Nga Tanush Çaushi
Ja dhe Qershori erdhi. U kujtuan për Çamërinë më në fund njëherë në vit.
Do bërtasin me të madhe, do vendosim lule dhe do mbajmë fjalime nacionaliste, por të gjitha këto janë punë pa bereqet.
I ulur përballë Korfuzit të bukur tek Pylli i bukur me pisha, në afërsi të skajit më fundor të Konispolit, sytë i kam ngulitur tek vija kufitare në Qafë-Botë. Konispoli, skaji më jugor i Shqipërisë së sotme. Këtu përplasen jo vetëm dallgët e detit Jon, por edhe historia e lashtë e Neolitit dhe e Kaonisë dhe e Thesprotisë.
Këtu përplasen edhe epokat e historisë së Çamërisë.
Këtu mijëra çamë më shfaqen gjithmonë të zbathur dhe të dëbuar nga vatrat e tyre. Natën më shfaqen vajza çame të veshura me të bardha, që ëndërronin ditën e dasmës, por nuk e gëzuan dot atë dite. Më tutje gjyshja më vështroi me një shikim të rreptë si për të më thënë: - Harram e paçi, të paktën na kujtoni!
Çamëria, kjo sfidë e diplomacisë shqiptare tashmë jashtë axhendave të qeverisë shqiptare dhe të qeverive të pas viteve 90. Çështja çame është çështje kombëtare, por duket se është lënë në harresë dhe nuk trajtohet si e tillë. Zgjidhja e kësaj çështjeje kërkon një aksion politik diplomatik, por duket se edhe "vllau" nga Kosova, ministri i jashtëm nuk e ka në axhendë këtë çështje.Politikanët shqiptarë nuk kanë kohë të merren me çështjen kombëtare të Çamërisë. Ata janë të "zënë" me revolucione të mëdha dhe modele qeverisjeje inovative që bota si ka parë ndonjëherë.
Ndonjëherë, duke dashur të bësh gjëra të mëdha harron të bësh gjërat më bazike dhe këtë e kanë harruar opinionistët, analistët, politikanët, qeveritarët: - Një nga gjërat më bazike për një politikan dhe qeverisës është çështja kombëtare dhe pjesë e saj është çështja çame.
Çfarë po ndodh vallë me çështjen çame?
Është shumë e çuditshme sesi gjithë këto media, portale, gazeta, opinionistë të talentuar e zhurmuesa nuk e hapin gojën fare dhe nuk e përmendin këtë çështje?
Është e qëllimshme apo është neglizhencë?
Pyetje pa përgjigje. Ah po, njëherë në vit shkojmë dhe vendosim një tufë me lule në varrezat e Kllogjerit në kufi. Pastaj dëgjojmë disa fjalime dhe këtu mbyllet kjo histori.
A duhet të kemi një strategji për këtë çështje? A duhet ta ngremë në institucionet ndërkombëtare këtë çështje?
A duhet të bejmë plane veprimi me objektiva? Çamëria është një çështje part-time?
Kur do kujtohemi për të që ta ngremë problemin për zgjidhje? Përse media nuk e quan dhe nuk e përmend këtë çështje me rëndësinë që i takon? Përse bëhen emisionee pafund për çështje të parëndësishme dhe për Çamërine jo?
Nuk bëhet fjalë për ndryshim kufijsh, por për të drejtat e njeriut, historinë, pronat...jo për ekstremizëm.
- Deri kur ma?
Kommentare