top of page
Search

Çfarë duhet të dinë punëtorët sezonalë në Greqi?


Kryetari i pronarëve të tokave dhe bujqve grekë, Christos Giannakakis, flet për procedurën duke sqaruar se ministria e Bujqësisë së Greqisë akoma nuk e ka prezantuar, jo më miratuar...


Në median vizive dhe të shkruar greke “Anagnostis” ka dhënë një intervistë të djelën pasdite, 3 maj, kryetari i Organizatës Etnike Profesionale të Frutave me Bërthamë, Christos Giannakakis.

Giannakakis ka folur dhe pak ditë më parë për të njëjtën çështje në agjencinë shtetërore të Greqisë, duke paraqitur planin me 11 pika të propozuar ministrisë së Bujqësisë së Greqisë, të cilin presin dhe të miratohet nga çasti në çast. Madje, në intervistë thekson se edhe të hënën në mëngjes, 4 maj, do ishte me vlerë të paraqitet nga ministria e Bujqësisë së Greqisë një plan i mirëfilltë e më tej të diskutohet me pronarët e tokave e të vendosen dhe të bien në konsensus për detajet e funksionimit në periudhën e Covid-19. Situata është urgjente për vendin, pasi frutat rrezikohen të kalben. Deri tani, gjithsesi, në Greqi të paktën, sipas Giannakakis, nuk ka asnjë marrëveshje e as lajm, akoma!

Dihet vetëm se rreth 7000 punëtorë shqiptarë pritet që të punojnë tokat greke, periudhën e ardhshme, përmes një marrëveshje dypalëshe e cila ka filluar të diskutohet dhe së shpejti do të vendosen dhe detajet e fundit për mbrojtjen e shëndetit të të gjithëve nga Covid-19. Si dhe se 11 pikat e dërguara nga kjo organizatë në ministri parashtrojnë qartë kushtet e marrëveshjes që pronarët e tokave mund të përballojnë, e që përmbajnë veç të tjerave, rrogën ditore, si zgjidhen e si do të udhëtojnë punëtorët, si do të shmanget transmetimi i Covid-19?

Greqia, sivjet, pas përpjekjeve shumëvjeçare ka miratuar dhe ligjin për kategorinë e punëtorëve të huaj, të cilët kalonin kufirin me Vizë, akoma dhe turistike, e në vijim punonin për disa muaj pa sigurime e pa paguar taksa. Tashmë, sipas ligjit të fundit, të gjithë shtetasit nga vendet e treta që do të punësohen për pak apo shumë kohë në vend, do të kërkohen ekskluzivisht nga pronari me të gjitha të dhënat. Këto të dhëna personale fillimisht do të kalohen në zyrën e emigracionit, e më tej, me urdhër të këtij organi kopetent, do lejohet hyrja e individit në Greqi. Kjo procedurë, që vlen kryesisht për shtetasit shqiptarë, i jep fund punës së zezë shumëvjeçare, sidomos në bujqësi e turizëm, që shkaktonte humbje të mëdha në buxhetin e vendit.

Intervista u zhvillua nga botuesi i “Anagnostis” dhe gazetari i njohur në Greqi, Akis Gkatzios si dhe gazetarja Ira Londo.


****

A.G.

Christos Giannakakis, të filloj me ju, cili është problemi me të cilin ndesheni këtë periudhë në zonat veriore të Greqisë e konkretisht me punëtorët sezonalë?


Ch.G.

-Vitet e fundit, në rajonin verior të Greqisë, Maqedoninë Qendrore, ku kemi frutat me bërthama, kemi një bashkëpunim shumëvjeçar me punëtorë nga Shqipëria. Punëtorët shqiptarë janë njerëz me eksperiencë, të aftë, e dinë mirë punën dhe deri tani, të paktën, kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me ata. Kjo fuqi pune na duhet dhe tani për sezonin. Fatkeqësisht, për shkak të koronovirusit, si Greqia dhe Shqipëria, kanë mbyllur kufijtë. Kështu që dhe ne u aktivizuam për të institucionalizuar përpjekjet, për të siguruar hapjen e kufijve për këtë kategori, të ofrojnë këta punëtorë shërbimet e tyre në vend.


A.G.

Referoheni në problemin e kufijve dhe si do të zgjidhet mbledhja e frutave. Le të dëgjojmë nga gazetarja Ira Londo se çfarë ndodh këto momente në Shqipëri, si është situata me koronavirusin dhe si po trajtohet kjo çështje, e punëtorëve sezonalë?


I.L.

-Tashmë situata në kufijtë greko-shqiptarë është e njohur, janë të mbyllur. Megjithatë, nga dita e djeshme në median shqiptare ka qarkulluar informacioni se është gjetur zgjidhja, është mbyllur një marrëveshje dypalëshe, madje theksohet se influenca e një deputeti shqiptar të partisë qeverisëse ka ndikuar mjaft në palën greke për mbylljen e çështjes. Realisht, të dy palët kërkojnë një zgjidhje, sepse vërtet familja shqiptare ka nevojë për fuqizim ekonomik, si dhe pala greke kërkon punëtorë për tokat. Përse të mos jepet një zgjidhje, akoma dhe në këtë situatë të vështirë që jetojmë të gjithë? Kam disa pyetje për ju z. Giannakakis, në Shqipëri është thënë se nga e hëna, 4 maj, një platformë elektronike do të hapet, ku të interesuarit do të deklarojnë të dhënat e tyre për t’u punësuar në Greqi. Se testi për covid-19 do të kushtojë 80 euro dhe do e paguajnë punëtorët, ndërsa nëse do vendosen në një periudhë në karantinë do e mbulojë punëdhënësi, se mëditja do të jetë 30 euro...


A.G.

Z.Giannakakis, në vijim të përgjigjeve të pyetjeve të Irës, ju lutem, shtoni dhe detajet e propozimeve tuaja në lidhje me masat mbrojtëse shëndetësore që ju keni kërkuar?


Ch.G.

-Kërkesa jonë ndaj qeverisë greke parashikonte hapjen e kufijve, por me cilat kushte? Jemi të gatshëm që kushtet e kriteret e qeverisë greke t’i ndjekim deri në fund. Si mund të veprojmë ndryshe? Nuk bëhet më ndryshe! Tani presim nga komisioni përkatës i ministrisë të na informojë se si do veprohet. Detajet nuk janë përcaktuar akoma!

Kështu që, në do qëndrojnë në karantinë tek punëdhënësi apo diku tjetër, si do udhëtojnë, nuk e dimë. Presim ditët e ardhshme detajet. Ne nuk marrim dot përsipër shpenzime karantine në ndonjë hotel të caktuar, pa punuar. Prandaj dhe ndoqëm modelin e Gjermanisë në propozimin tonë. Punëtori mund të strehohet në pronat e pronarëve, për sa kohë duhet të jetë i izoluar, duke punuar me distancë nga punëtorët e tjerë me siguri.


A.G.

Numri i 7000 punëtorëve është ai i kërkuari çdo vit?


Ch.G.

-Vitet e kaluara në zonat Imathia, Pieria dhe Pella, kishim regjistruar kërkesa për rreth 15.000 punëtorë. Në vijim, me koston shtesë të sigurimeve shoqërore dhe detyrimet ndaj shtetit grek, u ndoq metoda e ardhjes së punëtorëve me vizë 3-mujore Turistike. Hyrje e ligjshme e punëtorëve në vend, por punë e zezë, e paligjshme. Kështu që as ne nuk kemi të dhëna të sakta të shifrës së punëtorëve që na duhen.


I.L.

Zoti Giannakakis, është shumë e rëndësishme të qartësoni nëse është nënshkruar marrëveshje dhe cilat janë detajet? Si dhe nëse sa u referova, detajet e mësipërme, janë në fuqi për punëtorët shqiptarë. Pasi, në median shqiptare jo vetëm që është publikuar se është mbyllur një marrëveshje, por se kaloi në parlamenti grek pas mesnatës me një procedurë urgjente. Se janë përcaktuar të gjitha detajet, madje se sivjet nuk do të kenë nevojë të marrin Vizë të posaçme. Të gjitha këto detajet, kjo marrëveshje, janë të vërteta? Ju, z. Giannakakis, jeni në dijeni nëse janë mbyllur të gjitha detajet dhe marrëveshja hyri në fuqi?


Ch.G.

Unë jam në dijeni se në 1 maj, në fletoren zyrtare me nr 90. në nenin 42 është botuar Akti Normativ, i cili përcakton vetëm mundësinë e punëtorëve sezonalë nga çdo vend i tretë të ftohen me të dhënat personale nga vetë pronari grek. Nuk përcakton vendin, Shqipërinë, në veçanti, por është në përgjithësi, një nen përkatës. Për çdo punëtor ne duhet të paguajmë 100 euro, e të deklarojmë të dhënat e plota personale të punëtorit në zyrën përkatëse të emigracionit e në vijim, këto organe kopetente të emigracionit do dërgojnë këto të dhëna në kufi. Këtej e tutje nuk do të ketë më Viza në Konsullata, apo lidhje me përfaqësitë konsullore. Kjo procedurë është e përgjithshme. Por nuk është marrëveshja e posaçme, sidomos me masat mbrojtëse, për rastin konkret me punëtorët shqiptarë.

Kështu, nuk është siç e thoni, nuk hyn në punë një platformë elektronike që dikush plotëson kërkesë për punë, pasi vetëm pronarët grekë do kërkojnë emra konkretë, të punëtorëve që kanë patur vitet e kaluara, me eksperiencë e njohje personale.


A.G.

Kur pritet marrëveshja përfundimtare, me detajet kryesisht të mbrojtjes së shëndetit?


Ch.G.

-Besoj se nesër (e hënë 4 maj) do më kontaktojnë nga Athina me kushtet e vendosura. Ne jemi gati, akoma dhe tepër të rënda të jenë kushtet, jemi përgatitur t’i zbatojmë e jo t’i kundërshtojmë. Kemi kontaktuar me kompani për testet, ku do bëhen analizat.

Presim shtetin grek, të përcaktojë se çfarë do të bëhet, si përfundim, pastaj do e diskutojmë.


A.G.

Sidoqoftë, çështja ka interes dypalësh, këtu kërkojmë krahë pune, pala shqiptare kërkon punë. Një tjetër pyetje z. Giannakakis, shqiptarët që janë këtu emigrantë të ligjshëm, e që kërkojnë punë në tokat greke, me papunësinë e krijuar, si do veprojnë?


Ch.G.

-Patjetër, të vijnë e i duam! Organizata jonë në faqen elektronike ka vendosur numrat telefonikë dhe të lidhet me organet tona kopetente të punësohet në të gjithë sektorët e bujqësisë, gjatë gjithë sezonit.

Të gjithë pronarët grekë preferojnë punëtorët shqiptarë, janë të mirëpritur.


A.G.

Mesa duket, çështja ka marrë rrugën e zgjidhjes dhe presim detajet nga qeveria greke, kryesisht për masat mbrojtëse ndaj Covid-19, aty e kanë fjalën specialistët se si do veprohet. Për mëditjen apo rrogën mujore, çfarë informacioni kemi?


Ch. G.

-Kjo është në varësi të marrëveshjes private pronar-punëtor. Disa punëdhënës ofrojnë strehim, mbulojnë të gjitha shpenzimet, disa i punësojnë 8-orarësh. Baza jonë është 29.50 euro mëditje, shumë nga e cila duhet të zbriten mbajtjet për sigurimet shoqërore dhe taksat, ka dhe 25 euro, 28 euro, deri dhe në 30 euro. Varet dhe nga lloji i punës, qershitë kanë rrogë më të lartë, në përgjithësi.


I.L.

-Z.Giannakakis, presim tashmë detajet e marrëveshjes dhe hyrjen në fuqi. Ju falenderoj dhe ju lutem, informoni vazhdimisht për shanset e punësimit të shtetasve shqiptarë.


Ch.G.

Me kënaqësi, punëtorët shqiptarë janë tepër të vlefshëm jo vetëm sot në veriun e Greqisë, por në të gjitha zonat e vendit e në të gjitha sezonet bujqësore.


A.G.

Ju falenderoj për bisedën


https://anagnostis.org/article/pos-kai-pote-tha-erthoyn-7000-albanoi-ergates-gia-na-doylepsoyn-sta-horafia

Comentarios


bottom of page