top of page
Search

Çanta sa Sonja e Sonja sa çanta

Nga Pajtim Çaushi


Sonja është mbesa ime e dytë nga djali i dytë. Këtë shtator nisi klasën e parë. Mami i bleu cantën e re për fillimin e ri. E ngrita në dorë se m'u duk e madhe kaba. 

Besoj se peshon shumë , mendova. Sonja më vështronte dhe qeshte..

- Nuk peshon shumë, i thashë për ta qetësuar.

- Shih sa e madhe është, ia bëri e hapi sa mundi krahët e vegjël.Kishte të drejtë, por ishte e pamundur për t'ia ndryshur përmasat pasi kështu e pati menduar mendja jo pedagogjike xhaxhi pronarit. Më 12 shtator u nis me dy objekte të mëdhenj: njeri në duar e tjetri në kurriz. Në duar tufa e madhe e luleve sikur për Elisabetën e Dytë. E kishte për mësuesen se fëmija mbret e mbretëreshë mësuesen ka.

Në kurriz cantën e madhe kaba, vec jo bosh si ateherë kur e bleu.

Jo, tani ishte dinga me libra, fletë pune, mjete mësimore, ujë e bukë..Vërejta Sonjën. E vogël si cdo gjashtë vjeçar. Pashë çantën dhe e ngrita pak në dorë aty mbi shpinë të vajzës.

- Bobobo! - thirra nga habia. Më solli në mendje çantat e citura me mallra të tregtarëve të cikërrimave që lëvizin kudo për të fituar ndonjë lek. 

 E rëndë, tejet e rëndë për kockat e njoma të një nxënësi të klasës së parë.

E pashë me keqardhje Sonjën, por ajo ndiehej e lumtur pasi do të vijonte nisjen e ngjitjes në shkallët e diturisë..

Kur u kthye pas katër orësh, fëmija dukej e shpërfytyruar. Me ballë të vrenjtur... Me pamje të zbehur...Me zë të mekur...Me vështrim të tretur...Mami e babi u shqetësuan. Kuptohet, edhe gjyshja e gjyshi. Natyrisht, edhe komshiu e komshia...Pyetjeve pafund për këtë shkrehje e shformim Sonja nuk iu përgjigj me fjalë, por me veprime e gjeste.

 Uli me mundim cantën nga shpina...E shtriu mbi tapetin e sallonit, atje ku qe stamposur një arushë e madhe ...U tërhoq pas e shtriu krahun e djathtë...Ngriti e drejtoi gishtin tregues në drejtim të cantës mbi tapetin me arushë në mes... Të gjithë e kuptuan.

Çanta e stërmadhe i kishte sjellë njomzakes gjashtë vjeçare stërmundim e shpërfytyrim.

Kështu javën e parë, kështu edhe javën e dytë. Stërmundimi në vijimësi.u kthye në një torturë legale për fëmijën e klasës së parë të Ciklit të Ulët.

Megjithatë, shqetësimi i të gjithëve nga dita në ditë rritej ashtu si rritej stërmundimi për Sonjën e vogël.Në njerën nga ditët e javës së dytë mamit të Sonjës i shkrepi në mendje për ta peshuar çantën e bijës së tejlodhur. 

E ngriti me zor se është dhe shtatzanë. I ati e ndoqi pas, Pas të atit vet Sonja, pas Sonjës gjyshi e gjyshja, pas gjyshit e gjyshes, komshiu e komshia.... Varg njeri pas tjetrit arritën tek peshorja. Mami e lëshoi duke psherëtirë.

Edhe të tjerët morën frymë thellë të lehtësuar nga rendja e nxituar.

 Vërejtën me ankth ekranin e peshores. Shifra dymbëdhjetë kilogram u dallua qartë.

Reagimi për këtë befasi qe i menjëhershëm.

Kudo dhe fort u dëgjuan fjalët pasthirrmore:- Uaaa, dymbëdhjetë kilogram!...  E shkreta fëmijë!... Të shkretët vogëlushë!...Thirrma e zgjatur jehoi me dhimbje, me indinjatë!...

Thirrje për pak njerëzi!...Thirrje për kujdes e shëndet!...Thirrje për pak pedagogji!...Thirrje për shkollim e gëzim në jetë!...Vallë a do të shkojë jehona e thirrmës së fëmijëve e prindërve tek veshët e nanës qeveri apo të njerkës ministri?...Sonja ngriti supet me mosbesim...

Comments


bottom of page