Kur flasim për gratë dhe vajzat, me apo pa dashje nuk kam mundur ende të kuptoj, pse fokusohet vëmendja tek gjërat sipërfaqësore dhe jo tek problemet e vërteta të tyre. Ende sot flasim për dy ekstreme zhveshjen e grave dhe vajzave dhe vendosjen e shamisë.
Nga besimi në Zot, pavarësisht se çfarë emri i vendosim sipas fesë, askush nuk ka parë asnjëherë një të keqe. E kur flasim për këtë dhe e quajmë problem në disa treva shqiptare, ku ekstremizmi fetar nuk na ka prekur ende çfarë mund të themi për të tjera shtete?
Ndërsa zhveshja, apo ekspozimi i pjesëve të trupit shoqëria jonë e toleron edhe vrasjen e grave, sepse konsiderohen të pamoralshme dhe që provokojnë rëndë gjininë tjetër. Pikërisht veshja e tyre është shkaku i gjithë të këqijave, ato provokojnë gjininë tjetër, ndërsa kjo e fundit e ka pranuar dhe justifikuar brez pas brezi instiktin kafshëror të meshkujve.
Në të dy rastet, e veshur apo e mbuluar, gruaja ka faj, gruaja gjykohet dhe ndaj saj merren vendime të ashtuquajtura të mëdha. Në fakt, problemi nuk është tek ajo, problemi është i shoqërisë që ende nuk e di se si e do gruan, të veshur apo të zhveshur. Gjinia tjetër, në të dy format, nuk i reziston dot gruas, herë ndihet e fyer e herë të tjera ekstremisht e provokuar!
Shoqëria jonë, ajo e rrjeteve sociale, shpesh herë pa emër e pafytyrë, të masakron, në emër të moralit që me siguri as që e ka idenë se si është. Por nga ana tjetër edhe fakti që sot njerëzit kanë mundësi të flasin, duket qartë që ende nuk e dinë se çfarë mund të thonë. Vjellin vrer ndaj gjithçkaje! Po ta shohësh me vëmendje kjo turmë është e etur për të gjykuar, por kurrë për të duatrokitur një vepër të mirë.
Ju nuk iu shqetësojnë qindra sekte fetare që po veprojnë në Shqipëri, ato që ju ndalojnë në rrugë e ju trokasin në derë për t’ju treguar se Zoti po zbret në tokë, që nuk do të keni më dhimbje e që nëse vdisni do të ngjalleni sërish, por këtë radhë do jeni të pavdekshëm. Këta nuk kanë shamia, vishen si të gjithë ne, por ajo që thonë është rrezik për mbarë shoqërinë. Por ju nuk e keni problem këtë!
Në të vërtetë problemi nuk janë gratë. Nuk është as shamia! Nuk është as zhveshja! Problem jeni të gjithë ju që i jepni të drejtë vetes të ndërhyni në zgjedhjet personale të një gruaje apo vajzë të rritur. Nëse ajo beson në Zot dhe do të vërë një shami në kokë, ky nuk është problemi juaj, ky nuk është problem i shoqërisë, por kjo është një zgjedhje e grave dhe ju jeni të detyruar ta respektoni atë! Jo ta diskutoni dhe as të përpiqeni ta detyroni atë të heqë dorë nga ajo që beson, ajo që ia mbush shpirtin.
Nëse një grua apo vajzë ka moshën 16 apo 18 vjeç që quhet e rritur, i lejohet të punojë apo të martohet, atëherë ajo mundet edhe të vendosë nëse do të mbajë shami në kokë apo jo. Krahas ligjit, kufirit që e quan të rritur një individ, duhen njohur edhe të drejtat për t’i lejuar të zgjedhin ku të besojnë e çfarë ritesh fetare duan të ndjekin. Këtu nuk ka asgjë tjetër që ia vlen të diskutohet, gjykohet apo diskriminohet. Asnjë e keqe nuk u vjen shqiptarëve nga shamia, armiku është tjetër kush.
Nuk kam parë asnjëherë të diskutoni veshjen e meshkujve, mjekrat e tyre që janë bërë të gjithë si arabë, apo faktin se gjatë gjithë vitit pinë e dehen, lënë paratë në kazino apo në një vepër tjetër (të pamoralshme por të justifikuar nga shoqëria) e shkojnë në shtëpi dhunojnë prindërit, fëmijët, gruan madje edhe komshinjtë po u dolën para. Ju nuk diskutoni për ta, as kërkoni një ligj për ta, nuk kërkoni as masa, ju i justifikoni ata e sërish fajësoni gratë, nënën që e ka mësuar keq e gruan që nuk e mbledh në shtëpi.
Duke diskutuar ato që nuk kanë rëndësi në të vërtetë, ato që nuk ndikojnë në jetën tonë të përditshme, ju po cënoni rëndë familjen dhe vlerat e saj. Familjen e mbron çdo fe, gruan e mbron çdo fe, kush jeni ju që e gjykoni! / Albina Hoxhaj
Comments