të reja shëndetësore. Duhet lutje e madhe e kurajë të flasësh për rrugët, ujin, pensionet e ulëta, kur nuk është fushatë elektorale kuptohet. Kurajë e lutje se kudo në të gjitha stacionet televizive apo mediat sociale, çirren në shumë mënyra se një njeri pa dije e pakulturë i diplomuar me pagesë, vlen më shumë se një i ditur kokëulur, i lënë mënjanë. Duhet kurajo për të pyetur: për cilin vallë vlen më shumë kjo?
Është shumë e vështirë të mos përkulesh përpara të fuqishmëve, kurse nga ana tjetër është shumë e leverdisshme t’i mashtrosh të dobëtit - thotë Breht. Të mos u pëlqesh padronëve, do të thotë të hysh në radhën e të shpronësuarve. Të heqësh dorë nga paga për një punë që ke bërë është gati njëlloj si të kesh hequr dorë nga vetë puna, ndërsa të rrefuzosh lavdinë që të ofrojnë të fuqishmit e kësaj bote shpeshherë është njësoj si të heqësh dorë nga çdo lavdi për sa kohë që je gjallë.
Në këtë trishtim, mes kaq e aq shembujsh bombastik, nuk po shohim e hasim refuzuesit e ofiqeve, pasi trumbetohemi vetëm nga pseudot. Këtu lind nevoja e heroit të munguar e të parë. Cili është heroi im; cili është yti? Zoti na ruajt e ai qoftë me ne. Zoti na i dhashtë Shqiptarët e mij!
Comments